Kërkohet tërheqja e Kadri Veselit e Ramush Haradinajt

Politika

Kërkohet tërheqja e Kadri Veselit e Ramush Haradinajt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 shtator 2017 Në ora: 07:50
Kadri Veseli e Ramush Haradinaj

Seanca për konstituimin e kuvendit të Kosovës, vazhdon të mos thirret dhe kjo e gjitha për shkak se subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicioni PAN, ku bën pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, nuk ka arritur ende të finalizojë ndonjë marrëveshje me ndonjërin prej subjekteve politike për tejkalimin e krizës politike.

 Ky koalicion, i cili e ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit, por nuk e ka shumicën për ta zgjedhur atë, në seancën e fundit kanë “hezituar” ta paraqesin në votim kandidatin e tyre, i cili do të jetë Kadri Veseli.

Përkundër që partitë tjera kanë kërkuar që koalicioni PAN  ta “provojë” veten për votimin e kryeparlamentarit dhe pastaj qeverisë, ata një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

Në anën tjetër, analistët politikë kërkojnë që koalicioni PAN bashkë me kandidatin e tyre për kryetar të kuvendit, Kadri Veseli, dhe kandidatin për Kryeministër, Ramush Haradinaj, të tërhiqen për t’i lëshuar “udhë” krijimit të institucioneve të reja.

Haradinaj e Veselit e lëshojnë udhën, apo zgjedhje të reja?

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se nëse do të ndërtohej një sistem i vlerave të emancipimit dhe pranimit të dështimit, koalicioni PAN do të duhej të tërhiqej.

“Dihet se PAN nuk i ka numrat, dhe as qe i ka pasur ndonjëherë. Ata vetëm kanë gënjyer kur thonin se i kanë numrat, pastaj në seancë u bënë  gazi i botës duke iu dalur në shesh gënjeshtrat. Nëse do të ishim ndërtuar një sistem të vlerave, të emancipimit dhe të pranimit të  dështimit, PAN, respektivisht Kadriu dhe Ramushi do të duhet të lëshonin rrugën pasi s’po arrijnë t’i formojnë institucionet”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas Mehmetit, duke parë politikën e Kosovës nuk pritet të ndodhë ndonjë gjë për zhbllokim të proceseve dhe për këtë vendi duhet të shkojë në zgjedhjet e reja.

“Por , duke qenë se politika është  shndërruar në vrimën e zezë  të shoqërisë, nuk pritet të ndodhi që ajo të zhbllokojë proceset. Nuk kemi ndërtuar si shoqëri një  standardi  të vlerave në politikë, por thjesht kemi krijuar pazare të lidhura direkt me fatin e liderit. Pra, tek ne, liderët e kanë  të lidhur fatin e tyre me politikën, andaj me çdo kusht duan të vijnë  në  kryet të vendit dhe kur të vijnë nuk e lëshojnë pastaj . Një ndihmëse të madhe PAN-it ia jep edhe Thaçi, i cili po keqpërdor pozitën e presidenti në lojëra meskine të politikës se PDK. Thaçi është shërbëtor i PDK-së, respektivisht i Kadri Veselit, pasi e di që nëse ka një njeri në  Kosovë  i cili mund të ia heq " flamen" Thaçit është Veseli. Prandaj Thaçi nuk guxon mos të luajë  lojën e tij të shahut. Prandaj nuk pres që  koalicioni PAN të lëshojë radhë, ose t’i formojnë institucionet ose vendi shkojë në zgjedhje, tjetër alternativë nuk shoh”, ka theksuar Mehmeti.

Kelmendi jep alternativen për zgjidhjen e krizës politike

Image
Jeton Kelmendi

Kurse, analisti politik Jeton Kelmendi, ka dhënë një alternativë ndryshe për zgjidhjen e krizës politike.

Kelmendi ka kërkuar që partitë më të vogla të bashkohen me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kështu do të mbeteshin në opozitë partitë që kanë qeverisur për shumë vite.

“Sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet ta respektojnë vendimin e gjykatës pavarësisht çfarë vendimi ka qenë dhe kjo kushtetutë duhet patjetër që koalicioni PAN të propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit, natyrisht se nëse nuk zgjidhet Kadri Veseli, duhet që PDK-ja konkretisht ta ketë një kandidat tjetër sigurisht që koalicioni LAA dhe Vetëvendosje. Do ti bënte nder Kosovës të ishte një kandidate serbe për kryetare të Kuvendit, ndërkaq mandatari i parë që është për periudhën dy javore Ramush Haradinaj, në qoftë se mund ta bëjë mandatin rreth qeverisë, gjë që unë nuk besoj që do ta bëjë vetëm nëse do ta kontrabojë ndonjë votë si është puna e Teuta Rugovës ose ndonjë tjetër, e që është qeveri e kontrabantuar, duhet të tërhiqet dhe t’ia lëshojë mandatin koalicionit LAA. Ndoshta është zgjidhja që do ta propozoja unë, është që Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, me partitë e tyre më të vogla të tërhiqen nga koalicioni me PDK-në dhe së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje dhe minoritetet ta bëjë bashkë dhe t’i lënë në opozitë PDK-në dhe LDK-në do të ishte më shëndetshme dhe më e ndershme, sepse këto të dyjat kanë qeverisur për shumë vite”, ka pohuar Kelmendi.

Në seancën e 24 gusht, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ripërsëritur edhe njëherë se koalicioni PAN nuk i ka numrat për të konstituuar Kuvendin.

Ai ka thënë edhe njëherë se i kanë 60 vota, mirëpo jo 61 sa edhe duhet për të zgjedhur kryetarin e kuvendit.

Ata kanë kërkuar më shumë kohë për t’i bërë numrat.

“Konstituimi i Kuvendit është veprim demokratik. Politika bazohet në fakte dhe në nuk i kemi 61 deputet. Çdo dite në politikë është ditë e re. Mes asaj që duhet zvarritet apo duhet të kemi institucione, për mua shteti asnjëherë nuk ka qenë vetëm etnitet gjeografik, shteti është etnitet kohor.Apeli im ishte i vërtetë që të kalojmë këtë situatë. Unë nuk mund të flas se me kë tjetër bënë koalicion PAN-I. Koalicioni ynë i ka 60 vota. Mirëpo nuk i ka 61 për të konstituuar Kuvendin. Qëndrimi im në emër të PAN ishte që ne kërkuam më shumë kohë. Neve na duhet edhe disa ditë kohë”, kishte thënë Hoxhaj.

Se koalicioni i tyre nuk i kanë numrat, kishte thënë edhe nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, por edhe deputeti i NISMA-s, Bilall Sherifi.

AAK: I kemi 61 numra

Image
Pal Lekaj

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e cila është në koalicionin PAN, dhe kryetari i së cilës është kandidat për Kryeministër, ka mohuar se nuk i kanë numrat.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur për “Bota sot” se ata nuk kanë thënë se nuk i kanë numrat, por kanë thënë se e kanë të pa arsyeshme që baza e qeverisë së ardhshme të jetë vetëm me 61 numra.

Lekaj ka treguar se ata kanë komunikuar me disa nga spektri politik parlamentar dhe kanë gjetur një interesim për të mos e lënë Kosovën pa institucione.

Sipas Lekajt, java e ardhshme do të jetë aktive për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje krijimit të institucioneve.

“Institucionet i bënë fituesi në bashkëpunim me ata që gjënë gjuhën e mirëkuptimit për të bashkëpunuar në qeverisje. Askush nuk ka thënë që nuk i kemi numrat, kemi thënë se e kemi pa të arsyeshme që baza e qeverisë së ardhshme të jetë mundësisht me e gjerë se 61dhe konform kësaj kemi komunikuar me disa nga spektri politik parlamentar me të cilët kemi gjetur një interesim për të mos e lënë Kosovën pa institucione edhe me tutje dhe kjo besojmë që do të prodhojë një javë aktive, për t'i dhënë përfundimisht zgjidhje krijimit të institucioneve të reja”, ka theksuar Lekaj.

Ai i ka bërë thirrje partive politike të mendojnë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Ne ju bëjmë thirrje disave që po mendojnë vetëm me kokën elektorale që të mos përdorin inatin e tyre si formë të politikbërjes, sepse ajo që po e pëson është Kosova dhe qytetarët e saj. Të bëjmë shtet e të zhvillojmë demokracinë duke e shfrytëzuar atë për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimit të vendit” ka shtuar Lekaj.

Deputetët e kuvendit të Kosovës,  që nga dalja përfundimtare e rezultateve të  zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit kanë dështuar konstituimin e kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat