Me çfarë e shantazhoi “sekseri” Gashi Ramush Haradinajn për t’ia marrë 10 përqind të Qeverisë?

Politika

Me çfarë e shantazhoi “sekseri” Gashi Ramush Haradinajn për t’ia marrë 10 përqind të Qeverisë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 shtator 2017 Në ora: 07:20
Dardan Gashi

Dardan Gashi është ministri që ka shëtitur më së shumti parti politike në karrierën e tij ministrore në Kosovë. Ramush Haradinaj e emëroi atë si zëvendëskryeministër dhe ministër të Diasporës Dardan Gashin. I ardhur nga Austria si “përforcim” i LDK-ë (është pështjellë nëpër zyrat e LDKsë në fillim) më pas, bashkë me miqtë e tij Bujar Bukoshin e Astrit Haraqinë formuan “Listën Rugova”.Me Listën Rugova bënë koalicion me AAK-në, duke ia kthyer shpinën LDK-së. Por menjëherë pas hyrjes në Kuvend të Ukë Rugovës, si kandidat i Listës Rugova, Uka kaloi në GP të PDK-së dhe Dardani u bë ministër i Ambientit e Planifikimit Hapësinor. Kur e prishën Listën Rugova Dardan Gashi garoi si kandidat i AKR-së së Behgjet Pacollit.

Dardan Gashi doli përsëri në skenë dhe u bë “sekser i Ramushit” dhe tani është ministër i Diasporës.

Njohësit e çështjeve politik vlerësojnë se Dardan Gashi është zëdhënës i një bande kriminale në Kosovë e cila ka lidhje të forta edhe me të huajt. Sipas tyre, kjo bandë merret kryesisht me viza, me shpëlarje parash dhe forma të tjera të shantazhit, duke përfituar kështu miliona të tërë. Ata vlerësojnë se në mungesë të shtetit, Kosova udhëhiqet nga nëntoka, nga njerëz të krimit dhe oligarkët.

Analisti politik Faton Mehmeti  duke folur rreth asaj se përse Ramush Haradinaj e emëroi si zëvendëskryeministër dhe ministër të Diasporës Dardan Gashin, dhe se çfarë e ka bërë kaq të rëndësishëm për koalicionin PAN sekserin Gashi, ka thënë për “ Bota Sot” Dardan Gashi është zëdhënës i një bande kriminale në Kosovë e cila ka lidhje të forta edhe me të huajt.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo bandë merret kryesisht me viza, me shpëlarje parash dhe forma të tjera të shantazhit, duke përfituar kështu miliona të tërë.

“ Të gjithë e dimë se Dardan Gashi së bashku me Astrit Haraqinë dhe Ukë Rugovën, përdorin politikën për të pasur më të lehtë qarkullimin e mallrave që hyjnë pa doganë dhe arritjen e qëllime tjera. Pra Dardan Gashi, nëse do të kishte shtet siç ishte dashur të ketë do të duhej menjëherë të merret në pyetje nga prokuroria për të zbuluar të gjithë lidhjet e tija me krimin dhe rolin e tij në manipulimin që bën .Por në mungesë të shtetit, Kosova udhëhiqet nga nëntoka, nga njerëz të krimit dhe oligarkët”, ka thënë analisti Mehmeti.

 Ai ka theksuar se avancimi i Dardan Gashit në postin e zv/ kryeministrit dhe ministër, tregon më së miri forcën që ka ky njeri së bashku me bandën e tij, të lidhur me SHIK-un. “Këta njerëz planifikojnë çdo gjë që hyn dhe del në Kosovë, sepse këta janë shndërruar në banda që e kanë shtetin e tyre. Kosova është shtet i bandave të Dardanit, Ukës, dhe SHIK-ut, dhe kjo është e vërteta. Është për të ardhur keq që djali i Presidentit historik, arkitektit dhe babait të Kosovës të merret me punë të pista. Këta shantazhuan Teutën për të votuar PAN-in këta i bane në qaf kujtdo që iu duhet për interesa të tyre. Përveç një ministri që është Rrustem Berisha, të tjerët të gjithë përfaqësojnë klanet dhe grupe të interesit, të lidhura me krimin dhe janë  në shërbim të krimit. Andaj me plot bindje mund të them se mjerë Kosova, në duart e kujt ka mbetur”, ka thënë analisti politik Faton  Mehmeti.

Ndryshe politologu Faik Kransiqi ka pohuar se Dardan «enigmatiku»po tregon se në këto situata është më i zhdërvjellëti dhe nuk është hera e parë që bëhet kjo. Ai ka theksuar se emërimi i Dardan Gashit si zëvendëskryeministër dhe ministër të Diasporës, tregon fuqinë e tij misterioze që ka në skenën politike.

Image
Faik Krasniqi

“Kjo është dëshmia më e mirë se në Kosovë Qeveritë dhe postet jepen në bazë të pazareve të pista politike që bëhen, pavarësisht se z.Gashi nuk ka fituar asnjë votë nga qytetari. Madje as nuk është e asnjë partie politike. Thjesht është pjesë e një ‘’liste’’ inekzistente. Kam bindjen se ‘’fuqia’’ e Dardan Gashit tek liderët e Kosovës, ku shumica e qeverive nuk është bërë pa qenë pjesë edhe ai, ka të bëjë me bizneset misterioze që kanë këta politikanë. Jo më kot në opinion nuk quhet edhe Dardan sekseri. Por edhe kjo Qeveri me 21 ministri, sikurse Qeveritë e mëhershme, është mentalitet tipik i vendeve te prapambetura, të korruptuara e degraduara ku qytetari s’ka vlerë, por veç paraja e tij në formë takse që e përvetësojnë qeveritarët për xhepat e tyre. Turp, mjerim për popullin”, është shprehur politologu Krasniqi.

Lirim Zora ligjërues në Kolegjin ISPE, duke folur edhe rreth asaj se si mund të marrë Dadan Gashi  dy poste dhe 10% të Qeverisë Haradinaj, edhe pse nuk ka fituar asnjë votë nga qytetari dhe nuk ishte i inkuadruar në asnjë parti politike, ka thënë për “ Bota Sot” se ky emrëim është bërë për shkak se ai ua sigurojë votën koalicionit.

Image
Lirim Zorra

“Shkurt e shqip Dardan Gashi ua siguroj një votë Koalicionit PAN dhe ndihmojë  afrimin e AKR me PAN, andaj një shpërblim për klanin UDA (Ukë, Dardan dhe Astritin) ishte i nevojshëm për falënderim dhe mundin që kanë bërë këta persona për lehtësimin e krijimit të qeverisë. Klani UDA përfaqësuesin publik dhe politik e ka Dardan Gashin i cili ka negociuar me Ramush Haradinaj dhe PAN për votën e Teuta Rugovës andaj nuk duhet parë individi si sekser por si pjesë e një klani politik dhe ekonomik i cili synon ruajtjen e privilegjeve dhe përfitimeve ekonomike të cilat i kanë ky grup dhe miqtë e tyre. Prandaj unë nuk e shoh si individ  atë, por si pjesë e atij klani i cili përfaqësohet në publik e politikë përmes Dardan Gashit”, është shprehur Zorra.

Ndryshe analisti Nexhat Haziri, thotë se mos të harrojmë se sekseri Dardan Gashi, ishte ai që së bashku me Ukë Rugovën, kontrabanduan votën e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova drejtë koalicionit PAN, si dhe po ashtu rroli i sekserit Gashi, ishte i rëndësishëm edhe në drejtim të AKR-së, dhe këto poste janë shpërblim për këtë aktivitet të ndyrë të tij dhe Ukë Rugovës.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij marrja e dy posteve atë të z/kryeministrit dhe ministrit për Diasporë, e sekserit Dardan Gashi, pa pasur asnjë votë nga qytetari, tregon qartë se kjo qeveri është qeveri kriminelësh, hajdutësh dhe sekserësh të ndryshëm që kanë objektiv ruajtjen e interesave të tyre mafioze dhe te klaneve që këta përfaqësojnë.

“Me këto ndarje postesh për sekserin Gashi, është si një lloje garance që ky i fundit i ka dhënë Ramush Haradinajt, se vota e Teuta Rugovës nuk do të bëjë ndonjë lëvizje jashtë PAN-it. Ndërsa përtej kësaj është edhe qëllimi për ngjalljen e të ashtuquajturës «Lista Ibrahim Rugova» me qëllim për ta dëmtuar LDKnë, dhe eventualisht kjo listë do të tentoj që të kontrabandoj edhe ndonjë deputetë të mundshëm nga radhët e grupit parlamentar të LDKsë, dhe po ashtu tani kur po afrohen zgjedhjet lokale, të krijoj përqarje në elektoratin e LDK-së, për ti mundësuar që një pjesë e votave të këtij elektorati t’i shkoj AAK-së në komunat ku kjo e fundit e sheh vetën si favorite për të fituar. Se sa do t’ia arrisin këtij qëllim mbetët për tu parë, por gjithsesi se do të tentojnë për një gjë të tillë», ka thënë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat