“Bizneset e paligjshme, si po e shtrin Thaçi “autoritetin” e tij tek Lista serbe”

Politika

“Bizneset e paligjshme, si po e shtrin Thaçi “autoritetin” e tij tek Lista serbe”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 shtator 2017 Në ora: 10:24
Presidenti Hashim Thaçi

Ditë më parë është arritur marrëveshja ndërmjet koalicionit PANA dhe Listës serbe, kjo “falë ndihmës” së presidentit të Kosovës Hazhim Thaçi. Kështu u përfol të pakten nëpër media. Sipas ekspertëve politikë. kjo është arritur për shkak të marrëdhënieve të mira të Thaçit me  presidentin serb Aleksandër Vuciq.

Image
Faik Krasniqi

Ndikimi i Thaçit përmes Vuçiqit

Analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se nëse presidenti kryen një veprim bllokues si në rastin kur ka deklaruar se nuk do të mandatojë kandidatin për kryeministër  nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, atëherë duhet që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për të zhbllokuar situatën.

“Në rast se presidenti do të kryente një veprim bllokues dhe të insistonte vetëm në partinë e parë, përkatësisht në ish-patinë e tij, PDK-në, ashtu edhe tha në prononcimet e tija mediatike që nuk do ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër, atëherë pa dyshim që faktori ndërkombëtar do të mobilizohej dhe përmes presionit të vet do të përpiqej që ta zhbllokonte situatën në të cilën ishim. Këtë e kemi parë ne në rajon dhe shumë vende të tjera ku demokracia ka qenë e brishtë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka thënë se Thaçi ka ndërhyrë përmes presidentit Aleksandër Vuçiq, me të cilin ka nënshkruar marrëveshje në dëm të shqiptarëve e në favor të serbëve.

“Prandaj erdhi në shprehje edhe ndërhyrja e Presidentit Thaçi, duke e bindur me favore të panumërta Listën Serbe për t'u bërë pjesë e kësaj Qeverie. Normal që atë ndërhyrje e ka bërë përmes  presidentit serb Vuçiq, sepse dihet raportet e mira mes tyre dhe nënshkrimet e shumta që i bëri tashmë presidenti Thaçi në favor të Serbisë. Ky është shkaku i ndikimit të Thaçit ndaj serbëve, nënshkrimet e shumë marrëveshjeve në dëm të shqiptarëve dhe në favor të serbëve dhe shtetit serb”, ka thënë Krasniqi.

Image
Nexhat Haziri

Bizenset e Thaçit me serbët

Ndërsa, analisti tjetër, Nexhat Haziri ka thënë se presidenti Thaçi i ka interesat e tij së bashku me klanin e tij në koalicionin në mes të PAN-it, Begjet Pacollit dhe Listës Serbe.

“Është thënë edhe më herët por edhe nga shumë njohës të proceseve politike ne vend, se ky koalicion qeverisës në mes PAN-it, Begjet Pacollit dhe Listës Serbe, është koalicion i interesave të ngushta të liderëve të caktuar, dhe natyrisht Thaçi, presidenti i vendit, ka po ashtu interesat e veta dhe të klanit të tij”, ka theksuar Haziri.

Më tutje, ai ka thënë se privilegjet e kanë shtyrë Thaçin që të bëhet pjesë e negociatave dhe se Lista serbe do të ndjekë agjendën anti shtetit të Kosovës.

“Ruajtja e këtyre privilegjeve e ka shtyer  edhe vetë Thaçin që të bëhet palë në këto negociata në mes subjekteve të lartëpërmenduara për të arritur një marrëveshje për të qeverisur Kosovën në këtë mandat. Këta e kanë kuptuar se vetëm të qenit e tyre në pushtet, mund të ndërtojnë një mburojë për bizneset e tyre të paligjshme dhe veprimtaritë e tyre kriminale dhe përmes aparatit të shtetit edhe më tutje t’i mbrojnë këto biznese dhe mundësisht edhe t’i rrisin ato. Në këtë aspekt, natyrisht se Lista Serbe po përfiton dhe do të ketë një rol shumë vendimtar në zhvillimet e mëtutjeshme të vendit, natyrisht se ky subjekt politik i formuar dhe i dirigjuar nga Beogradi zyrtar do të ndjekë agjendën anti shtetit të Kosovës. Ndërsa sa i përket se si po arrin këtë ndikim Thaçi të serbët, kjo vie ngase marrëdhëniet biznesore që kanë njerëzit dhe kompani të afërta me presidentin, me biznesmen serb, sidomos me ata të pjesës veriore të Mitrovicës, bëjnë që mbi këto marrëdhënie biznesi, Thaçi të ndërtojë edhe një farë lloj "autoriteti" tek serbët”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Image
Gurakuç Kuçi

“Thaçi po injorohet nga SHBA dhe BE, dëshiron të tregohet para ndërkombëtarëve”

Ndërkaq, politologu, Gurakuç Kuçi ka deklaruar për “Bota sot”  pasi u shpall pavarësia, Thaçi ka pasur marrëdhënie jo të dëmshme për Kosovën me Serbinë, por më vonë filloi rënia e tij dhe atëherë filluan edhe veprimet për interesa individuale.

“Presidenti i vendit çdo herë ka ushqyer marrëdhënie të mira me Beogradin që nga shpallja e pavarësisë e këndej, sigurisht fillet e para nuk kanë qenë aspak të dëmshme për Kosovën gjithçka është bërë në suaza diplomatike që nuk ka diçka të keqe këtu, por kur Thaçi arriti kulmin e ngritjes, dhe filloi rënia e tij, atëherë filluan veprimet komplet vetëm për interesa individuale dhe ruajtjen e fuqisë dhe imazhit të tij sidomos në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo po ndodh, sepse tani Presidenti i Kosovës është duke u injoruar pothuajse tërësisht nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“Rruga për t’u rikthyer Presidenti në faktor është nëpërmjet koncesioneve dhe dialogut me Beogradin dhe kështu tregohet edhe para ndërkombëtarëve që është i vetmi njeri në Kosovë që ka fatin e Republikës në duar dhe mund t’i shtyjë proceset përpara”, ka thënën ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka thënë se këtu lidhet edhe raporti i tij i mirë me Beogradin për ndërhyrje tek Lista Serbe dhe realizimi i marrëveshjes për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë.

“Gjë që sa nuk janë këto veprime të Presidentit të mira për Kosovën, aq nuk është e mirë edhe Lista Serbe dhe lejimi i fuqizimit të mëtutjeshëm të saj”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat