19 vite nga vrasja e Ahmet Krasniqit, flasin vëllai i kolonelit e komandanti i Koshares, Anton Quni

Politika

19 vite nga vrasja e Ahmet Krasniqit, flasin vëllai i kolonelit e komandanti i Koshares, Anton Quni

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 21 shtator 2017 Në ora: 12:22
Anton Quni dhe vëllai i kolonelit, Ahmet Krasniqi, Behxhet Krasniqi

Janë bërë 19 vite nga vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit, Ministrit të parë të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Edhe 19 vjet pas vrasjes, ende kërkohet të dihet se kush ishin autorët që vranë kolonelin. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga asnjë gjykatë apo prokurori në lidhje me vrasjen e kolonel Krasniqit, i cili u vra në Tiranë më 21 shtator të vitit 1998.

Kolonel Ahmet Krasniqi në atë kohë ishte ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, derisa sot e kësaj dite nuk është zbardhur rasti, pra nuk dihen autorët e vrasjes së tij. Trupi i kolonelit Krasniqi prehet në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Vëllai i kolonelit, Behxhet Krasniqi ka thënë për gazetën “Bota sot” se vrasja e vëllait të tij Ahmet Krasniqit  si dhe shumë vrasje tjera  që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës nuk janë zbuluar për arsyen e vetme që janë strukturat e mirë organizuara kriminale në të dy shtetet.

 “Rasti i vëllait tim Ahmetit si dhe vrasjet tjera të ndodhura gjatë dhe pas luftës nuk janë zbuluar për të vetmen arsye, sepse strukturat e mirë organizuara kriminale kanë arritur të  instalohen në institucionet më vitale të dy shteteve Shqiptare. Pra, këto struktura i "kanë kap të dy shtetet". Ato për momentin kontrollojnë gjithçka.  Pra, në këto kushte nuk ka qenë e mundur të behët më shumë” ka thënë Krasniqi për gazetën "Bota sot".

Për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni, është shqetësues dhe dekurajues fakti se si autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri nuk kanë guximin të  zbardhin të gjitha prapavijat e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit.

“Heshtja për dy dekada e organeve te autorizuara në rastin e kolonel Ahmet Krasniqit është tregues i pazotësisë , si në Kosove ashtu edhe në Shqipëri. Mendoj që kjo bëhet edhe më evidente kur kemi të bëjmë me inicimin dhe procedimin e rasteve në të cilat mendohet të jenë të implikuara shërbimet dhe formacionet antikombëtare me qëllim të sabotimit të luftës për çlirimin e Kosovës. Është tejet shqetësues dhe dekurajues fakti se si këto autoritete nuk kanë guximin të  zbardhin të gjitha prapavijat; që nga urdhërdhënia deri tek ekzekutimi me tërë mekanizmin mbështetës”, është shprehur deputeti Quni për gazetën "Bota sot".

Tutje, Deputeti Anton Quni ka deklaruar se zbardhja e vrasjes se Kolonel Ahmetit do të hidhte dritë edhe në gjithë zingjirin e vrasjeve të tjera të ndodhura gjatë dhe pas lufte në Kosovë.

“Prandaj, si shoqëri në tërësi nuk po arrijmë të përmbushim obligimin ligjor e moral për të punuar pa ndalë në zbardhjen e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit. Si shoqëri do të duhej të angazhohemi shumë më shumë për të kërkuar zbardhjen e kësaj vrasjeje, marrë parasysh që kemi të bëjmë me vrasjen e një personaliteti angazhimi i të cilit lidhej drejtëpërdrejt më të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës dhe shtetësise së saj. Për fund, mendoj që zbardhja e vrasjes se Kolonel Ahmetit do të hidhte dritë edhe në gjithë zingjirin e vrasjeve të tjera të ndodhura gjatë dhe pas lufte në Kosovë”, është shprehur deputeti Anton Quni për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat