Premtuan sigurinë e bujqve, tani i lanë në duar të serbëve

Politika

Premtuan sigurinë e bujqve, tani i lanë në duar të serbëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 shtator 2017 Në ora: 09:43
Ramush Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore

Ministria e Bujqësisë tashmë në rast të formimit të qeverisë së re do t’i takojë Listës serbe.

Kjo ministri ishte pikërisht çështja e cila i ka bërë përfaqësuesit e koalicionit PAN dhe AKR-së të qëndrojnë deri në orët e vona të natës për të negociuar me Listën serbe, pasi që kjo e fundit kërkonte me çdo kusht ta merrte ministrinë e Bujqësisë, në të kundërtën nuk do ta votonte qeverinë Haradinaj.

Sipas marrëveshjes së të hënës,  të nënshkruar në mes koalicionit PAN dhe AKR-së, Ministria e Bujqësisë, i takonte AKR-së, mirëpo dje pas disa orësh negociata AKR-ja kishte pranuar të heq dorë nga kjo ministri.

Në premtimet para zgjedhore, sektori i bujqësisë ka qenë “cak” kryesor i krerëve politikë, duke bërë edhe premtimet “astronomike” për këtë sektor që tani do t’i takojë serbëve.

Kandidati për Kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, kishte premtuar se do t’i qëndrojë afër bujkut të Kosovës dhe qeveria e re nuk do t’i mbetet borxh bujqve të Kosovës.

“E kemi obligim me i dal në krah bujkut të Kosovës! Bujqit e Rahovecit, bujqit e Kosovës nuk do të jenë vet. Do të rrimë afër njëri-tjetrit dhe kemi me punuar bashkë për të gjithat. Për politikat, legjislacionin dhe veprimet konkrete që duhet të merren në mënyrë që ta zhvillojmë bujqësinë, ta mbrojmë e promovojmë produktin vendor – bereqetin e Kosovës” kishte shkruar Haradinaj në Facebook-un e tij në kohën e fushatës.

Haradinaj kishte shkruar se bujqit do të ndjehen të sigurt.

“Qeveria e re nuk do t’i mbetet borxh bujqëve të Kosovës. E kemi për obligim me i dal në krah bujkut të Kosovës. Po i vjen fundi kohës kur bujku i Kosovës jeton dhe punon në ankth. Bujqit do të ndjehen të sigurt. Ky është një premtim që do ta bëjë realitet” kishte shtuar Haradinaj.

Premtim për bujqësi kishte dhënë edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli para se të nënshkruante marrëveshje me serbët për Ministrinë  e Bujqësisë kishte thënë se programi i tyre bazohej në dy shtylla kryesore: bujqësinë dhe shërbimet.

Sipas Pacollit, bujqësia po degradohet çdo ditë e më shumë.

“Programi ynë qeverisës është i bazuar dhe i argumentuar duke filluar nga administratë e reduktuar derisa shtyllë kryesore e zhvillimit të Kosovës i ka dy shtylla: bujqësinë dhe shërbimet. Shikojini tokat djerrinë dhe shikoni si degradohen lumenjtë, tokat bujqësore. Thjesht ka munguar qasja pozitive ndaj kësaj dukurije. AKR ka një strategji rreth privatizimit dhe do të verifikohet çdo tokë që është shitur ose blerë” ka thënë Pacolli.

Premtimet për sektorin e bujqësisë ishin dhënë edhe nga kryetarët e PDK-së dhe NISMA-s.

Fatmir Limaj premtoi 400 milionë euro investime vetëm në sektorin e bujqësisë, kurse Kadri Veseli kishte thënë se do ta dyfishonte buxhetin për këtë sektor.

 “Ne kemi pas një buxhet prej 58 milionë euro ndërsa, pas 11 qershorit do ta dyfishojmë buxhetin për orientim në bujqësi, për arsye se për të investuar në bujqësi, punësojmë të rinjtë tanë, fuqizojmë importet nga jashtë e gjithashtu edhe rrisim eksportin”, ishte shpreh Veseli.

Veseli  ka dhënë edhe një premtim goxha të madh për sektorin e bujqësisë.

“62 % e popullsisë sonë jetojnë nëpër fshatra dhe ne do të orientohemi nga bujqësia, nga fermat. E ardhmja e Kosovës është në bujqësi. Buxheti për bujqësi do të dyfishohet. Grantet do të rriten, subvencionet do të rriten. Do të ndihmohen edhe nga fatkeqësitë natyrore, që të mos shikojnë vetëm nga qielli”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat