Dialogu Kosovë- Serbi në raport të brendshëm, do të reflektonte konsensusin e përgjithshëm shoqëror

Politika

Dialogu Kosovë- Serbi në raport të brendshëm, do të reflektonte konsensusin e përgjithshëm shoqëror

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 shtator 2017 Në ora: 19:15
Ilustrim

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do të iniciohet në  raport të brendshëm.

Kjo iniciativë është mirëpritur nga ana e ndërkombëtarëve, por  edhe nga kryeministrja e Serbisë.

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, vlerësoi sot se inicimi i dialogut të brendshëm është hap i shkëlqyeshëm, pasi që është me rëndësi që të gjitha segmentet e shoqërisë të reflektojnë mendimet e tyre për çështjet më të rëndësishme.

Scott në deklarimin për media, tha se është shumë e rëndësishme që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar fillimin e dialogut të brendshëm në të cilin shoqëria civile do të ketë rol të rëndësishëm.

Ai nuk ka dashur të komentojë epilogun dhe as përmbajtjen e dialogut të brendshëm, duke thënë se si ambasador nuk mund të flasë për çështje të brendshme, por me durim do të presë rezultatet e tij.

“Është me rëndësi që në këtë dialog të përfshihen të gjithë. Të gjitha segmentet e shoqërisë duhet të deklarohen për problemet më të rëndësishme të vendit, dhe këtu politika e jashtme dhe marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme”, ka sqaruar Scott.

Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, është pajtuar se dialogu i brendshëm është i rëndësishëm.

Kurse, Magjistri i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, ka konsideruar se natyra e këtij dialogu do të reflektonte konsensusin e përgjithshëm shoqëror.

Sipas Blakajt, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë deri më tani nuk ka dhënë rezultate konkrete, përkundrazi vetëm ka pasur përkeqësim situatash dhe tensionime politike.

Image
Sami Blakaj

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë deri më tani nuk ka dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjellta, përkundrazi jo rrallë herë kemi pasur përkeqësim situatash dhe tensionime politike, sidomos atëherë kur bëhej fjalë për arritjen e marrëveshjeve politike dhe zbatueshmërin e tyre”,  ka pohuar Blakaj për “Bota sot”.

Sipas tij, dështimet e njëpasnjëshme në procesin e dialogut me Serbinë kanë krijuar pakënaqësi dhe si të tillë kanë shtuar nevojën për dialog të brendshëm.

“Dështimet e njëpasnjëshme në procesin e dialogut me Serbinë me të drejtë kanë krijuar pakënaqësi të mëdha tek qytetarët e vendit dhe kjo pakënaqësi qytetare sigurisht që ka shtruar nevojën e domosdoshme për një dialog të brendshëm shoqëror në Kosovë, duke përfshirë këtu jo vetëm pushtetin, por edhe opozitën dhe në përgjithësi shoqërinë civile”, ka theksuar Blakaj.

Ai ka shtuar se natyra e këtij dialogu duhet të reflektojë, përndryshe nuk ka kuptim të vazhdohet tutje.

“Konsideroj se natyra e këtij dialogu do të reflektonte konsensusin e përgjithshem shoqëror që si qëllim parësor do të kishte krijimin një platforme të përbashkët e cila do t'i përgjigjej drejtëpërsëdrejti interesave qytetare. Përndryshe nuk ka kuptim të vazhdohet tutje me qasjen e vjetër të dialogut, e cila gjatë gjithë këtyre viteve më shumë ka prodhuar regres sesa progres në dialog”, ka përfunduar Blakaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat