“Të zgjidhet çështja e Demarkacionit, që të kemi liberalizim të vizave”

Politika

“Të zgjidhet çështja e Demarkacionit, që të kemi liberalizim të vizave”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 shtator 2017 Në ora: 22:58
Ilustrim

Ratifikimi i Demarkacioni me Malin e Zi nuk është bërë ende, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

Në anën tjetër, ratifikimi i kësaj marrëveshje është një nga kushtet themelore për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka emëruar komision të ri shtetëror për Demarkacionin dhe ende nuk ka vendosur se kur do ta sjellë në Kuvend për ratifikim.

derisa demarkacioni dhe liberalizimi i vizave janë dy çështje të ndërlidhura, gazeta “Bota sot” ka realizuar një bisedë me njohësin e çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, për pasojat që mund të ketë në liberalizim të vizave, vonimi i zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit.

Image
Sami Blakaj

Sipas tij, është për keqardhje që qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin të lirë, si pasojë e krimit, korrupsionit dhe demarkacionit, e që për këto kushte ëndrra e tyre për lëvizje të lirë po shuhet.

“Është vërtetë për keqardhje që edhe sot e kësaj dite Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon, kur bëhet fjalë për udhëtim të lirë në zonën Schengen. Akoma më i keq është fakti kur dihet se qytetarët e Kosovës kanë mbetur peng i izolimit të tyre si rezultat i nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit në vend, por edhe si pasojë e mos demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Janë pikërisht këto dy kritere kryesore që fatkeqësisht po vazhdojnë të shuajnë shpresën qytetare se një ditë do të ketë dritë për të ardhmen e tyre. Prandaj më shumë se kurrë vendi ka nevojë për një dinamikë të re të punës qoftë në funksionimin dhe pavarësimin e drejtësisë, por edhe në arritjen e marrëveshjes për demarkimin e kufirit”, ka deklaruar Blakaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se duhet të gjendet një zgjidhje për demarkacionin, që të vazhdohet tutje agjenda e Kosovën në rrugën drejt BE-së.

“Kosova ka ngecur jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe më shumë se kurrë klasa jonë politike ka për obligim moral, politik dhe institucional që të gjejë zgjidhjen e një konsesusi nacional. Ky kompromis nacional sigurisht që duhet t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike eventuale dhe domosdoshmërish duhet të prodhojë rrugëdalje nëse vërtet dëshiron të shtyjë agjendën tutje. Mendoj se nuk do të duhej të kishte vonesa nëse kjo klasë politike e ka vullnetin politik që të shtyjë përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat