Qeveria pa program qeverisës, dëshmi për mos angazhim dhe seriozitet - Bota Sot
Qeveria pa program qeverisës, dëshmi për mos angazhim dhe seriozitet

Politika

E shtunë, 18 nëntor 2017

Qeveria pa program qeverisës, dëshmi për mos angazhim dhe seriozitet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 shtator 2017 Në ora: 16:30
Ramush Haradinaj

Haradinaj ka treguar vetëm emrat e ministrave të kabinetit të tij, ndërsa pas prezantimit të emrave, ai ka folur shkurt për qeverisjen e ardhshme të tij dhe më gjatë u ndalë në gjendjen e keqe në të cilën, sipas tij, ndodhet Kosova. Haradinaj u bë kryeministri i parë i zgjedhur që nuk ka shpalosur planet e qeverisë së tij, ndërsa njohësit e çështjeve juridike thonë se kjo nuk përbënë shkelje të kushtetutës, por tregon mos angazhimin dhe mos seriozitetin e qeverisë. Sipas tyre, Haradinaj  dhe ekipi i tij kanë pasur mjaftueshëm kohë për ta përgatitur planin qeverisës.

Image
Mazllum Baraliu

Njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Bota sot” se mos prezantimi i programit të plotë qeverisës nuk ka shkelje kushtetuese, por është diçka që flet për mos angazhimin dhe mos seriozitetin e kësaj qeverie. “Ka treguar një plan veprimi i cili bazohet në parime, dhe ky është një plan paraprakisht. Ai ka premtuar edhe para deputetëve që në ndërkohë, shumë shpejt do ta përgatisë programin e plotë të qeverisë dhe atëherë do ta prezantojë për diskutim dhe miratim në parlament. 

Kështu, nuk ka ndonjë shkelje kushtetuese, por është diçka që flet për  mos angazhimin, për të mos thënë për mos seriozitetin e kësaj qeverie” ka pohuar Baraliu. Sipas tij, Haradinaj me ekipin e tij ka pasur mjaftueshëm kohë, madje tepër kohë që ta përgatitë një program qeverisës, në mënyrë që të prezantohet në seancën e parë të krijimit. “Ka pasur mjaftueshëm kohë, aq shumë kohë, madje tepër prej momentit të zgjedhjeve që është caktuar si mandatar i koalicionit më të madh për Kryeministër. Ka mundur që në këtë ndërkohë ai dhe ekipet e tij ta përgatisin një program dinjitoz të qeverisë, i cili është dashur të jetë edhe i prezantuar ditën e parë, pra në seancën e krijimit të qeverisë. Mirëpo, ja që ky është mentaliteti dhe traditë e jona të themi që gjërat të bëhen në këtë pjesë dhe në këtë rast nuk ka shkelje të kushtetutës, por do të ishte më mirë për qytetarët, më komepntete që ta ofrojë një program të mirëfilltë, të bazuar në argumente, në parametra shkencorë dhe profesionalë të realizueshëm për veprimi e qeverisë në mandatin 4 vjeçar” ka shtuar Baraliu.

Image
Lirim Zorra

Kurse, edhe profesori Lirim Zorra ka thënë se në aspekte kushtetuese nuk është e obliguar paraqitja e planprogramit. “Në aspekte kushtetues nuk është  e obliguar  paraqitja e plan-programit, kushtetuta tregon mënyrën e zgjedhjes së qeverisë dhe fushëveprimtarinë andaj nuk mund të  jetë shkelje e kushtetutës, sigurisht deputetët mund të kërkonin shtyrjen e seancës deri në paraqitjen e një planprogrami qeverisës. Mirëpo,  duke e njohur mendësinë e deputeteve të Kosovës, ata votojnë në parimin e partisë  dhe të kryetarit, andaj vetëm deputetët kishin mundur të kërkojnë nga kryeministri i ri qe qeveria nuk votohet në rast se nuk paraqet planprogram” ka pohuar Zorra.

Sipas tij, ka qenë e pritur që nuk do të kishte një planprogram, pasi që partneriteti PAN nuk kishte kauza dhe politika të përbashkëta. Ai ka shtuar se nuk beson që do të ketë një program real, tekst me dëshira mund të ketë, por jo diçka reale.

“Kjo ishte e pritur  që ky partneritet i PAN nuk kishte kauza dhe politika të përbashkëta, mirëpo për shkak të kalkulimeve politike dhe elektorale ai koalicion u bë. Mirëpo edhe sot  ku  përveç PAN janë edhe AKR, Lista Serbe dhe Lista Rugova edhe më shume do të jetë sfiduese krijimi i një plan programi qeverisës, andaj  nuk besoj që do të kemi një plan program real,  tekst me dëshira mund të ketë, por jo diçka reale që qeveria Haradinaj mund ta bëjë, p.sh. Pacolli vetë do ta krijojë programin e Politikës së Jashtme me pak konsultime me Kryeministrin Haradinaj, po ashtu  edhe ministrat e PDK më shumë konsultohen dhe krijon program sipas bindjes së Kadrit Veselit sesa me Kryeministrin Haradinaj”, ka përfunduar Zorra.

Image
Adrian Gjoshi

Se mos paraqitja e planprogramit nuk paraqet shkelje të kushtetutës, ka thënë edhe avokati Adrian Gjoshi. Sipas Gjoshit, kushtetuta nuk ka paraparë që qeveritë përkatëse medoemos ta kenë një program formal qeverisës, megjithatë mungesa e një platform të tillë është e dëmshme politikisht. “Mosparaqitja e një programi qeverisës nga kryeministri i sapo zgjedhur Ramush Haradinaj nuk përbën shkelje të kushtetutës. Kushtetuta nuk ka paraparë që qeveritë përkatëse medoemos të kenë një program formal qeverisës. Megjithatë, mungesa e një platforme të tillë është e dëmshme politikisht. Thuajse asnjë parti politike në Kosovë nuk kërkon fitimin e zgjedhjeve përmes një politike që do t’i udhëhiqte.  

Koalicioni PANA bënë pjesë në ato parti, pra, që s’kanë program” ka deklaruar Gjoshi për “Bota sot”. Sipas tij, në mungesë të programeve politike, partitë politike bëjnë premtime abstrakte e pompoze. “Në mungesë të programeve politike, partitë politike në Kosovë bëjnë premtime abstrakte e pompoze në lidhje me zhvillimin ekonomik, liberalizimin e vizave, hyrjen në BE dhe NATO. Edhe kjo qeveri dha të njëjtat premtime; dhe kjo mjafton ta dimë se kjo qeveri do të veprojë kuturu. Kryeministri i sapozgjedhur shpalosi të ashtuquajturat ‘parime qeverisëse’, të cilat asnjëherë nuk mund ta zëvendësojnë programin e detajuar qeverisës që qeveritë normale duhet ta kenë. Edhe pse një program i tillë nuk mund të pritej duke e ditur se kjo qeveri u krijua nga parti  që qartazi janë të panatyrshme e të bashkuara në ‘minutat  e fundit’” ka  përfunduar Gjoshi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test