“Qeveria në ‘teh të thikës’, kërcënim për rrugën e Kosovës në BE”

Politika

“Qeveria në ‘teh të thikës’, kërcënim për rrugën e Kosovës në BE”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shtator 2017 Në ora: 16:07
Kuvendi i Kosovës

Numri i ministrive në qeverinë e sapo formuar është mjaft i madh. Deri më tani kabineti qeveritar përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, pesë zëvendëskryeministra dhe 21 ministra, të cilët i kanë edhe zëvendësit e tyre.

Në një vend si Kosova, kjo gjë nuk shihet si diçka pozitive.

Selim Daku, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Diplomaci mendon se për qytetarët e Kosovës kabinetet qeveritare të gjera në numër tashmë janë shndërruar në diçka normale që nga paslufta dhe se befasi do të ishte një kabinet normal qeveritar.

 “Numri i madh i zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave së pari vjen si rezultat i numrit të madh të partive të koalicionit qeverisës, dhe së dyti shërben për rehatimin e figurave partiake brenda institucionit më të lartë ekzekutiv.
Një qeveri kaq e gjerë për nga numri, padyshim që e tillë do të jetë edhe për nga përgjegjësia. Por, problem kryesor i kësaj qeverie nuk është numri i madh i ministrive, problem bosht do të jetë numri i madh i partive”, ka deklaruar Daku për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet skeptik për progresin e kësaj qeverie, që sipas tij do të funksionojë në ‘tehun e thikës’.

“Problemet e përbashkëta, do tu faturohen partive prej nga vjen kryeministri apo ministri i caktuar, që nënkupton që mund të mungojë përgjegjësia kolektive duke pasur mosbindje, mospërfillje dhe diferenca qeverisëse. Si qytetar i Kosovës jam skeptik për lëvizjet progresiste nga kjo qeveri, e cila do të funksionojë “në tehun e thikës”. Nuk dua të besoj që ajo do të përfaqësojë një klasë konsumuese “parazitare” e cila do të zhvillojë klientelizmin si formë qëndrueshmërie përmes sekserëve që ka brenda dhe jashtë saj”, ka vazhduar më tej ai.

Image
Selium Daku

Sa i përket përparësive apo mangësive që mund të sjell ky numër i ministrive në rrugën e Kosovës drejt familjes evropiane, Daku mendon se kjo paraqet kërcënim për rrugën e Kosovës drejt BE-së,

“Bashkimi Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare kanë rekomanduar dhe kanë kushtëzuar vazhdimisht kufizimin dhe reduktimin e numrit të punonjësve në administratën publike, që nënkupton një administratë më të shkarkuar dhe më profesionale. Kabineti i ri qeveritar jep edhe një argument tjetër për nivelin e gatishmërisë për respektimin e rekomandimeve nga organizatat ndërkombëtare. Nga kjo mund të lexojmë edhe aspiratat e kësaj qeverie për rrugën evropiane, që mund të jetë proces më shumë i varur nga ecja konstante disavjeçare se sa nga ndonjë iniciativë e re për përshpejtimin e këtij procesi. Kjo paraqet një kërcënim të besueshëm të rrugës së Kosovës drejt BE-së”, është shprehur drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci.

Sipas Dakut, qeveria që udhëhiqet nga Haradinaj mund të jetë hendikep për fitimin e kushteve për Kosovën në BE.

“Për Kosovën nuk paraqet një përparësi një kabinet si i kryeministrit Haradinaj, përkundrazi mund të jetë hendikep për realizimin e reformave për arritjen e fitimit të kushteve për të zhvilluar progres në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Numri i madh i ministrave nuk do të ofrojë mundësi e as lehtësime për qytetarët e Kosovës, përkundrazi do të rëndojë xhepin edhe më shumë xhepin e varfër të tyre dhe nuk do të jetë model i mirë para organizatave ndërkombëtare”, ka deklaruar Daku për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat