“Specialja pas Asociacionit e Demarkacionit, për zyrtarë të PAN-it”

Politika

“Specialja pas Asociacionit e Demarkacionit, për zyrtarë të PAN-it”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shtator 2017 Në ora: 16:26
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale në Hagë është e gatshme të pranojë akuzat e para dhe të fillojë procedurat duke përfshirë edhe gjykimet e para. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke thënë se Gjykata e ka të gjithë infrastrukturën e gatshme, si atë të përzgjedhjes së gjyqtareve, ashtu edhe infrastrukturën ligjore.

Image
Sami Kurteshi

Deputeti i VV-së Sami Kurteshi ka thënë se LVV dhe as grupi parlamentar i LVV nuk ka ndonjë informatë tjetër përveç informatave që sillen nëpër media.

“Momentalisht Kuvendi është në pushim të dhunshëm, për arsye krejtësisht të panjohura për ne deputetët. Deputetët nuk kanë asnjë informatë, asnjë njoftim ne lidhje me këtë çështje. Prandaj, nuk e di se si mund të trajtohet kjo çështje nëse për këtë nuk ka asnjë informatë”, ka thënë deputeti Kurteshi.

Në përfundim të procedurave

Avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Speciale shpejt pritet të zgjohet nga gjumi.

Sipas tij, Gjykata Speciale në Holandë/ Hagë është e gatshme të pranojë akuzat e para dhe të fillojë procedurat duke përfshirë edhe gjykimet e para.

“Gjykata tani e ka të gjithë infrastrukturën e gatshme, sikurse atë të përzgjedhjes së gjyqtareve, por edhe infrastrukturën ligjore. Mirëpo asgjë nuk varet nga vet Gjykata se kur do të fillojnë procedurat dhe gjykimet atje, pasi kjo varet krejtësisht nga zyra e prokurorit të specializuar. Po ashtu në Hagë  në krye të së cilës gjendet prokurori amerikan David Shvendiman. Prokuroria duhet ti dërgojë aktakuzat që Gjykata të fillojë procedurat-gjykimet pa dërgimin e aktakuzave të para në këtë Gjykatë. Nuk mund të presim as gjykimet e para në këtë gjykatë tepër të dëmshme për shqiptaret në përgjithësi, për Kosovën pasi në veçanti do të ishte e dëmshme për ish pjesëtarët e UÇK-së”, ka thënë avokati Gashi.

Image
Tomë Gashi

Kërkesa për ndryshimin e ligjit

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të iniciojë ndryshimet e ligjit për Gjykatën Speciale dhe këtë mund ta kërkojnë deputetët e Republikës së Kosovës pasi që Gjykata Speciale edhe pse kaq e dëmshme formalisht është themeluar nga deputetet e Kuvendit të Kosovës.

“Ashtu siç kanë votuar për ligjin për Gjykatën Speciale po ashtu mund të votojnë edhe për ndryshime të këtij ligji e që për të ndodhur kjo duhet paraprakisht të kenë paksa guxim për këtë çështje. Nuk duhet që secili te tentoj për të gjetur rrugë për të mbrojtur veten nga akuzat eventuale dhe të dëmtohet Kosova si shtet edhe ashtu i brishtë , lehtë i lëndueshëm dhe të gjithë e dinë se Gjykata Speciale i shkon për favor vetën Serbisë e në asnjë mënyrë Kosovës”, ka thënë avokati Gashi.

Image
Faton Mehmeti

“Vonesa të qëllimshme”

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se Gjykata Speciale po zvarritet si pasojë e qëllimshme e politikës së atyre që pretendohen se do të akuzohen, në veçanti nga PAN.

“Mendoj se Bashkësia ndërkombëtare me qëllim nuk po e funksionalizojnë Gjykatën Speciale pa u ratifikuar Asociacioni dhe Demrakcioni, pasi të vetmit njerëz që mund ta bëjnë këtë janë krahu i luftës, të cilët edhe do e kenë gjendjen nën kontroll. Nëse do e bënte LDK ose VV asociacionin, të PAN do e konsideronin tradhti kombëtare dhe do shkonte gjaku ujë këtu. Duke njohur këto gjëra, Bashkësia ndërkombëtare do i shfrytëzojë komandantë për të arritur qëllimet e saja, me temat me delikate e pastaj edhe do i fus në qeli”, ka thënë analisti Faton Mehmeti.

Ai ka theksuar se Gjykata Speciale është e lidhur me asociacionin, por me qëllim këta po e shtyjnë pasi e dinë se e kanë të zënë bishtin.

“Do bëjnë çdo gjë që të shtyjnë këtë proces, por herë do kurë do të bëhet. I vetmi që mund të shpëtojë pa therë në këmbë është Hashim Thaçi, i cili do i fus të gjithë prapa grilave e vet të mbetët i paprekshëm”. Ka thënë Mehmeti.

Image
Muhamet Kelmendi

Kuvendi mund ta analizojë vendimin

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka deklaruar se akuzat e para mendoj se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë.

“Kush do të akuzohet, ne mundemi vetëm të spekulojmë sepse nuk kemi fakte se kush do të akuzohet, por mendohet se do të jenë figurat nga PDK e subjektet tjera. Fakti se kjo Gjykatë është formuar nga ana e Kuvendit të Kosovës i jep të drejtë përsëri Kuvendit të Republikës së Kosovës të analizojë vendimin e vet. Asgjë nuk është e përjetshme, sepse çdo gjë mund të shqyrtohet”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, në kuadër  të kësaj, kërkohet që Kuvendi të shqyrtojë vendimin e vet dhe të shpall atë vendim duke kërkuar që Gjykata të tilla të krijohen ndaj shtetit serb, shtetit maqedonas etj.

“Dhuna serbomadhe është tepër e rëndë dhe deri tash nuk ka përgjegjësi penale. Vetëm përdhunimet e 20 mije femrave shqiptare janë mjaftë për të anuluar dhe për të kërkuar Gjykatë Speciale për Serbinë. Pra jam për këtë shqyrtim dhe vendosje të rilidhur me këtë çështje”, ka thënë profesor Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Dështimi i drejtësisë vendore

Ndryshe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se nuk do të ishte mirë as të provohet në lidhje me këtë sepse kjo do të i bënte dëme të mëdha vendit.

“Nuk do të ishte mirë të ndodhte kjo në Kuvend dhe të shkojë ndonjë ligj i tillë që është përfunduar, pasi kjo do ti bënte dëm të madh shtetit . Unë nuk e besojë se do të ketë me kësi lloj idesh. Gjykata Speciale tash është realitet i pashmangshëm, por dështimet në Kosovë kanë bërë që kjo Gjykatë të themelohet. Mungesa e vullnetit për të zbardh raste të shumta që kanë ndodhur në Kosovë e kanë sjell këtë Gjykatë këtu, prandaj tash nuk shkon larg dhe do të ngritën aktakuzat e para për personat e dyshuar. Me këtë Gjykatë e kanë bind lidershipin e Kosovës se nuk janë të aftë që ta luftojnë krimin dhe gjëra tjera edhe pse pretendimet e Dick Martit nuk qëndrojnë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat