Qeveria e re e Kosovës mes mjeshtrit të ndërtimeve dhe luftëtarit, ja kush janë Pacolli dhe Haradinaj sipas "Der Standard"

Politika

Qeveria e re e Kosovës mes mjeshtrit të ndërtimeve dhe luftëtarit, ja kush janë Pacolli dhe Haradinaj sipas "Der Standard"

Nga: Bota sot Më: 19 shtator 2017 Në ora: 20:45
Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli

Kosova ka një qeveri të re dhe të madhe. Dy përfaqësuesit e saj janë ministri i jashtëm Pacolli dhe kryeministri Haradinaj, shkruan fillimisht “Der Standard”.
Fillimi i karrierës në Austri

Klani i tij pret udhëzime për ti zbatuar. Ai u jep punë të afërmve dhe shqetësohet për familjen. Në këtë aspekt Behgjet Pacolli është një shqiptar tipik. Në anën tjetër ai ka krijuar kontaktet më të mira me Rusinë dhe është tmerrësisht i pasur - për dallim nga shumica e bashkëkombasve të tij. Biznesmeni i ndërtimit ndodhet dhe shqetësohet për këdo: liron pengje në Afganistan, lobon për vendin e tij dhe ndërton pallate për diktatorët e Azizë qendrore. Në fakt 68 vjeçari, i cili ka një villë rezidenciale në Zvicër, ka mjaft para për jetë e pasur aventuriere. Megjithatë prej pak kohësh ai është edhe ministër i jashtëm i Kosovës. Ky biznesmen i fuqishëm nuk ka shumë njohuri për diplomacinë dhe është një mendje modeste – por  partitë që kërkonin qeverinë nuk kishin numrat e duhur dhe koalicionuan me partinë e Pacollit AKR që është themeluar nga 2007. Nuk është hera e parë në politikën e brendshme. Burri, që ka edhe nënshtetësinë zvicerane, ishte edhe zv.kryeministër dhe në vitin 2011 bile president. Pas pak javësh ai duhet të dorëzonte detyrën, pasi u bë publike, sesi padronët “udhëzonin” deputetët e tyre për të votuar biznesmenin e pasur.

Fillimi i karrierës në Austri

Konglomeratin e firmave të tij, të njohur si Mabetex, ai e themeloi më 1990 në Zvicër, megjithatë karrierën e filloi në Austri, ku si i ri bënte biznese në Lindje për firmat austriake. Nga ajo kohë Pacolli ka edhe kontakte të mira në Rusi. Pastaj ai punoi për firma zvicerane dhe u bë tamam i pasur kur në vitet 90-të nga Boris Jelcini mori tenderin për të rinovuar Kremlinin. Jelcini ia vari Pacollit rreth qafës urdhrin më të lartë për arkitekturë dhe art. Por, kupolat e Kremlinit nuk i sollën atij vetëm shkëlqim. Më 1998 Prokurori i Përgjithshëm filloi hetimet për ryshfetdhënie kundër Mabetexit. Pacolli paditi Prokurorin e Përgjithshëm dhe fitoi lëndën – ky i fundit qe i shtyrë t’ia paguajë një milion rubla kosovarit. Pacolli është ofensiv dhe me siguri të plotë nuk është prej atyre që ngurron t’i zgjidhë problemet me para. Përkundrazi: ai është i mësuar që kështu mund të arrihet shumë. Disa herë ai u angazhua me sukses në Afganistan për t’i liruar njerëzit e OKB-së të marrë peng. Edhe qeveria italiane me një rast ishte këshilluar me të. Kështu «ashpër» Pacolli vepron kur të jetë puna për të lobuar për vendlindjen e tij – edhe në Afrikë. Deri më tani 111 prej 193 shteteve të botës e kanë pranuar Kosovën, e cila më 2008 shpalli pavarësinë, përcjell botasot.info.

Pasqyrë ka autokratin Nasarbajev

Gjithashtu Mabetex nuk është më vetëm një firmë ndërtimi, por edhe biznes bankash, sigurimesh, ndërtime spitalesh dhe biznes mediatik. Veçanërisht firma ka suksese në Kazakistan, ku ka ndërtuar një pallat për udhëheqësin Nursultan Nasarbajev. Pacolli dhe Nasarbajev janë shok të ngushtë. “Ai dhuron energji pozitive, është konstruktiv dhe e don vendin e tij. Për mua ai është politikan ideal. Unë përpiqen të jem si ai,” thotë mjeshtri i ndërtimeve mbi autokratin.

Kiçi i çuditshëm, të cilin Pacolli e ndërtoi për presidentin e Kazakistanit, përndryshe i përngjan atij stili të ndërtimit, të cilin në trajtë të vogël mund ta vështrosh në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë. Aty Pacolli e ka ndërtuar hotelin Swiss Diamond, i cili do të mund të ishte edhe në Las Vegas. Qe disa javë në kryeqytetin e Kosovës pëshpëritet se «pazari qeveritar» me Pacollin përfshinë edhe një patundshmëri tjetër. Fjala është për hotelin Grand nga koha e Jugosllavisë, një godinë shumëkatëshe në qendër të qytetit. Këtë hotel Pacolli deshi ta blejë para disa vitesh gjatë privatizimit – dhe një nga firmat e konglomeratit të tij ka nisur një procedurë në një Gjykatë Arbitrazhi kundër shtetit të Kosovës, sepse nuk e kishte fituar tenderin. Edhe më absurde dhe mbase edhe konflikt interesi është që tani Pacolli u bë ministër i Jashtëm. Duke pasur parasysh faktin se kabineti i ri ka 21 ministri dhe agjendat ekonomike janë të shpërndara mes shumë resorëve, nuk duhet llogaritur se do të ketë investime vendimtare në Kosovë.

Image

 

Kontakte të mira me Rusinë

Pasuria e Pacollit vlerësohet të jetë rreth 500 milionë euro. Ai është baba i gjashtë fëmijëve, tre djem e tri vajza, dhe aktualisht është i martuar me një ruse. Ai et shtatë gjuhë, mes tyre rusisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht – dhe natyrisht gjermanisht. Të dobishme mund të jenë kontaktet me Rusinë. Sepse në muajt e ardhshëm pritet të rifillojë dialogu me Serbinë. E hapur është nëse në kuadër të tij edhe Rusia – e cila nuk e njeh Kosovën dhe e bllokon anëtarësimin në OKB – do të ndryshojë qëndrimin e saj. E paqartë është se çfarë lëshimesh mund të dëshirojë Moska. Sidoqoftë, e habitshme është se pjesëmarrja e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, po përkrahet jo vetëm nga qeveria serbe, por edhe nga partia qeverisëse ruse. Kjo është një shenjë se Rusia mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të finalizohet në vitin 2019. I shkujdesuri Pacolli në kuadër të këtij dialogu mbase mund ta ketë më lehtë me palën serbe dhe se me vetë kryeministrin. Sepse kundër Ramush Haradinajt ende është në fuqi një aktakuzë serbe.

Akuzë për torturë kundër Haradinajt

Zakonisht shefat e shtetit dhe të qeverisë gëzojnë imunitet, por meqë Serbia nuk e ka pranuar Kosovën, kjo nuk vlen për Haradinajn. Nëse ai do të kalonte kufirin me Serbinë, do të arrestohej menjëherë. Autoritetet serbe e akuzojnë se ka torturuar dhe vrarë civilë serbë. Në janar Haradinaj u arrestua në Francë sipas fletarrestit serb dhe tek disa javë më vonë u lirua. Haradinaj është një nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rajonin e Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Pas luftës kishte «larje hesapesh» mes UÇK-së dhe FARK-ut, një grup tjetër i armatosur. Në kuadër të këtyre «larjeve të hesapeve» shpërtheu një ngatërresë mes familjes Haradinaj (UÇK) dhe familjes Musaj (FARK). Gjatë një shkëmbimi të zjarrit në kuadër të kësaj ngatërrese në vitin 2000 Ramush Haradinaj u plagos dhe u dërgua me helikopter në kampin ushtarak amerikan Bondsteel. Që nga atëherë ai – për shkak të lëndimit të fytyrës – ka një defekt të lehtë në të folur. Në vitet pas luftës u vranë disa njerëz të FARK-ut. Mes tyre edhe Sinan Musaj, anëtar i klanit Musaj. Vëllai i Ramush Haradinajt, Dauti, u dënua më 2002 për shkak të kësaj vrasjeje dhe të tre të tjerëve.

Image

 

Vrasjet e dëshmitarëve

Vdekjen nuk e gjetën vetëm anëtarët e FARK-ut, por edhe të tillë që ishin të gatshëm të dëshmojnë për rastet e vrasjeve. Tahir Zemaj pritej të ishte dëshmitari kryesor kundër Daut Haradinajt. Ai dhe djali i tij Enisi dhe nipi i tij Hyseni u vranë midis rruge në janar të vitit 2003. Pastaj radha u erdhi atyre që u përpoqën ta hetojnë rastin: në nëntor 2003 u vranë policët Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj ndërsa po shkonin në punë. Kur AAK e Ramush Haradinajt u bë pjesë e qeverisë, vrasjet morën fund. Vetë Ramush Haradinaj u bë kryeministër. Por, në vitin 2005 u vra në veturën e tij një vëlla tjetër i Ramushit, Enver Haradinaj.

Jo dënime nga Tribunali i Hagës

Në fakt në 2005 Haradinaj shkoi vetë në burgun e Hagës, ku ai u akuzua për krime lufte gjatë luftërave të Jugosllavisë. Ai akuzohej se ishte pjesë e një organizate, qëllimin e së cilës kishte “kontroll total” mbi rajonin e Dukagjinit, ndërsa serbët, por edhe romët, egjiptianët dhe shqiptarët dhe civilët tjerë të cilët “dyshoheshin” se kollaboronin me Serbinë - vriteshin ose keqtrajtoheshin. Veçanërisht serbët janë degdisur nga fshatrat e tyre pas 1998. Në procesin kundër Haradinajt gjykata konstatoi se ka qenë vështirë t’i bind dëshmitarët të flasin. Ekzistoi «përshtypja e fuqishme» se dëshmitarët ndiheshin të pasigurt. Në këtë proces shtatë vrasje u dëshmuan si vepra të UÇK-së. Por, nuk u arrit t’i dëshmohej Haradinajt se ishte themeluar një organizatë e përbashkët kriminale dhe më 2008 ai u lirua. Së paku një dëshmitar vdiq në rrethana të dyshimta. Procesi filloi edhe njëherë, por Haradinaj u lirua më 2012 në mungesë të dëshmive.

Konflikti mes kryeministrit Haradinajt dhe presidentit Thaçi

Një ndër hapat e parë të kryeministrit ishte emërimi i një komisioni të ri për kufijtë e shtetit dhe shkarkimi i komisionit të vjetër. Viteve të fundit Haradinaj kishte luftuar politikisht kundër marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi me pretendimin se Kosova humb territor me vijën e re kufitare – gjë që nuk i përgjigjej gjetjeve të ekspertëve, por politikisht kjo i ndihmoi Haradinajt. Pas kësaj fshihet një histori e vjetër: para se ish-komandanti, i cili në Kosovë nderohet si askush tjetër si «hero i luftës», u detyrua të shkojë në Hagë, ai ishte kryeministër. Rivali i tij më i madh edhe gjatë luftës ka qenë komandanti i atëhershëm i UÇK-së dhe presidenti i tanishëm Hashim Thaçi. Thuhet se ky i kishte premtuar se pasi të kthehet nga Haga mund të bëhet sërish kryeministër. Por, kjo nuk bëri vaki: Thaçi e frenoi Haradinajn, dhe ky qe i shtyrë të qëndrojë në opozitë viteve të fundit. Por, dalëngadalë këtij 49-vjeçari iu harxhuan paratë – madje edhe shtëpinë e tij e dha me qira. Rrëfimi për gjoja humbjen e territorit për shkak të marrëveshjes kufitare me Malin e Zi në këtë situatë ishte ideal – edhe për të ardhur në pushtet dhe te arkat me para. Shumë banorë të Kosovës në qershor e zgjodhën Haradinajn për shkak të rrëfimit mbi marrëveshjen për kufirin.

25 parti qeveritare

Sëbashku me partinë e majtë nacionaliste Vetëvendosje, më përpara ai bojkotonte parlamentin. Në fund ai ktheu nga PDK e Hashim Thaçit dhe krijoi aleancë përpara zgjedhjeve, që vetëm se ishte në pushtet.  Si shpeshherë në Ballkan tani problemet madhore pritet të zgjidhen jo nga forcat e moderuara, por më shumë nga ato nacionaliste. Mali i Zi në anën tjetër nuk dëshiron të negociojë më për përmbajtjen e marrëveshjes. Nëse dëshirohet të ratifikohet marrëveshja, kjo duhet të bëhet në versionin e tanishëm. Nëse nuk ratifikohet, atëherë Kosova akoma nuk do ketë liberalizim të vizave, dhe kjo duhet të shqetësojë edhe Haradinajt. Kabineti i tij mjaft i madh me 21 ministri - absurde për një shqet aq të vogël dhe të varfër si Kosovë – tregon sesa shumë forca duhet të “kënaqen”, për të arritur një koalicion. Gjithsej janë 25 parti, mes tyre edhe përfaqësues të partive të vogla. (Adelheid Wölfl, 19.9.2017)/Bota sot

 
 
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat