Rikallo trondit Haradinajn

Politika

Rikallo trondit Haradinajn

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 shtator 2017 Në ora: 07:59
Ramush Haradinaj, Nenad Rikalo

Edhe pas kërkesave të opozitës e Shoqërisë Civile, Qeveria e Kosovës, nuk ka marr vendim për shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili u akuzua nga banorë të lagjes Dardania në Prishtinë, se para dhe gjatë luftës, kishte torturuar shqiptarë. Për njohësit e cështjeve politike, kërkesa për shkarkimin e Rikallos është edhe kërkesë për rënien e qeverisë aktuale. 

Kërkesa e opozitës për shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, është një kërkese për rënien e qeverisë. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Sipas tyre, kjo qeveri është ndërtuar mbi themelet e serbeve, prandaj çdo shkarkim i ndonjë ministri serb do të thotë dobësim, për rënien e kësaj qeverie.

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se në një shoqëri normale, kjo çështje do të duhej ti takonte vetëm institucioneve të drejtësisë, dhe po ashtu do ishte normale që të kërkohej nga prokuroria e vendit që të nisë hetimet ndaj një personi që e akuzojnë fqinjët e tij për vepra kriminale, siç është me rastin e ministrit Nenad Rikallo.

Image
Nexhat Haziri

“Kur kihet parasysh se institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe ato të sigurisë janë të politizuara dhe të diktuara nga politika ditore, vije në pyetje presioni politik. Unë mendoj se opozita do të duhej të këmbëngul që kryeministri Haradinaj ta shkarkojë ministrin Rikallo, deri në një vendim nga institucionet e drejtësisë, mbi vërtetësinë e akuzave që po i bëhen ministrit Nenad Rikallo, për vepra kriminale ndaj fqinjëve të vetë shqiptar në periudhën e luftës . Natyrisht, kjo nuk do të jetë e lehtë as për kryeministrin Haradianj, pasi për një shkarkim të tillë, të një ministri serb, duhet të negociohet edhe me Beogradin, për shkak rrolit të madhe që ka Lista Serbe jo vetëm në Qeveri por edhe në Kuvendin e Kosovës, e cila qeverisë së PAN-it, ia siguron shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh”, ka thënë opinionisti Haziri.

Marrëveshja e “gjymtë” me Listën serbe

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se Qeveria mund të dobësohet shumë me nxitjen e një çështje të tillë, dhe çka me tutje.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, kjo qeveri funksionon me marrëveshje të gjymtë me listën serbe,  e cila është një qeveri multi-etnike.

“Lista serbe tani e ka ndikimin si në kohën e komunizmit Jugosllav dhe është pak e vështirë që në këtë kohë me një kushtetutë mjaft moderne të Kosovës ku dihet se shumica shqiptare gjithmonë mund të bëjë qeveri vet, dhe të detyrohet të bëjë qeveri me listën serbe pra me pakicat. Kjo është një e metë demokratike shqiptare, andaj duhet të gjendet një model i një qeverie të shumicës me respektim të plotë të pakicave”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se ideja e opozitës është të rrëzohet qeveria, pasi ata e kanë paralajmëruar që nga dita e parë se do ta rrëzojnë Qeverinë.

“Kjo qeveri nuk mund të funksionojë pa një konsensus për disa tema me opozitën”, ka thënë Burjani.

Rikallo rrëzon qeverinë

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se kërkesa e opozitës për shkarkimin e Ministrit te Bujqësisë, Nenad Rikallo, është në fakt kërkese për rënien e qeverisë.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo qeveri është ndërtuar mbi themelet e serbeve, prandaj çdo shkarkim i ndonjë ministri serb do të thotë dobësim për rënien e kësaj qeverie.

“Prandaj, kërkesa e opozitës është e pajtueshme për tu realizuar pa një ngritje qytetare, e cila do të ishte presioni më i madh për qeverinë. Nëse qytetarët këmbëngulin fortë dhe janë unik në qëndrimin e tyre për të shkarkuar me çdo kusht ministrin Rikallo, besoj se do të prodhojë rezultat. Nëse vetëm opozita insiston, ose proteston për këtë çështje atëherë më tepër do të ngjasojë me protestë politike sesa diçka humane, apo popullore. Me këtë i thuhet opozitës që të ngjall arsyet tek qytetarët e rëndomtë për të protestuar. E nëse kjo i mbetet vetëm opozitës për të protestuar, atëherë do të mund t’i rikthehet në bumerang politik edhe nga BE-ja e cila do të konsideronte këtë të papranueshme”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Ai ka theksuar se ka shumë rëndësi mënyra e organizmit për ta larguar Rikallon nga Qeveria, por nëse gabon opozita atëherë s’do të shkarkohet Rikallo madje edhe do të merr kritika nga BE-ja.

“Rikallo duhet shkarkuar ashtu si Jabllonovici i cili u shkarkua vetëm pas protestave qytetare, sa për VV e atëhershme Jabllanovici edhe sot do mund të ishte ministër. Dhe nëse kjo qeveri pas 100 ditëve nuk jep rezultate, atëherë duhet të protestojë opozita dhe qytetarët për dështim të saj. Kjo është formulë që jep sukses, pro Rikallon nuk duhet shfrytëzuar për të sulmuar qeverinë ende një javore.”, ka thënë Mehmeti.

Reagimi i Vetëvendosjes

Kërkesa për shkarkimin e Ministrit Nenad Rikallo, ka ardhur ditë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Para disa ditësh disa qytetarë të Kosovës, të tronditur nga emërimi në  postin e Ministrit të Nenad Rikallos, publikuan dëshmitë e tyre për dhunën dhe torturat që sipas tyre ai i ka bërë gjatë luftës, në shërbim të spastrimit etnik dhe represionit të organizuar nga Serbia në Kosovë. Është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur  ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm, tash me poste  qeveritare. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë  që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E  ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të  jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa  deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për  krime lufte”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.

Tu besohet dëshmitarëve

Sipas Vetëvendosjes, nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën  tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për maltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë.

“Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje. Në vendet demokratike pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë  të vogla administrative, që t'i hapin rrugë hetimit. Ministri Rikallo  dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në  gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t'i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet”, theksohet në Komunikatë.

Për Vetëvendosjen, pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai  akuzohet nga dëshmitarët, dhe sigurisht që për të e për secilin të  dyshuar tjetër, duhet të zbardhen të gjitha veprimet gjatë kohës së  okupimit dhe luftës në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat