“Apel për qytetarët, tregoni në Prokurori faktet kundër ministrit të Haradinajt që keqtrajtoi shqiptarët”

Politika

“Apel për qytetarët, tregoni në Prokurori faktet kundër ministrit të Haradinajt që keqtrajtoi shqiptarët”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 shtator 2017 Në ora: 20:07
Nenad Rikalo

Pasi që ka marrë postin e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, anëtari i Listës serbe Nenad Rikalo është akuzuar për keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999 nga ish-fqinjët e tij.

Lidhur me këto akuza edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një deklaratë për media, ku ka thënë se ka kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e Rikalos në këto aktivitete,  por nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.

Njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra ka apeluar tek qytetarët, të cilët njohin agresorin serb që të raportojnë tek organet për krimet e ndryshme të luftës.

“Së  pari, çdo kush, i cili  ka pretendime për ndonjë akuzë ndaj ndonjë personi qoftë  për periudhën para 99  apo pas, duhet të ngris aktakuzë në gjykatat themelore të çdo qyteti  të Kosovës, andaj kjo është këshillë për çdo qytetar, i cili e njeh agresorin serb për krime të ndryshme në periudhën e luftës , ai duhet të raportojë dhe të ngrisë aktakuze”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë për “Bota sot” se nëse banorët e lagjes ku banonte Rikalo gjatë kohës së luftës nëse kanë dëshmi, e kanë detyrë të raportojnë në Prokurori.

“Në rast se ka vërtetë dëshmi të besueshme me fakte, të gjithë ish-fqinjët  apo edhe banorët e lagjes, e kanë detyrim të raportojnë në Prokurori dhe të japin dëshminë e tyre me fakte dhe data, andaj deri sa nuk ka një dëshmi reale në Prokurori unë nuk mund të komentojë fjalët e rrugëve dhe kafeneve, sepse duhet fakte dhe dëshmi reale që Prokuroria të nisë rastin, ky person edhe në të kaluarën ka pasur pozita  shtetërore në Kosovë, andaj një verifikim besoj ka ndodhur, mirëpo deri sa ka pretendime këta iss-fqinjë të ministrit duhet të shkojnë deri në fund me pretendimet e tyre për të zbardhur këtë rast”, ka thënë Zorra.

Ai ka theksuar se nëse nuk ka dëshmi për krimet që ka mundur t`i kryejë Rikalo  nuk mundet që Haradinaj të shkarkojë atë, pasi që mund të kërkojë  precedent.

“Deri sa nuk ka dëshmi, kryeministri nuk mund ta shkarkojë një ministër, sepse kjo do të krijonte precedent edhe për raste tjera, andaj të gjithë personat të cilët kanë dëshmi dhe fakte duhet t’i tregojnë”, ka thënë Zorra për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat