Zafir Berisha tregon kush qëndron prapa decertifikimit të tij

Politika

Zafir Berisha tregon kush qëndron prapa decertifikimit të tij

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 shtator 2017 Në ora: 12:32
Zafir Berisha

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën ka hedhur akuza të rënda në drejtim të presidentit Hashim Thaçi dhe bandave të tij, siç i ka quajtur ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për de certifikimin e 86 kandidatëve për asamble komunale. Në mesin e këtyre kandidatëve është edhe kandidati i Nismës për Kosovën, kandidat për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha.

Decertifikimin e tij, Berisha e ka quajtur skenar të përgatitur nga Thaçi, duke thënë se “bandat e tij”, kanë pasur frikën se ai do të fitojë Komunën e Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit.

Në një prononcim për “Bota sot” Berisha ka thënë se vendimi ndaj tij është politik dhe i përgatitur nga Thaçi.

“Pa diskutim se ky është një skenar i përgatitur nga bandat mafioze të prirura nga Hashim Thaçi, sepse unë deri më tani edhe e kam bërë publike dhe më shumë keqardhje këtë. Ja ku e kemi kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxherin, që ka dënim shumë më të madh që lidhet direkt më pozitën zyrtare dhe që as që është diskutuar. Më një fjalë, është kryekëput vendim politik dhe për me iu lehtësua gara klanit Pronto në Prizren”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, e  keqja më e madhe e këtij vendi është Hashim Thaçi.

“E keqja më e madhe e këtij vendi është Hashim Thaçi, natyrisht është një zingjir i tërë i klanit që nuk përjashtohet, edhe një pjesë e ndërkombëtareve që janë pjesë e këtyre bandave, sepse natyrisht janë pjesë e kësaj zhvatje që po ndodh meqë edhe ata kanë qenë e presionit ndaj Valdete Daka nga KQZ, të cilët nuk i kanë bërë presion para tre mujave, por tani sepse ata janë klan që vjedhin bashkë, ndërkombëtarët dhe Hashim Thaçi. Roli i KQZ-së ka qenë kukull në këtë drejtim, kukull e bandave të Hashimit dhe bandave, sepse Thaçi është njeri nga kryebanditët, por KQZ në këtë rast ka qenë kukull e krimit të organizuar. Të gjithë ata që janë duke e vjedhë Kosovën dhe që mendojnë të vazhdojnë të vjedhin Prizrenin ende si deri më tani janë bandë dhe ashtu veprojnë”,  është shprehur ai.

Berisha ka qenë i bindur në fitoren e tij në Prizren.

“2 milion përlind jam i bindur se do të fitoja në Prizren, sepse të gjithë më besojnë dhe gjitha sondazhet kanë treguar se do të isha fitues”, ka shtuar ndër të tjera Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.

Ai ka thënë se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe të drejtësisë, duke e dërguar vendimin e KQZ-së në Gjykatë Supreme e Kushtetuese e ku të jetë nevoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat