Abazi: Këto janë dy anët e medaljes së marrëveshjes AKR-PAN

Politika

Abazi: Këto janë dy anët e medaljes së marrëveshjes AKR-PAN

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 shtator 2017 Në ora: 08:10
Haki Abazi

Aleanca Kosova e Re më nuk është pjesë e koalicionit LAA, pasi dje është larguar nga ky koalicion, për t’iu bashkuar PAN-it.

Kreu u AKR-së mbrëmë nënshkroi marrëveshjen me Ramush Haradinaj, Kadri Veselin e Fatmir Limajn, ku sipas marrëveshje Pacollit i takon posti i presidentit pas përfundimit të mandatit nga Hashim Thaçi, që është president aktual.

Në marrëveshje tregohej edhe ndarja e ministrive për secilën parti që do të jetë pjesë e qeverisë.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi thotë se ajo që ka bërë AKR ka qenë e pritur që nga momenti i parë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se kjo marrëveshje ka dy anët e medaljes, derisa ka paraparë se do të jetë një qeverisje shumë fragjile.

“AKR ka qenë në bisedime me VV-në dhe mandej i është bashkuar LDK-së dhe tani ka kaluar në koalicion me PAN-in dhe Listën Srpska. Ka dy anë të medaljes kjo situata. Njëra anë ka të bëjë me ekzistencën e partive që janë bishti i politikës siç është AKR-ja dhe individë që e quajnë veten alternative dhe kjo e dëmton në përgjithësi kualitetin e demokracisë sepse siç shihet ata bëhen faktorët kyç për te determinuar se kush mund ta bëjë qeverinë dhe kjo e zbeh idenë e demokracisë dhe rëndësinë e votës. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të kontrabanduar nga Enver Hasani që e ka përlloçur gjithë situatën, duke krijuar hapësirë të madhe manovrimi për PDK-në dhe në këtë situatë vendimi i AKR-së e ka nxjerrë vendin nga situata a bllokadës së plotë. Gjithsesi është situatë e një qeverisje shumë fragjile dhe vështirë të menaxhohet me kohezion në veprime, por mbetet të shohim”, ka deklaruar Abazi për “Bota sot”.

Pas kësaj marrëveshje pritet edhe thirrja e seancës për konstituimin e institucioneve, për të cilën ende nuk dihet se kur do të mbahet./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat