Pse nuk u zbuluan deri më sot “krimet” e ministrit serb?

Politika

Pse nuk u zbuluan deri më sot “krimet” e ministrit serb?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 shtator 2017 Në ora: 14:59
Nenad Rikalo

Që nga emërimi si ministër i Bujqësisë  në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo është akuzuar për maltretim të qytetarëve të lagjes Dardani në Prishtinë.

Gjithashtu, të shtunën deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka publikuar dokumente, që dëshmojnë se babai i Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallos, Radosllavi ishte në listën e oficerëve ushtarakë rezervë të organizatës së tretë bazë 'Dardania' në Prishtinë.

Kurse, politologu dhe drejtori në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Gurakuç Kuçi, ka thënë për “Bota sot” se koalicioni PANA është dashur që të vë kusht për Listën serbe që mos përfshijë në listë persona, të cilët kanë qenë pjesë e regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

“Çdo koalicion edhe më herët, por edhe tani me Listën Serbe është dashur të kishte edhe si kusht që: nuk mund të përfshihet në kabinetin qeveritar asnjë person nga Lista Serbe, i cili është i dyshuar apo është vërtetuar që ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviçit në politikë, ushtri, paramilitar, polici apo ka ushtruar dhunë deri me 1999 ndaj ndonjë komuniteti në Kosovë, gjithashtu çdo njërit që i vërtetohen veprime të tilla shkarkohet nga posti që mban në kabinetin qeveritar. Një kriter i tillë  nuk do e vinte në pozitë të vështirë asnjë qeveri në Kosovë dhe të paktën tani duhet të kihet parasysh për të ardhmen”, ka thënë Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova asnjëherë nuk është marrë me verifikimin, selektimin dhe akuzimin e personave, të cilët kanë ushtruar dhunë në çfarëdo mënyre në Kosovë gjatë luftës.

Kuçi ka theksuar se ky veprim tani nuk do e sillte asnjë qeveri para situatave të palakmueshme, dhe që madje edhe KQZ-ja të përdorte si kriter për decertifikim të personave të tillë.

“Pastaj një kriter tjetër, që duhet të jetë më patjetër, e madje të shndërrohet në ligj, që do të vlente për të gjitha komunitetet, që asnjë person nuk mund të qeverisë me vendin apo të jetë pjesë e qeverisë, që nuk e njeh shtetin e Kosovës, bënë veprime kundër shtetit të Kosovës, apo flet kundër shtetit të Kosovës. Sepse duke mos pasur këto çështje të caktuara, sot shteti serb madje bënë veprime edhe të qëllimshme për të imponuar ministra si Rikallo me të kaluar të errët, vetëm e vetëm që të minojë çdo qeveri në Kosovë dhe të përçajë e t’i fus në konflikt mes vete klasën politike në Kosovë deri në pikën që nuk do të jetë asnjë qeveri stabile, duke ia arritur qëllimet të saj për një Kosovë shtet jofunksional”, ka thënë Kuçi

Ndërsa, sa i përket dëshmive për Rikallon, Kuçi ka thënë se e vënë në dilemë se pse nuk po merren me zbulimin e krimeve të ministrit serb.

“Këto dëshmi kundër Rikallos sot neve na vënë para shumë dilemave madje edhe konspirative, se përse askush nuk u mor me zbulimin e krimeve të Rikallos deri më sot, dhe përse u la pikërisht tani, apo dikush po ruan këto çështje që t’i përdorë për interesa politike dhe kundër shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të merret seriozisht me rastin Rikallo, dhe të zbulohet e vërteta deri në fund.

Gjithashtu, ka këshilluar që pozita dhe opozita të kenë kujdes që mos lejohen konflikte dhe përçarje politike.

“Duhet të kihet kujdes nga pozita dhe opozita në Kosovë deri në fund ndaj këtyre çështjeve dhe të mos lejohen konflikte dhe përçarje politike, gjë që instrumentet si Rikallo mund të jenë të qëllimshme nga Serbia, ose ndryshe jemi para një akti edhe më të keq, kur krimet e njerëzve si Rikallo, vetë klasa politike në Kosovë nuk i zbulon deri në momentin kur u nevojiten për qëllimet e tyre për pushtet për të rrëzuar njëri-tjetrin”, ka përfunduar Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat