Dardan Molliqaj: E dimë se kush i ka në duar dosjet e SHIK-ut, ja paralajmërimi për Kadri Veselin

Politika

Dardan Molliqaj: E dimë se kush i ka në duar dosjet e SHIK-ut, ja paralajmërimi për Kadri Veselin

Nga: Bota sot Më: 13 shtator 2017 Në ora: 09:37
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj. Foto: Bota Sot

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe për iniciativën e formimit të një komisioni që do ta hetonte punën e Ish-shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe figurën e Kadri Veselit, si shef të saj.

Molliqaj ka thënë se duhet që të bëhet publike baza ligjore e funksionimit të SHIK-ut, financat dhe vendndodhja e dosjeve, për të cilat ka thënë se dyshohet se po mbahen privatisht.

“Në dy mandatet ka pasur iniciativë për ta hetuar SHIK-un dhe ne besojmë se një komision hetimor parlamentar do të kryente një punë të rëndësishme sepse do të pyeste për tri gjera të rëndësishme dhe të cilat do të krijonin hapësirë të mjaftueshme për intervenim të prokurorisë dhe gjyqësisë, pastaj aty janë baza ligjore e funksionimit të SHIK-ut që duhet të behet publike, pastaj financat se nga kush janë financuar dhe ku kanë shku financat dhe dosjet, ku janë ato dosje. Nëse ky shërbim ka funksionu ka pas mbledhje të informacionit ku janë dosjet a janë dorëzuar në AKI apo është duke i mbajtur dikush privatisht siç ne kemi informacion se ato dosje mbahen diku privat dhe të trija këto përbejnë shkelje të ndryshme”, ka deklaruar deputeti i VV-së.

Sipas Molliqajt, në rast se Veseli nuk është në gjendje që të përgjigjet për këto tri gjëra, VV me ndihmën edhe të LDK-së do të marr iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve në lidhje me komisionin që do të hetojë atë për këtë çështje.

“Nëse Kadri Veseli dhe zyrtarë të tjerë të SHIK-ut janë gati më argumentu ligjshmërinë e këtyre triave, nëse jo atëherë hapet një diskutim të cilin tashmë edhe publiku e di, sepse tashmë ata kanë të obliguar më ardh më u përgjigj në komisionin hetimor. Por grupi parlamentar i Vetëvendosjes ende nuk ka marr vendim për ketë, por jam qind për qind i bindur që shumë shpejt do të marrim një iniciativë si LëvizjeVvetëvendosje dhe si grup parlamentar. Shpresoj kësaj here që LDK ka më i jep nënshkrimet për një gjë  të tillë edhe pse ne i kemi 32 deputetë, por neve na duhet 40 nënshkrime, respektivisht për të formuar komisionin hetimor. Besoj fuqishëm që edhe për shkak të presionit publik dhe vullnetit personal të disa deputetëve, për herë të parë në këtë mandat do të arrijmë t’i sigurojmë numrat e nevojshëm për të filluar hetimin dhe krijimin e një komisioni hetimor”, është shprehur Dardan Molliqaj në intervistën për “Bota sot”.

Molliqaj ka theksuar se VV ka informata që dosjet e SHIK-ut mbahen privatisht nga njëri nga zyrtarët e kësaj organizate kriminale, por jo nga Kadri Veseli.

“Prej informatave që ne i kemi dhe normalisht janë vetëm informata dhe nuk janë të kualifikuara edhe sigurisht që nuk guxoj të lëshohem në informata të pa kualifikuara është që dosjet mbahen privatisht nga njeri prej zyrtareve të SHIK-ut jo Kadri Veseli por një njeri tjetër. Ajo që na nuk e dimë është se ku janë këto dëshmi, sepse ne kemi informata se janë diku, por kjo është pak e rëndësishme sepse ne duam ti pyesim ata në rruge zyrtare në komision hetimor se ku janë këto dosje dhe ata do të përgjigjen për këtë. Unë jam shumë i bindur se ato dosje nuk janë dorëzuar në asnjë institucion sepse nuk ka pas bazë ligjore të funksionimit të SHIK-ut dhe nuk ka pas as raportim zyrtar dhe as financim zyrtar kështu që rrjedhimisht gjithçka ka qenë legale dhe më mbylljen e syve të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, ka shtuar deputeti i VV-së, Molliqaj./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat