Fushata për zgjedhjet lokale hapet nesër, analistët parashikojnë ndryshime politike

Politika

Fushata për zgjedhjet lokale hapet nesër, analistët parashikojnë ndryshime politike

Nga: Naile Ejupi Më: 20 shtator 2017 Në ora: 19:29
Ilustrim

Fushata për zgjedhjet lokale hapet nesër, analistët parashikojnë ndryshime politike

Ka mbetur pothuajse edhe dy muaj që nga data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Partitë e mëdha politike në vend, nesër do të bëjnë zyrtarisht hapjen e fushatës zgjedhore.

Lidhja Demokratike e Kosovës, nesër pasdite do të bëjë hapjen e fushatës zgjedhore në Prishtinë, ku do t'i prezantojë të gjithë kandidatët për kryetar të komunave.

 “Nesër më 21 shtator 2017, do të bëhet hapja zyrtare e fushatës dhe do të prezantohen kandidatët për kryetarë të komunave. Hapja e fushatës bëhet në Sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, me fillim në ora 17:00”, ka thënë deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir  Abdixhiku.

Lëvizja Vetëvendosje për dallim prej partive tjera fushatën do ta hap jashtë Prishtinës. Kjo parti  ka zgjedhur qytetin e Prizrenin që të hapë fushatën zgjedhore.

Sipas VV-së hapja e fushatës do të bëhet në orën 17:00 në  Sallën e Sporteve "Sezai Surroi". Kandidat për kryetar të Prizrenit nga kjo komunë është deputeti Mytaher Haskuka.

Partia Demokratike e Kosovës fushatën zyrtare sipas nënkryetarit të kësaj partie nuk do ta bëjë në formë tradicionale në ndonjë tubim, por përmes aktiviteteve që vënë në qendër vëmendjen e qytetarit.

Ai bëri të ditur se fushatën do ta fillojnë në të gjitha komunat ku kandidojnë, ku të gjithë kandidatët do të jenë në mesditë nëpër takime të drejtpërdrejta me qytetarët në qytetet ku garojnë. Ndërsa, kryetari i kësaj partie Kadri Veseli, do të jetë prezent në Mitrovicë së bashku me kandidaten për këtë komunë.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor do të hap zyrtarisht fushatën zgjedhore nesër në orën 17:00 në Sheshin 21.

Ndërsa, Aleanca Kosovare e Re(AKR) do të hap fushatën zgjedhore sonte në orët e vona pas mesnatës, në orën 00:01.

Nisma për Kosovën nesër mban vetëm mbledhje me anëtarë të kryesisë, ndërsa të dielën do të mbajë Konventën e kësaj partie në orën 12:00.

Analistët politikë paralajmërojnë “përmbysjet” e reja në zgjedhjet lokale, gjersa shtojnë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ketë rezultate të njëjta si në zgjedhjet parlamentare.

Analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se partitë kryesore, PDK dhe LDK, do të kenë rënie në zgjedhjet lokale.

Sipas Krasniqit, trendi i ndryshimit dhe i votimit  ndëshkues do të vazhdojë.

“Rënia e dy partive kryesore, PDK dhe LDK, do të vazhdojnë edhe në zgjedhjet lokale. Trendi i ndryshimit dhe ai i votimit ndëshkues do të vazhdojë. Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare janë padyshim treguesi më i mirë i asaj që mund të presim në zgjedhjet lokale. Njerëzit e shohin Vetëvendosjen si mundësinë e fundit për të provuar qeverisjen ndryshe, si dhe një shpresë për të ndëshkuar ata që kanë abuzuar me pushtetin”, ka pohuar Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht rezultateve në zgjedhjet parlamentare, nuk do të kenë rezultate të njëjta edhe në zgjedhjet lokale.

“Pavarësisht nga rezultatet e mira në zgjedhjet parlamentare, kjo nuk është një garanci se Vetëvendosje do të ketë rezultate të ngjashme më 22 tetor, sepse zgjedhjet lokale janë specifike dhe varet shumë se cilët do të jenë kandidatë për kryetarë të komunave. Megjithatë, PDK dhe LDK do të humbasin disa komuna shumë të rëndësishme që i kanë qeverisur deri më tani, dhe Vetëvendosje mund të dal fitues në ato komuna”,  ka theksuar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat