Asociacioni, “Kali i Trojës” për rrëzimin e Qeverisë

Politika

Asociacioni, “Kali i Trojës” për rrëzimin e Qeverisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 shtator 2017 Në ora: 08:10
Qeveria PANA-Lista serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ditë më parë e ka quajtur “interesant” dhe të “mençur” propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për nisjen e dialogut të brendshëm në Serbi për Kosovën.

Haradinaj ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të zgjidhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila, siç thotë ai, është më e vjetër se “dialogu në Bruksel”.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se është e vërtetë që Haradinaj ka ndryshuar qëndrim për "Zajednicen" ndryshe, sipas saj, nuk do të merrte votat e Listes serbe.

“Mbetet të shohim se edhe çka tjetër i është premtuar Vuqiqit apo cilat janë kërkesat e Beogradit e që janë pranuar nga Haradinaj, Veseli e Thaçi. Kur Haradinaj flet për demarkacionin e "Zajednicen", gjithnjë ta mbajë në mend peticionin e mbi 200 mijë nënshkrimeve kundër këtyre dy projekteve të dëmshme! Këto marrëveshje të dëmshme nuk e kanë legjitimitetin popullor pra peticioni në çdo rrethanë mbetet valid!”, ka shkruar deputetja Haxhiu.

Ajo ka thënë se, nëse Haradinaj për qëllime të ndryshme ka hequr nga mendja peticionin, “një kopje e dërgojmë edhe te ai”!

Asociacioni si sfidë

Image
Ali Hertica

Analisti politik Ali Hertica ka thënë se Qeveria e Republikës e drejtuar nga Ramush Haradinaj tani do të ketë disa çështje madhore dhe shumë vendimtare për çështjen e Shtetit të Kosovës dhe të ardhmen politike e cila.

Ndër cështjet shumë delikate sipas Herticës është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe që do të duhej të zgjidhej në pajtim me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tij, formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë njëra ndër çështjet më të vështirat për këtë qeveri.

“Dihet botërisht se Haradinaj ishte një figurë këmbëngulëse kundër një Asociacioni me komuna serbe që do t`i ngjante Bosnjës apo siç edhe ai e quante Bosnjëzimi i Kosovës. Haradinaj derisa ishte në opozitë dhe në fushatën zgjedhore ishte eksplicit kundër krijimit të Asociacionit, e tani shtrohet pyetja se çfarë nëse Haradinaj nuk ka një marrëveshje politike të subjekteve që janë pro dhe kundër për ta zgjedhur këtë proces. Mendojë se prapë mund të politizohet situata ku do të mund të përsëriten skena të reja brenda hollit të Parlamentit të cilat, vecse i kemi të njohura në të kaluarën”, ka thënë analisti politik Hertica.

Obligimi ndërkombëtar   

Ai ka vlerësuar se për Demarkacionin edhe Asociacionin janë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare me përfaqësues të shtetit të Kosovës.

“Demarkacionin ka politizuar situatën politike në Kosovë dhe dihet se ky është kushti ynë i Republikës së Kosovës për ecjen drejt familjes Evropiane. Atëherë Prishtina i detyrohet Brukselit dhe marrëveshjes së nënshkruar e cila thotë se duhet sa më parë që të formohen Asociacionet e komunave serbe, ku prioritet politik është hyrja në qeverisje për Listën Serbe. Pra formimi dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë nga z. Haradinaj duhet të jetë konciz në parime me çështje madhore pa shkelur asgjë mbi to”, ka thënë analisti politik politik Ali Hertica.

Kurse, njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili ka thënë se deri tek formimi i qeverisë së re kishte shumë probleme, pasi ajo u formua me vonesë të madhe dhe drejt për së drejti me përkrahjen nga Beogradi nëpërmjet Listës Serbe.

Image
Zudi Xhelili

Sipas tij, kjo na bënë të kuptojmë që bisedimet e fshehura me listën Serbe kanë qenë në vazhdimësi.

“Me vet faktin që faktori ndërkombëtar rreth qeverisë së re ishte indiferent gjatë tërë kohës d.m.th  se atyre dikush iu ka dhëne garanca të forta për çështjet e hapura në Kosovë, ashtu si puna e demarkacionit, asociacionit dhe çështjeve tjera të arritura në bisedimet e Brukselit. Përzërja direkete e Hashim Thaçit në formimin e kësaj qeverie njëkohësisht është garanci që PAN do të realizojë marrëveshjen Kosovë-Serbi. Pra Qeveria e re do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serb”, ka thënë  Xhelili.

A kushtëzoi Lista serbe?

Ai, ka theksuar se  Lista Serbe me siguri e ka kushtëzuar formimin e qeverisë me kërkesa që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë e sidomos me çështjen e Zajednicës, përndryshe  lind pyetja se përse Lista Serbe dhe Beogradi do e kishin votuar qeverinë e PAN-it dhe Ramush Haradinajn.

“Dikur kishim një Kosove të okupuar, pastaj Kosovë të çliruar ndërsa sot kemi Kosovë të kombinuar dhe prandaj ikin qytetarët e saj. Për ndryshe pse Lista Serbe dhe Beogradi do e kishin votuar qeverinë e PAN-it dhe Ramushin si kryeministër njeriun për të cilin Serbia kishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe si rezultat i flete arrestit ai u ndalua disa herë dhe sidomos rasti i fundit në Francë”, ka thënë Xhelili.

Kurse Lirim Zorra ligjërues në Kolegjin ISPE ka  deklaruar se kjo çështje  gradualisht do të fillojë të zbatohet, fillimisht në përgatitje teknike dhe logjistike që mbas një kohe të del në sipërfaqe si një ide e kompromisit e cila nuk do ti kënaq serbet plotësisht por nga ana tjetër nuk do ti shqetësoj aq shumë edhe shqiptarët.

Image
Lirim Zorra

“Pra do të jetë një situatë kaluese dhe pa dëme për të dyja komunitetet andaj ministrat serb të qeverisë do ta shtyjnë kuadrin ligjor veçanërisht ato pika të cilat Gjykata Kushtetuese ka deklaruar që duhet zëvendësuar. Unë e shoh me parimin që nuk do të kënaqen apetitet e komunitetit serb mirëpo edhe shqiptarët nuk do ta shohin si rrezik për sovranitetin e shtetit. Pra një situatë kompromisi dhe që realisht jeta e qytetarëve serb të Kosovës nuk do të ndryshojë”, ka thënë Zorra.

Qeveria mund të rrëzohet

Sipas tij, serbet munden çdo kohë ta rrëzojnë qeverinë Haradinaj për arsye se kanë 9 vota të cilat janë kryesore për mbijetesë të kësaj qeverie.

“Pikërisht për këtë mendoj se kërkesat  e tyre do të jenë që të përshpejtohet ky asociacion, mirëpo kuadri ligjor mund ta prolongoj krijimin e saj. Andaj formimi do të ndodhe, sepse  nuk mundet të bllokohet megjithatë do të ketë vonesa në implementim dhe blerjen e kohës nga Qeveria Haradinaj. Brenda periudhës maksimume 4 vjeç një lloj asociacioni do të krijohet mirëpo nuk do të jetë diçka frytdhënëse për një qytetarë të thjesht serbo-kosovar”, ka thënë Zorra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat