Premtimet boshe nga Thaçi për ushtrinë dhe pengesat nga Lista Serbe

Politika

Premtimet boshe nga Thaçi për ushtrinë dhe pengesat nga Lista Serbe

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 shtator 2017 Në ora: 06:54
FSK

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë pati deklaruar se Prishtina deri kah fundi i këtij viti do të formojë ushtrinë dhe se i gjithë ky proces do të ndodhë në partneritet me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

“Ushtria pres të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kemi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështesë fuqishëm që të ndodhë. Askush se ka të drejtën e vetos mbi ushtrinë”, ka thënë Thaçi për transmetuesin publik.

Por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë duke i analizuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian të cilët kanë thënë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së, pra kjo është një ndër arsyet pse Kosova nuk do të ketë ushtrinë e saj.

Po ashtu, po vlerësohet se këto janë premtime të Thaçit, derisa pengesë për formimin e ushtrisë shihet edhe Lista serbe.

Image
Gurakuç Kuçi

Mesazhi i ambasadorit amerikan

Lidhur me këtë çështje Gurakuç Kuçi, politolog ka thënë për “Bota sot” se krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të ishte indikatori për forcimin dhe anëtarësim në NATO, por deklarata e Thaçit nuk do të vlente të diskutohej para deklaratës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

“Krijimi i Ushtrisë së Kosovës do të ishte indikatori tjetër për forcimin e shtetësisë dhe anëtarësim në NATO. Por presidenti i tanishëm z. Thaçi sa i përket premtimeve çdo herë e ka pasur dorën e lirë dhe fjalët e pakursyera, por realizimet shumë koprracë. Andaj edhe ky premtim i presidentit Thaçi nuk do ia vlente të diskutohej, sikur për të mos të kishte folur më herët ambasadori i SHBA-së në Kosovë, ekselenca e tij, z. Greg Delawie. Ky i fundit kishte thënë se Kosova mund ta bëjë këtë vit ushtrinë, por me ndryshime kushtetuese dhe jo me ligj. Delawie më tutje kishte thënë se qëllim i SHBA-së, është po aq sa i Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por Kosova nuk duhet të ngutet me veprime dhe të prishë marrëdhëniet me aleatët e saj jetikë, siç janë NATO-ja dhe SHBA-ja”, ka thënë Kuçi.

Po ashtu, ai ka thënë se SHBA-ja është ajo e cila do ndikoj në krijimin e FAK-ut dhe me diplomacinë e saj mund ta bëjë të mundur këtë, askush tjetër nga Kosova nuk mund ta bëjë, ne as që kemi diplomaci.

“Por sidoqoftë, ushtria mund të bëhet ka thënë z. Delawie, jo do të bëhet, mundësitë akoma janë të hapura për këtë vit. Nëse nisemi nga rrethanat e tanishme politike, nuk ka asnjë shans që Ushtria e Kosovës të marrë shumicën e dyfishtë në Kuvend edhe nga minoritetet, gjegjësisht ai serb. Por, ka një diplomaci të re brenda vetë shtetit serb nga brenda-jashtë që e ka filluar Vuçiq dhe ndiqet nga të gjithë pushteti atje, ku jo çdo herë duhet të kihet parasysh se çfarë thonë dhe i japin publikut të konsumojnë siç ishte deklarata e fundit e Vulinit për Ushtrinë e Kosovës. Pra, fushata diplomatike e Serbisë është e tillë që nga bashkësia ndërkombëtare të kuptohet si një dialog dhe koncesione fitues-fitues (win-win), ku Serbia do përfitoj nga BE-ja një integrim para vendeve të tjera të mbetura të Ballkanit Perëndimor, dhe Kosovës do i lejoj krijimin e ushtrisë nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e NATO-së, një ulëse në OKB, por që do krijoj autonomi të reja brenda Kosovës dhe jo vetëm në veri të Mitrovicës, ku janë serbët shumicë. Ndërsa, Kosova do i jap asociacionin e komunave me shumicë serbe, kompetenca autonome për komunat serbe, ushtria e Kosovës do jetë me brigada të veçanta për komunat me shumicë serbe etj”, ka pohuar Kuçi.

Deklaratat e zyrtarëve të BE-së

Më tutje, ai ka thënë se mirëpo, arsyeja përse nuk mund të bëhet ushtria këtë vit, potencialisht kemi bazën tek deklaratat e zyrtarëve të BE-së të cilët thonë se deri në vitin 2020 nuk do të ketë zgjerim të BE-së.

“Dhe sigurisht lejen që të votoj pro Lista Serbe në Kosovë, Beogradi nuk do ia japë deri në momentet e fundit kur hyrja e saj në BE është e sigurte dhe do ishte një mbulesë për koncesione në opinion, pasi është arritur një marrëveshje e re mes Kosovës dhe Serbisë, dhe BE-ja do detyroj Beogradin për të bërë demarkacionin e kufirit për anëtarësim. Pra, është një diplomaci merimangë dhe komplekse, që Kosova vetë nuk ka kapacitete që as ta kuptoj, as t’i dalë ballë, e as të shmangë humbjet nga pykat që mund t’i vihen shtetit dhe ta bëjë këtë të fundit jofunksional”, ka thënë ai.

Sipas, Kuçit, ushtria e Kosovës do të bëhet nga diplomacia e SHBA-së, ashtu si pavarësia e Kosovës dhe shpallja si e drejtë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës në GJND, ku SHBA-ja kishte luajtur një diplomaci mbi tehun e thikës, por shumë të suksesshme.

Premtime boshe

Ai ka thënë se anëtarësimi i Serbisë para dy shteteve shqiptare në BE do të ishte i rrezikshëm si dhe ka frikë se nga zvarritjet e BE-së do të jetë më e gjatë pasi NATO e ka nën kontroll sigurinë në Ballkan.

“Nga gjithë kjo, anëtarësimi i Serbisë, para Kosovës dhe Shqipërisë në BE, do ishte prapë shumë e rrezikshme, sepse vendimet e BE-së merren me unanimitet dhe një ditë vendimin pro anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Shqipërisë në Kuvendin e Serbisë vështir që ndonjë lider do siguronte shumicën absolute, pastaj mund të ketë probleme fondesh, etj. Sidoqoftë, ne tani po gjykojmë nga konteksti i kohës, kam frikë se zhegitjet ndërkombëtare sidomos nga BE-ja do jenë më të gjata kur dihet që NATO-ja tani ka nën tutelën e saj të sigurisë gjithë Ballkanin dhe SHBA-ja mund të jetë e zënë me çështje të tjera globale”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti Nexhat Haziri ka thënien se është vetëm një deklaratë boshe e presidentit Thaçi, sikur edhe ajo një vit më parë sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Për më tepër këtë deklaratë duhet parë si një taktikë e z. Thaçi për ta larguar vëmendjen e opinionit nga mënyra se si u formua qeveria e Kosovës dhe funksionimi i sajë i cili varët kryekëput nga vullneti i Listës Serbe”, ka thënë Haziri.

Ndërsa ai ka thënë se nga aspekti tjetër i deklaratës së Thaçit për formimin e ushtrisë brenda këtij viti, po ashtu duhet parë si një përpjekje të tij e sheh për ta forcuar pozicionin e tij në vendimmarrjen politike në Kosovë.

Image
Faik Kraniqi

Pengesa nga serbët

Në anën tjetër, analisti Faik Kraniqi ka thënë se presidenti Thaçi nuk e ka problem të bëj premtime që nuk mund t'i realizoj dhe se ka bërë me qindra të tilla dhe nuk i ka mbajtur.

“Para ca muajsh bëri premtimin e madh që nëse nuk krijohet Ushtria, ai do të jap dorëheqje nga posti i Presidentit. Por nuk e bëri një gjë të tillë. Edhe Presidenti Thaçi, edhe Qeveria edhe opozita, janë të vetëdijshëm që Ushtria nuk është lehtë të krijohet, marrë parasysh që nevojiten votat edhe 2/3 të minoritarëve, dhe serbët nuk do të votonin pro krijimit të saj”, ka thënë  Krasniqi.

Ai e sheh fajtor klasën politike të cilët votuan Pakon e Ahtisarit, ku serbëve u mundësohet që ta bllokojnë me votë në Kuvend, çdo ligj që atyre nuk ju levërdis.

“Kështu që vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte serbët që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, përndryshe do të ngelemi pa krijimin e saj. Ky presion edhe nëse bëhet, do t’i bëhet qeverisë së Serbisë, në mënyrë që ata t’i shtyjnë deputetët serbë të ”Listës Serbe” që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, sepse kjo Listë është e krijuar nga qeveria serbe dhe dirigjohet dhe bindet vetëm urdhrave të tyre”, ka përfunduar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat