Dialogu me Serbinë të ndërpritet deri në formimin e institucioneve

Politika

Dialogu me Serbinë të ndërpritet deri në formimin e institucioneve

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 shtator 2017 Në ora: 08:32
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, duke thënë se "të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja".

Duke folur për gazetarët pas takimit, edhe Thaçi, edhe Vuçiq thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve.

Thaçi tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi, porse pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial "janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme".

Image
Melihate Termkolli

Të ndryshohet qasja e dialogut

Anëtarja e LDK-së dhe ish Deputetja  Melihate Termkolli në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka thënë se bisedimet duhet të vazhdojnë, pasi nuk ka sepse rrugë tjetër, por, sipas saj qasja dhe mënyra si është biseduar deri më tani me Serbinë duhet të ndërpritet menjëherë.

“Duhet qasje tjetër dhe koncept tjetër i bisedimeve, nëse nuk është bërë tepër vonë. Nga bisedimet për Kosovën, duhet të kalohet në bisedime për normalizim të raporteve me Serbinë, nga bisedimet për rregullimin e brendshëm të Kosovës duhet të kalohet në bisedime për raporte ndërshtetërore si palë të barabarta dhe me rezultate reciproke. Por së pari na duhet “normalizimi” i raporteve mes subjekteve tona politike dhe ndërtimi i një platforme të përbashkët afatgjatë në raport dhe në raportet me Serbinë. Këtë çështje e kam ngritur disa herë në Kuvend si edhe disa deputetë tjerë, por e pamjaftueshme për të ndryshuar gjendjen” ka thënë Termkolli.

Image
Shqipe Pantina

Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje  ka thënë për gazetën “Bota sot”, se pa konstituimin e organeve në vend nuk duhet të diskutohet më Serbinë.

“Dialogu më Serbinë nuk duhet të rifilloj pa u konstituuar organet e reja dhe pa një agjendë të çartë se çfarë do bisedohet. Kjo formë e deritashme e dialogut nuk ka prodhuar asgjë të mirë për Kosovën dhe nuk pritet të sjell as në të ardhmen nëse vazhdohet kështu” ka thenë Pantina.

Marrëveshje të padobishme

Edhe Shpejtim Bulliqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për “Bota sot” se Kosova nuk duhet të rifilloj bisedimet se paku jo pa u qartësuar disa gjera.

Image
Shpejtim Bulliqi

“Serbia duhet të heqë dorë nga bllokadat/lobimet kundër Kosovës në UNESCO dhe Interpol. Serbia duhet të kushtëzohet që të largojë nga sistemi i saj fletarrestet për qytetaret e Kosovës dhe BE-se ti kërkohet që ti zhbllokoj proceset në të cilat Kosovën po e diskriminon padrejtësisht (levizja e lirë pa viza). Po ashtu duhet larguar komplet nga procesi i përfaqësimit të Kosovës zyrtaret kosovarë të cilët më dashje apo pa dashje shpeshherë nënshkruan marrëveshje jo të favorshme për Kosovën” ka thënë ai.

Sipas Bulliqit, nëse dialogu mbahet në nivel të presidentëve, Kosova gjerë më tani nuk është se ja ka pa hairin marrëveshjeve të nënshkruara nga presidenti aktual sa ishte në pozita tjera(kryeministër/ministër i jashtëm).

“Nuk pres ndonjë mrekulli nga rifillimi i bisedimeve më Serbinë, shpresoj që mos të jenë bisedime sa për të ja rregulluar CV-në ndonjë komisioneri të BE-së të cilëve në zona tjera të botës nuk po ju shkon fjala fare, ju ka mbetur Ballkani dhe krizat e vendeve ballkanike për të sprovuar aftësitë e tyre diplomatike, në jo pak rast në disfavor të palës që nuk ju shkakton probleme siç është rasti me Kosovën. Nuk e di përmbajtjen se çka dhe si do të vijoj ai proces i rifillimit të bisedimeve, por një gjë e di se askush nuk ka mandat në Kosovë që në ketë periudhë pa institucione të formuara si rezultat i zgjedhjeve të 11 qershorit” ka thënë nder të tjera Shpejtim Bulliqi nga LDK.

Image
Dashnim Ismajli

Të luftohet politika propaganduese e Serbisë

E profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli ka thënë se më Serbinë, Kosova duhet të vazhdoj dialogun, dhe se sipas tij Dialogu është rruga e vetme që këto dy vende të arrijnë në një pajtim të përhershëm dhe të qëndrueshëm.

“Është e nevojshme që qasja e Kosovës në Dialogun me Serbin duhet të jetë në interes të saj,  ka mjaft tema për të diskutuar me shtetin Serb mirëpo Dialogu i deritashëm dhe marrëveshjet e arritura nuk kanë qenë në favor të Kosovës dhe nuk kanë ndihmuar që këto dy vende të përafrojnë bashkëpunimin e tyre në fushat për të cilat është dialoguar, mos ndihmesa e dialogut vie si rezultat i mos-zbatueshmeris së marrëveshjeve të arritura nga ana e Beogradit. P.sh. Duke mos marr të gjitha me rend,  njëra ndër marrëveshjet e arritura ka qenë që Shteti Serb ka garantuar BE-në që nuk do e  pengon Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, kurse ne jemi dëshmitar se Serbia zyrtarisht çdo ditë  bënë politikë propaganduese në çarqet ndërkombëtare kundër Shtetit të Kosovës” ka thënë ai.

Sipas Ismajlit, Sfidat  e Shtetit të Kosovës tashmë janë të njohura si,  stopimi i njohjeve ndërkombëtare, sfidimi i procesit integrues të shtetit të Kosovës për tu anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtar  dhe ndikimi i politikës Serbe që bënë kundrejt Kosovës.

Ai po ashtu ka shtuar se marrëveshjet e arritura dhe temat që do dialogohen nga dy vendet i paraprijnë një marrëveshje përfundimtare me njohjen e dy vendeve reciprokisht.

Image
Mentor Tahiri

Dialogu i brendshëm

Politologu Mentor Tahiri ka thënë se në procesin e deritanishëm të bisedimeve në Bruksel, në plan të parë kanë qenë disa aspekte kryesisht teknike, e pjesërisht edhe administrative, të cilat për qëllim kishin krijimin e kushteve që qytetarë të Kosovës dhe Serbisë të mos ndjejnë barrierat e mungesës së raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Por nuk ka qenë asnjëherë sekret diplomatik, se të gjitha aranzhimet e deritanishme në Bruksel janë një fazë preliminare e bisedimeve akoma më shumë serioze që do të pasojnë. Është e qartë se ideatorët e këtyre bisedimeve, pra bëhet fjalë për mediatorë ndërkombëtarë, ndonëse nuk kërkojnë decidivisht që Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës me rrugë zyrtare diplomatike, këtë ta bëjë de facto funksionalisht. Me këtë do të merr fund edhe ndonjë ambicie e qarqeve të caktuara politike në Beograd të cilat ende refuzojnë të njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë”, ka theksuar ai.

Sipas Tahirit vetë mediatorët ndërkombëtarë, e në këtë rast bëhet për Bashkimin Evropian, nuk kanë cak final thjeshtë normalizimin e raporteve ndërshtetërore në Ballkan.

“Ata shkojnë përtej kësaj dhe përmes raporteve të stabilizuara do të tentojnë që në tërësi Ballkanin Perëndimorë ta afrojnë më shumë me Bashkimin Evropian. Çfarëdo aranzhimi në raport me këtë pjesë të Evropës, tani e tutje do të ketë parasysh regjionin si një pako të vetme. Pra çdo iniciativë lidhur me regjionin, do të merr parasysh ekzistimin e gjashtë shteteve ballkanike të cilat ende janë jashtë Bashkimit Evropian, kurse Republika e Kosovës do të trajtohet barabartë në gjithë segmentin e shtetësisë së saj”, ka theksuar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat