Qeveria në duar të Vuçiqit, Kosova rrezikon të shpërbëhet

Politika

Qeveria në duar të Vuçiqit, Kosova rrezikon të shpërbëhet

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 shtator 2017 Në ora: 07:24
Qeveria e re e Kosovës

Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës e cila lëshoi sallën, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn.

Por, Qeveria Haradinaj u zgjedh vetëm pas bekimit që mori ne Beograd, ku deputetët e Listës Serbe kish qëndruar deri në momentet e fundit, e ku deputetët e Kuvendit të Kosovës qëndruan në pauzë afër 2 orë duke pritur që ata të kthehen nga Beogradi. Qeveria e sapoformuar është kritikuar ashpër, ku ajo ka rritur edhe më shumë ndikimin e Beogradit përmes Listës Serbe në Kosovë. Sipas analistëve dhe partive politike, kjo qeveri nuk do të jetë jetëgjatë.

Qeveria Haradinaj, shef edhe Aleksandar Vuçiq

Image
Bajram Gecaj

Zv/ Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj duke folur rreth asaj se sa mund të këtë sukses në qeveri PAN dhe AKR dhe sa mund të jetë kohëzgjatja e tyre ka thënë se kjo qeveri, do të jete qeveri kolektive me disa shefa, duke përfshirë edhe Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, kjo qeveri do të jetë vazhdimisht në margjinat e votave dhe nuk do të mund të realizojë asgjë të rëndësishme.

“Do të jetë plotësisht e varur nga Serbët dhe Serbia. Ne do ta luftojmë me të gjitha mjetet demokratike. Prandaj edhe i dhanë Ramush Haradinajt edhe njëqindtësh afat optimal,” ka thënë Gecaj.

Qeveria e mbështetur nga Beogradi

Image
Sadri Ramabaja

Ndërsa, anëtari i VV-së profesor Sadri Ramabaja duke folur për kohëzgjatjen në mes PAN dhe AKR-së dhe Listës Serbe, dhe sfidat me të cilat do të përballet kjo qeveri dhe sa do të ketë sukses një qeveri e tillë ka thënë për “Bota sot” se janë mbledhur një konglomerat bandash që na paraqiten si "parti politike" të ngritura mbi parimet e mendësisë feudale mesjetare të gërshetuar me kontestin e egos së mafias politike të tipit sicilian. Sipas tij, nuk ka mundësi të dëshmohet e "suksesshme" as në sytë e injorancës politike dhe grupeve të interesit e tru shpëlarëve që i kanë votuar.

Sipas tij, kjo kuaziqeveri që është krijuar nga PANA + Lista Serbe do të ballafaqohet me po të njëjtat sfida si edhe qeveria pararendëse, plus vetëdijen politike më të zgjuar të qytetarisë sonë.

“Pikërisht për këtë jetëgjatësia e saj duhet të jetë tepër e shkurtër. Sa më e shkurtër të jetë jetëgjatësia e saj, aq më shpejtë çlirohet Republika nga kjo bandë që po vjen në pushtet, për fat të keq, e mbështetur nga Beogradi dhe aleatët e tij”, ka thënë Ramabaja.

Shteti në krizë të thellë

Image
Fadil Lepaja

Analisti politik Fadil Lepaja duke folur rreth asaj se janë sfidat me të cilat do të përballet kjo qeveri, dhe sa do të mund të jetë kohëzgjatja e saj, ka thënë për “Bota Sot”, se kjo qeveri do të ketë "sukses"  aq sa kishin tri qeveritë e mëparshme.

Sipas tij, sfidat mbetën të njëjta dhe për ta do të ishte e dëshirueshme që të zgjas pak a shumë sa kjo e fundit, pra që para skadimit të mandatit të gjendet fajtori te opozita dhe të shpallen të jashtëzakonshmet.

“Faktori ndërkombëtarë u pajtua edhe më një mandat ngecje dhe probleme sikurse edhe herën e kaluar, sepse Kosova ende nuk është prioritet, ose thënë edhe më saktë, tashmë nuk është prioritet dhe kam frikë se janë pajtuar me ekzistimin e krizës permanente, të kontrolluar e cila do të arsyetonte fondet dhe pretencën e shtuar të sigurisë”, është shprehur analisti politik Lepaja.

Kurse, analisti politik Skender Zogaj, ka pohuar se situata në të cilën po kalon Kosova është tepër e rëndë dhe madje e rrezikshme, sepse shteti i ri i sapo formuar, është në krizë të thellë dhe i kërcënuar të shpërbëhet.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, askush më nuk e ka të qartë se çfarë po ndodh, sepse gjithçka është e kapur nga struktura të fshehta që, pak nga pak po ia rrjepin lëkurën pavarësisë dhe po e ngulfasin lirinë, aq sa njerëzit e kanë humbur krejtësisht besimin dhe ndjehen të frikësuar për të nesërmen.

“Në këto rrethana, kushdo që të qeverisë, e ka vështirë të shënoj kthesë pozitive, sepse, ka ndodhur degjenerim i madh politik që është i pashërueshëm. Qeveria PAN-AKR është qeveri e zorit e sajuar nga përbërje partiake totalisht të kundërta e me shumë "mish të egër" përbrenda, që do të jenë të pa menagjuese. Sidomos e rrezikshme do të jetë lista srpska, që ka me i sjellë nokdaunë shkallmuese Qeverisë Haradinaj, vullneti i mirë i të cilit, edhe pse është tepër i madh për punë, ka me pas ballafaqime sizifiane. Pra edhe opozita ka me qenë shumë e rrezikshme prandaj, gjasat janë që kjo qeveri të mos mund të qëndroj deri në fund të mandatit të saj”, ka thënë Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat