Katër letrat e Thaçit, në duar të Gjykatës Speciale?

Politika

Katër letrat e Thaçit, në duar të Gjykatës Speciale?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 shtator 2017 Në ora: 14:09
Hashim Thaçi

Në letrën e parë, presidenti Thaçi kishte theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës, konkretisht për zbardhjen e disa prej masakrave më të rënda që kishin ngjarë gjatë luftës.

Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike dhe disa krime të tjera gjatë kësaj periudhe.

Në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999.

Image
Haki Abazi

Kurse,  në letrën e katërt, presidenti Thaçi kishte thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë.

Haki Abazi njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për “ Bota Sot” se letrat e Presidentit për Prokurorinë kanë qenë vetëm një farsë e momentit dhe pa ndonjë peshë.

“As presidenti e as ndonjë institucion tjetër nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punën e prokurorisë, por kjo është e qartë që tani nuk është situata dhe për këtë arsyeje në vazhdimësi sistemi i drejtësisë ka qenë hallka më e dobët ku edhe vazhdon të jetë e tillë”, ka thënë Abazi.

Image
Muhamet Kelmendi

Letrat në sirtar

Po bëhen gati një vit që kur Presidenti Thaci kishte nisur letrat në drejtim të Prokurorisë së shtetit, mirëpo kjo e fundit ende nuk ka treguar ndonjë rezultat lidhur me këto hetime. Prokuroria nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me adresimin e këtyre letrave dhe rezultateve konkrete.

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, duke folur rreth asaj se a u harruan katër letrat e Presidentit drejtuar në Prokurorinë e Kosovës, nga Presidenti Thaçi për zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës, dhe se a do ti kalohen këto letra Gjykatës Speciale në mungesë rezultati, ka thënë për “ Bota Sot” se rastet e vrasjeve në luftë janë objekt i Gjykatës Speciale, meqë edhe për këtë rast është krijuar kjo gjykatë ndërkombëtare.

Sipas tij, letrat e Thaçit kanë mbetur në sirtar, sepse nuk ka qenë qëllimi i azhuritetit të Gjykatave, por vetëm ana propagandistike, për të treguar se gjoja është duke kryer punë.

“Kjo gjë u pa madje edhe nga puna e gjykatave dhe nga interesi i vet Thaçit. Ky nuk u interesua fare më, për çështjen e ngritur me letrat e bëra nga Thaçi dhe ato mbetën në pozitën e njëjtë dhe asgjë më shumë, “ ka thënë Kelmendi.

Image
Tomë Gashi

Në duar të Gjykatës Speciale

Ndërsa, Avokati Tomë Gashi ka thënë se katër letrat e Presidentit Thaçi drejtuar kryeprokurorit të Kosovës z. Aleksander Lumezi nuk janë harruar dhe me siguri që Prokuroria e Shtetit i ka ato dhe mund të jenë pjesë e hapjes se rasteve të caktuara për tu hetuar ashtu siç ka kërkuar apo propozuar vet z. Thaçi.

Ai ka vlerësuar se kërkesa për zbardhjen e rasteve të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës, nuk është kërkesë vetëm e z. Thaçit, të paraqitur në letrat e tij të famshme, por kërkesa të tilla ka pasur nga individë, parti politike, e posaçërisht nga LDK dhe nga shoqëria civile, që nga paslufta e deri më sot.

“Sigurisht që Gjykata Speciale ka të drejtë dhe obligim që të merret edhe me hetimin, zbulimin dhe akuzimin e personave përgjegjës për vrasjet politike por kjo është krye këput në kompetencë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë në kryer të së cilës është Kryeprokurori Amerikan David Shwendiman”, ka thënë avokati Gashi.

Image
Lirim Zorra

Show mediatik

Lirim Zorra ligjërues në Kolegjin ISPE, ka thënë se letra e Peridentit Thaçi ishin më shumë shoë mediatik, sesa diçka reale që mund të shpresohej që mund të zgjidhej çështja e vrasjeve të mëdha para dhe mbas luftës.

Sipas tij, kjo është bërë për disa arsye, e para që nga viti 1999 e tutje nuk ka pasur vullnet as nga UNMIK-u e as nga Policia e Kosovës dhe as nga EULEX për zbardhje reale të këtyre vrasjeve, sepse mund të krijonte pasoja politike dhe destabilizim të situatës.

“Presidenti përmes këtyre letrave synonte të tregonte që është president i  unitetit dhe person i cili është i pastër dhe që nuk frikësohej nga ndonjë akuzë e mundshme. Po ashtu këto letra nuk mund të konsiderohen si diçka që mund të lëvizin procesin sepse prokuroria dhe policia e ka obligim të zbardhë çdo vrasje, e veçanërisht këto vrasje që kanë mundur të kenë edhe ndikime politike. Dhe patjetër që Gjykata Speciale duhet dhe besoj që të merret me këto raste, sepse janë një pjesë e errët e historisë më të re të Kosovës. Andaj, zbardhja sa më e shpejtë e këtyre akteve e lehtëson frymëmarrjen e demokracisë në Kosovë si dhe sqaron faktin se a kishte vrasje politike dhe kush ishin mbrapa këtyre akteve”, ka thënë ligjëruesi Zorra.

Image
Nexhat Haziri

Amullia rreth vrasjeve

Ndërkaq, Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se, kjo kërkesë po vinte nga një njeri që kishte mundësi si kryeministër në dy mandate, për ti dhen rast institucioneve të drejtësisë, për ti inkurajuar këto për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

“Pikërisht koha kur ai na doli si "babgjan" me ato letra në duar, ishte koha kur z. Thaçi ishte i siguruar se sistemi i drejtësisë ishte nën kontrollin e vartësve të tij, kur prokuror dhe gjykatës ishin emëruar dhe zgjedhur nga eksponent të SHIK-ut, doli më këtë ide, sa për të krijuar amulli rreth këtyre vrasjeve. Unë besoj se këto raste do të trajtohen nga Gjykata Speciale dhe akterët e këtyre vrasjeve të marrin dënimin e merituar. Kjo edhe do të shënoj fillimin e dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë, pasi e kemi thënë jo rrallë herë se nëse jo ekzekutorët e drejtpërdrejtë, urdhërdhënësit gjithsesi janë në institucionet më të larta të shtetit”, ka thënë Haziri.

Ndryshe analisti politik Faton Mehmeti duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se nëse dikush mendon se Thaçi e ka kapur seriozisht këtë çështje kur ka dërguar letër prokurorisë për të hetuar vrasjet gjatë dhe pas lufte, gaboni shumë.

Image
Faton Mehmeti

“Shfajësimi i Presidentit”

Sipas tij, Thaçi këtë e ka bërë sa për sy e faqe, siç thotë populli.

“Është non-sens të besosh se Thaçi kërkon drejtësi, pasi kjo do të thotë  që të arrestonte veten. Ato letra dërguar Prokurorisë ishte tallje me të vrarit, me familjet e tyre dhe me të gjithë qytetarët e vendit. Thaçi ka dashur që me kaq ta  përmbyll këtë çështje, duke arsyetuar para botës se po e nxit Prokurorinë dhe se Kosova do i hetojë këto vrasje. Por, bota e ka kuptuar tashmë se kush është Thaçi”, ka thënë analisti Mehmeti duke shtuar se prandaj është themeluar kjo Gjykatë.

Ai ka theksuar se Gjykata Speciale është themeluar si pasojë e dështimit të institucioneve tona.

“Derisa politikanët e sotëm, vrasës të dikurshëm, han dhe pinë me prokuror vërtet mendon dikush se vrasjet në Kosovë do të hetoheshin nga prokurorët vendor a, kurrë jo. Megjithatë, shpresojë që Gjykata Speciale të ketë sukses, në mënyrë që të dal e vërteta në pah një herë e përgjithmonë. Që vrasësit mos të tallen me të vrarit dhe familjet e tyre. Të gjithë e dimë se Hashim Thaçi është pjesë e klanit që kanë urdhëruar të vriten kundërshtarët politik dhe kjo do të dal shume shpejt në shesh”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat