“Ndarja e Nismës nga PANA, definitive për fundin e Haradinajt”

Politika

“Ndarja e Nismës nga PANA, definitive për fundin e Haradinajt”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 shtator 2017 Në ora: 11:25
Ramush Haradinaj

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka ka konfirmuar se deputetët e Nismës tashmë do ta funksionojnë ndaras nga PAN.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se do jenë edhe pozitë edhe opozitë dhe do ta mbrojnë interesin e qytetarëve.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se rruga e tyre parlamentare, do të vazhdojë e ndarë nga PAN-i.

“Ne do të kemi qëndrime të përbashkëta, por edhe të ndara. Prej sot, do të jemi edhe pozitë por edhe opozite. Çdo propozim dhe çdo iniciativë që shkon në interes të vendit do të ketë mbështetjen e NISM-ës, në krye me zyrtarin tonë Bilall Sherifin. Këto iniciativa munden me ardhë nga çdo forcë politike, por ne do ta dëshmojmë që ne nuk jemi numra, po jemi deputet. Ne jemi zgjedhur për ta mbrojte interesin e Kosovës, interesin e qytetarëve, pastaj të Nismës e krejt në fund edhe tonin”, ka shkruar Zeka.

Image
Fadil Lepaja

Dallimet e vogla me PDK-në

Analisti Fadil Lepaja ka thënë se ky veprim është përpjekje e Nismës për ta ruajtur identitetin e saj dhe për ti ikur tendencës që sërish të gëlltitet nga PDK-ja prej nga dikur kishte dal si rezultat i përplasjes së interesave të klaneve brenda saj e kryesisht me z. Thaçi.

Sipas tij, dallimet në mes të PDK dhe NISMA tash pas ndarjes kanë filluar të zhvillohen më tej, duke marrë orientim të majtë ideologjik ndërkohë që PDK është profilizuar si e djathtë edhe përkundër faktit se pjesa më e madhe e anëtarësisë diku nuk ishin me të djathtën.

”Po ashtu pritet që NISMA me disa tema të jetë më afër me opozitën dhe mbetët të shihet se sa do të arrijë z. Haradinaj që të mbajë qeverinë kompakte me gjithë dallimet ekzistuese”, ka thënë analisti politik Lepaja.

Image
Rexhep Shahu

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, duke folur rreth asaj se a pritet që deputetë nga Nisma të dalin kundër koalicionit  PAN në procese të ndryshme politike, gjithmonë kjo do të varet nga interesat e tyre, nga gama e interesave dhe mundësia e plotësimit të tyre.

“Ata do të bëjnë pazar për çdo gjë dhe do të synojnë të jenë sëpate mbi kokën e qeverisë e të koalicionit. Nuk ka asnjë sherr për parime e ideale, pasi çdo gjë ka lidhje me interesa personale e grupore”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Image
Faton Mehmeti

Koalicioni i zorit

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti ka pohuar se NISMA nuk është futur në koalicion me PDK-në me dëshire, por rrethanat kanë krijuar situatën e tillë që të bëhen bashkë.

Sipas tij, Limaj është larguar nga PDK-ja pasi humbi rivalitetin me Kadri Veselin, dhe këtë gjë Limaj ende nuk e ka kapërdirë.

“Duke akuzuar Thaçin që nuk i a mbajti krahun, Limaj pret momentin të godas Kadriun, pasi Limaj ka hyr në koalicion shkaku i Ramushit, që të bëhet kryeministër, dhe kjo u dëshmua me lëvizjen e fundit të NISMA-s që të zyrtarizojë krijimin e grupit të saj parlamentar. Pra kjo nuk nënkupton se NISMA largohet nga koalicioni, pasi është pjesë e saj dhe me poste të rëndësishme, por është një mesazh që nuk dëshiron të identifikohet me PDK. Kjo duket lëvizje e zgjuar, pasi ka rrezik që të shkrihet në PDK nëse nuk vendos mure ndarëse, meqë edhe dihet se janë të një brumi”, ka thënë Mehmeti.

Rivaliteti Limaj-Veseli

Ai ka vlerësuar se NISMA dhe PDK janë një vetëm se inatet personale të Kadriut dhe Limajt i ndajnë, në esencë janë të njëjta  dhe kanë të njëjtën mundësi dhe ideologji.

“Besoj se NISMA nuk largohet nga koalicion qeverisës, pa u larguar Ramushi pasi e ka të lidhur fatin e saj me Ramushin. Madje edhe pse është "degë" e PDK-së ka mundësi që pasi Thaçi të rikthehet në PDK, ku edhe pritet të ndodh pasi t’i kalojë posti i presidentit, që rrjedhimisht i bije të largohet Kadri Veseli. Kjo situatë do të prodhonte zhvillime të reja, me rikthimin e Limajt në PDK. Pra momentalisht NISMA, ka tendecë të rritet duke punësuar njerëz në administratë dhe duke mos dashur të identifikohet me PDK-në por si e vetme”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Ndërkaq, Opinionisti Nexhat Haziri ka pohuar se ndarja e NISMA-s si grup parlamentar i pavarur nga PAN, ka të bëjë edhe me vetë krijimin e koalicionit qeverisës pas bashkimit edhe me Begjet Pacollin.

Image
Nexhat Haziri

Rreziku nga Lista serbe

Sipas tij, një arsyeje më shumë që e ka shtyrë NISMA-n drejtë këtij vendimi është edhe fuqia vendimmarrëse që ka lista Serbe në qeverinë Haradinaj.

“Ky është një paralajmërim se ky subjekt politik jo që mund të mos dakordohen në disa vendime në të ardhmen që pritet ti marrë qeveria Haradinaj, por edhe mund të shkoj drejtë ndarjes definitive apo largimi nga koalicioni qeveritar që do të shënonte edhe fundin e qeverisë Haradinaj. Po ashtu është edhe një vetëbesim i NISMA-s si grup parlamentar jashtë PAN-it, po ashtu ka të bëjë edhe me marrëdhëniet e tensionuara që e kanë karakterizuar raportet e saja me PDK-në dhe kreun e sajë z.Veseli në të kaluarën dhe kjo shihet se as tani këto tensione nuk kanë arritur të shuhen ndërmjet NISMA-s dhe PDK-së, dhe po ashtu priten që hendeku në mes tyre të thellohet edhe në zgjedhjet e lokale të 22 tetorit. Ky hap i NISMA-s është një argument më shumë që tregon për brishtësinë e koalicionit qeveritar dhe jap për të kuptuar se do të jetë qeveria me jetëshkurtër që ka pas Kosova ndonjë herë”, ka thënë opinionsti Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat