Përplasja me Pacollin për postin e Presidentit, Thaçi synon edhe një mandat

Politika

Përplasja me Pacollin për postin e Presidentit, Thaçi synon edhe një mandat

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 shtator 2017 Në ora: 07:24
Behgjet Pacolli dhe Hashim Thaçi / Foto arkiv

Presidenti i Kosovës zgjidhet nga parlamenti, por ky post së fundmi po caktohet nëpërmjet marrëveshjeve politike, me anë të të cilave po formohet qeveria.

Presidenti aktual, Hashim Thaçi, i cili ishte lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ishte caktuar për këtë post nga marrëveshja PDK-LDK, para se të vinte në Kuvend për votim.

Ndërsa tani, sipas marrëveshjes PAN-AKR, pas përfundimit të mandatit të presidentit Thaçi, në këtë post do të jetë lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Por, a do të duhej të ndryshohej ligji për zgjedhjen e presidentit, që ai të zgjidhet direkt nga populli?

Image
Artan Murati

Thaci synon edhe një mandat

Lidhur me këtë, hulumtuesi i lartë në KDI, Artan Murati, e sheh të panevojshme një gjë të tillë, ndërsa për marrëveshjen aktuale për presidentin e ardhshëm, ai thotë se presidenti aktual ka deklaruar se synon dy mandate në këtë post.

“Marrëveshjet politike të cilat arrihen mes subjekteve politike nuk prodhojnë asnjë efekt juridik, rrjedhimisht janë shumë lehtë të thyeshme nga palët. Deri më tani ka fare pak marrëveshje të cilat janë respektuar në përpikëri nga subjektet, e dyshoj se edhe kjo e fundit e arritur mes PAN dhe AKR do të mund të zbatohet, sidomos kur bëhet fjalë për postin e Presidentit. Presidenti aktual, z.Hashim Thaçi, në disa raste ka deklaruar se synon dy mandate, dhe duke pasur parasysh të kaluarën e tij politike si lider i PDK-së, është e vështirë të besohet se kjo parti do ta përkrahte z.Pacolli para z.Thaçi. Sa i përket zgjedhjes së Presidentit nga populli, konsideroj që kjo është e panevojshme në një demokraci parlamentare siç është Republika e Kosovës”, ka deklaruar Murati për gazetën “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi ka thënë se duhet reformim në sistemin elektoral, që qytetarët të zgjedhin vetë personat e duhur.

“Kosovës i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë vullneti politik për ta reformuar sistemin elektoral. Sistemi zgjedhor që aplikohet sot nuk ofron zgjedhje të drejta dhe demokratike. Vendit tonë i duhet një sistem elektoral i cili do të promovonte demokraci dhe do t’i përshtatej rrethanave të vendit tonë. Për shkak të këtyre rrethanave, vazhdojmë të kemi njerëz pa legjitimitet në krye te vendit, që vijnë në pushtet përmes marrëveshjeve politike”, është shprehur Gjoshi për “Bota sot”.

Sistemi elektoral aktual u ka konvenuar partive politike

Sipas tij, partitë nuk e kanë ndryshuar ligjin pasi ju ka konvenuar që përmes marrëveshjeve politike ta zgjedhin presidentin.

“Vite më parë është folur që Kosova të kaloj nga qeverisja parlamentare në atë gjysmë-presidenciale, pra, presidenti i vendit të mos zgjidhet nga parlamenti por nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve. Megjithatë, si duket, sistemi elektoral aktual u ka konvenuar partive politike në vend dhe prandaj, e kanë preferuar këtë status quo. Kosovës i duhet një reformë rrënjësore që u ofron qytetarëve mundësi për të zgjedhur përfaqësues të denjë, i duhet reformë që krijon legjitimitet, përfaqësim parlamentar, llogaridhënie dhe mbi të gjitha, një sistem i cili i inkurajon qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka deklaruar avokati Gjoshi.

Image
Enver Hoti

Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Enver Hoti e mbështet mënyrën e zgjedhjes së presidentit nga parlamenti, pasi jemi sic thotë ai, republikë.

“Ne jemi republikë parlamentare dhe presidenti duhet të vazhdojë të zgjidhet nga parlamenti. Ne jemi republikë dhe ajo është çështje tjetër, duhet një reformë e thellë, duhen ndryshime kushtetuese dhe ne e mbështesim sistemin parlamentar”,është shprehur Hoti për “Bota sot”.

Sa i përket marrëveshjes ai thotë se nuk e ka parë dhe nuk dëshiron ta komentojë atë.

Pazaret me Presidentin, të rrezikshme

Image
Enver Bytyqi

E profesori dhe analisti Enver Bytyqi, thotë se presidenti është simbol i unitet kombëtar dhe se çdo Pazar me të është Pazar me të ardhmen e kombit dhe Kosovës.

“E vetmja gjë dhe i vetmi post, i cili humbet integritetin e tij, nëse bëhet pazar është funksioni i Presidentit të Republikës së Kosovës. Posti i Presidentit i jep Kosovës statusin e shtetit të pavarur. Të gjitha postet e tjera, kryeministri, kryetari i kuvendit, madje edhe gjykata kushtetuese e gjykata e lartë mund të jenë gjithashtu në një republikë federative. Pra, nëse Kosova do ishte pjesë federative e Serbisë do t’i kishte të gjitha postet, përveç postit të presidentit. Presidenti është simbol i unitetit kombëtar dhe kombi identifikohet gjithashtu me shtetin. Prandaj çdo pazar me këtë post është pazar me të ardhmen e kombit, të shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

PDK nuk do ta mbajë fjalën

Bytyqi ka komentuar marrëveshjen PAN-AKR, sipas të cilës Pacolli do të jetë president pas përfundimit të mandatit të Thaçit, ku sipas tij, PDK nuk do t’ia japë këtë post Pacollit.

“U fol se marrëveshja midis PAN dhe AKR-së përfshin njëkohësisht postin e presidentit të rezervuar për zotin Pacolli. Nuk është fjala për ta lidh me emrin e zotit Pacolli. Cilido emër që bëhet pjesë e pazarit do të përbënte një precedent të rrezikshëm, sepse do të duhen dhe gati katër vjet për të pasur një president të ri, në vend të zotit Thaçi, nëse ai nuk do të donte të ishte në këtë detyrë edhe një mandat të dytë. Unë jam i bindur se PDK nuk do ta mbajë fjalën dhe nuk do t’ia japë zotit Pacolli këtë funksion. Besoj se dhe vetë zoti Pacolli e bën një llogari të tillë. Por fenomeni është i rrezikshëm, është bizar, i papranueshëm dhe madje i dëmshëm. Duket sikur institucionet e Kosovës janë lodra fëmijësh në duart e një ose dy personave”, ka vazhduar më tutje.

Nevoja për ndryshimet kushtetuese

Për këtë, profesori e sheh të arsyeshme që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe që presidentin ta zgjedhë populli.

“Mu për këtë arsye presidenti duhet të zgjidhet nga qytetarët e Kosovës. Duhet ndryshuar kushtetuta dhe kryetari i shtetit të jetë produkt i vullnetit të qytetarëve të vendit. Ndryshe do vazhdojë loja me president, me kryeministra dhe me qeveri e gjykata, si edhe deri më sot. Kështu do vazhdojë që Kosova të qëndrojë në tehun e thikës, të mos ketë institucione të qëndrueshme. Duhet menduar se zgjedhja e pastaj largimi i presidentëve nga funksionet, që në Kosovë ka ndodhur dy herë, nuk është një gjë e mirë për shtetësinë dhe seriozitetin e institucioneve në Kosovë, nuk krijon një imazh pozitiv në botë, për të cilën Kosova ka nevojë ë shumë se çdo komb e vend tjetër në botë”, ka përfunduar Bytyqi për “Bota sot”.

Ndryshe, cështja e Presidentit është e theksuar në marrëveshjen ndërmjet koalicionit PAN dhe partisë së Behgjet Pacollit, AKR-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat