“Qeveria më e paditur që ka pasur Kosova, Haradinaj për apetite pranoi kushtet e serbëve”

Politika

“Qeveria më e paditur që ka pasur Kosova, Haradinaj për apetite pranoi kushtet e serbëve”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 shtator 2017 Në ora: 21:34

Lista Serbe u bë pjesë e qeverisë së re të formuar ditë më parë dhe vendimtare me votat e tyre.

Por, përpos që morën tri ministri, serbët patën edhe kushte të tjera.

Një çështje shumë me rëndësi për Kosovën është formimi i Ushtrisë, ku për këtë Lista Serbe ka kërkesat e saj.

Avni Klinaku, sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se Lista Serbe ka kërkesë që të ketë një divizion brenda FSK-së në Veri të Mitrovicës, zëvendës Komandantin e FSK-së dhe zëvendës drejtorin e AKI-së.

Image
Jeton Kelmendi

Për këtë, analisti dhe profesori Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet dhe nuk do të lejohet nga opozita e cila është e fuqishme dhe që mund ta rrëzojë Qeverinë aktuale.

“Fillimisht nuk e di se a janë marrë vesh, a janë nënshkruar këto marrëveshja, këto kërkesa ekskluzive të cilat i ka Lista Serbe e që në fakt i ka qeveria e Beogradit. Nuk e di se a i ka pranuar edhe zyrtarisht kryeministri Haradinaj dhe aleatët e tij, Veseli, Pacolli e të tjerët, por jam shumë i sigurt se në rast se Haradinaj do të pranonte që të ketë shumë avantazhe për serbët në Kosovë, rastin me ushtrinë, sigurisht që këto nuk do të pranohen nga opozita, sepse opozita është shumë e fortë dhe është një fat i mirë në këtë kontekst. Unë dyshoj në Haradinajn se edhe mund t’i pranojë këto për apetite të tij joreale, të ekzagjeruara dhe mund t’i quaj edhe të ekzaltuara për të qenë kryeministër, por po them prapë se opozita nuk do ta lejojë edhe në qoftë se Haradinaj veç ka nënshkruar diçka të tillë, sepse mund ta rrëzojnë kur të duan qeverinë”, është shprehur Kelmendi.

Më tej, ai kritikon kryeministrin dhe ministrat, të cilët sipas tij janë më jo profesionalët deri tani që ka pasur Kosova.

“Kjo është qeveria më joprofesionale që ka pasur Kosova ndonjëherë, qoftë një kryeministër më të paditur, qoftë për ministra më joprofesional dhe më të paditur që i ka pasur ndonjëherë Kosova, prandaj edhe kur ia shtojmë kësaj edhe varësinë e numrave të Listës Serbe të cilët janë të dirigjuar nga Beogradi, pastaj e bën edhe më të keqe dhe më të dëmshme për Kosovën këtë qeveri. Serbët nuk duhet t’i frikësohen ushtrisë së Kosovës, sepse ata e njohin si t’ia vësh emrin por kërkojnë kushte ekskluzive dhe ato duhet plotësuar vetëm sipërfaqësisht minoritetit serb. Mjaft më me privilegje të tejkaluara, jashtëzakonisht të mëdha për minoritetet”, ka dekalruar profesori Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat