“Vetflijimi i rrejshëm” i Kadri Veselit për Ramush Haradinajn

Politika

“Vetflijimi i rrejshëm” i Kadri Veselit për Ramush Haradinajn

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 shtator 2017 Në ora: 22:25
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Kadri Veseli do të heqë dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në rast se mandatari për kryeministër, Ramush Haradinaj, nuk arrin të zgjedhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vet Veseli, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që seanca për themelimin e Qeverisë së re të mbahet nesër nga ora 16:00.

Veseli është shprehur i bindur se “Kosovën nuk do ta udhëheqë askush tjetër”, përpos koalicionit PAN-AKR-Lista Serbe.

“Kosovën nuk do ta udhëheqë askush tjetër pos nesh. Nuk është mirë me rrit ndikimin e Listës Serbe dikush për poena politikë. Unë nuk do të jem kryetar Kuvendi nëse Ramush Haradinaj nuk është kryeministër”, ka thënë Kadri Veseli.

Por, deklaratën e tij, analisti Hidajet Ahmeti, e ka quajtur “politike, jo parimore dhe jo burrërore”. Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklarata e Veselit, nuk ka kurrfarë peshe politike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Duhet me pas parasysh se deklarata e Kadri Veselit,  është një deklaratë politike, e cila në bazë të rrethanave të reja politike, nuk ka kurrfarë peshe politike, parimore e aq më pak burrnore. Kurse në anën tjetër reale, kushdo që udhëheq me pozitën e të parit të Kuvendit pa qeverinë e të njëjtit koalicion udhëheqës, nuk ka rëndësi shumë të madhe politike. Veselit më shumë i duhet një Qeveri, e cila kontrollohet nga partia e tij se sa pozita e të parit të Kuvendit”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka thënë se qeveria Haradinaj do të jetë vazhdimësi e qeverisjeve të kaluar, ndërsa lideri i AAK-së, “instrument i partisë-shtet, PDK-së”.

Ndërkaq, për Veselin, analisti Hidajet Ahmeti, ka vlerësuar se qëllimi i tij është “vetëflijimi i rrejshëm”.

“De jure, potencialisht do të kemi një Qeveri  Haradinaj, por de facto Qeveria Haradinaj do të jetë një vazhdimësi e qeverisjeve të kaluara, pasi që në fuqinë politike të AAK-së, Haradinaj do të jetë një instrument i partisë-shtet PDK-së. Gjykoj se në këtë rast, në  rrethanat e reja politike deklarata e Veselit nuk asocion me “altruizmin politik”, por më shumë ka të bëjë më një deklaratë politike cila  ka si për qëllim një lloj “vetëflijimi të rrejshëm” e cila mund t’ju servohet opinionit publik”, ka thënë Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat