Demarkacioni me Malin e Zi, përballja me një realitet të ri

Politika

Demarkacioni me Malin e Zi, përballja me një realitet të ri

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 shtator 2017 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një ndër temat më aktuale në vendin tonë, pa marr parasysh se marrëveshja është nënshkruar në Bruksel para dy vitesh.

Demarkacioni, ishte pikërisht kjo çështje e  përdorur edhe nga opozita e mandatit të kaluar për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa. Sipas LDK-së, Demarkacioni doli në fakt strategji për rrëzimin e qeverisë, ku sipas LDK-së kjo gjë po vërtetohet pothuajse çdo ditë. 

Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje shpresojnë që AAK dhe Haradinaj të mos ndryshoj qëndrimin për Demarkacionin, marrëveshje kjo e kundërshtuar vazhdimisht nga Vetëvendosje, AAK dhe NISMA. Sipas VV-së, duhet të ketë një marrëveshje të re, pasi marrëveshja e nënshkruar para dy vitesh nuk vlen më, dhe se zgjidhja duhet të jetë e kënaqshme  për të dy palët.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Demarkacioni, kauze e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, duke folur për gazetën “Bota sot”, e ka ritheksuar edhe njëherë çështjen e Demarkacionit, duke thënë se kauza opozitare doli strategji për rrëzimin e qeverisë Mustafa, ku sipas saj kjo tani veç po vërtetohet çdo ditë e më shumë.

“Edhe në intervistën time të mëhershme e kam theksuar se çështja e demarkacionit në qeverinë e kaluar ishte një shpërfaqje e patriotizmit momental të disa politikaneve në atë kohë. Së këndejmi ajo si kauze opozitare doli në fakt strategji për rrëzimin e qeverise e cila tani veç po vërtetohet çdo ditë. Dihet se faktori ndërkombëtar me BE dhe SHBA kanë qenë të prerë se kjo marrëveshje është ok dhe ajo vetëm duhej ratifikuar në kuvend dhe se kjo është vetëm një çështje e brendshme e Republikës se Kosovës”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.

Sipas Rexhepit, Haradinaj, po ballafaqohet me realitet të ri dhe se LDK do të jep versionin e drejtë të cilin version Haradinaj e kalkuloi vetëm e vetëm të vij në pushtet.

“Tani kryeministri Haradinaj duhet të ballafaqohet me realitetin e ri, si ta kaloj një marrëveshje të tillë e cila duhej kaluar qysh para disa kohësh. Dhe ne si LDK do të jemi konciz dhe para opinionit do të japim versionin e drejte të cilin version Haradinaj e kalkuloi vetëm e vetëm të vij në pushtet. Ne këtë rast qytetaret duhet të vlerësojnë drejtë se si Haradinaj e shfrytëzoi këtë çështje dhe si e mashtroi opinionin me këtë kauzë, Demarkacionin!!”, ka përfunduar Bunjaku Rexhepi për “Bota sot”.

Image
Faton Topalli

Vetëvendosje: Duhet marrëveshje e re për Demarkacionin

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli shpreson që kryeministri i vendit të mos lëshoj pe për çështjen e Demarkacionit shi dhe shkarkimin e delegacionit të vjetër është një fillim i mirë.

“Marrëveshja me Malin e Zi për çështjen e demarkacionit është kundërshtuar nga AAK së bashku me Nismën dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë pres dhe shpresoj që Haradinaj në këtë çështje nuk do të lëshoj pe. Shkarkimi  i delegacionit të vjetër është një fillim i mirë. Të tjerat pastaj do t’i shohim në proces e sipër”, ka thënë ai.

Topalli thekson se  marrëveshja ekzistuese nuk vlen më,  dhe se zgjidhja duhet të jetë e kënaqshme  për të dy palët.

“Ajo që miqtë tonë ndërkombëtar kanë kërkuar, është që kjo çështje të zgjidhet. Zgjidhja duhet të jetë e kënaqshme për të dy palët. Marrëveshja ekzistuese nuk vlen, derisa nuk është ratifikuar nga të dy vendet. Pra ka bazë për diskutime dhe korrigjime të cilat ne i duam”, është shprehur  Topalli.

Image
Gurakuç Kuçi

Demarkacioni të rrëzohet në Kuvend

Kurse, politologu dhe drejtori në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Gurakuç Kuçi shprehet se rruga e duhur është rrëzimi Demarkacionit në Kuvend dhe nuk është e plotfuqishme nëse nuk kalohet në dy Kuvendet, atë të Kosovës dhe atë të Malit të zi.

“Situata politike në vend dhe influencat e jashtme mund të na ballafaqojnë më të papritura. Besoj se rruga e duhur është që demarkacioni të rrëzohet në Kuvend, dhe marrëveshja me Malin e Zi e parasheh se pa kaluar në të dy kuvendet e të dyja vendeve ajo nuk është e plotfuqishme, dhe sado që tani deklarativisht kemi një insistim të Malit të Zi se kjo çështje është e kryer, ata duhet të detyrohen tu përmbahen pikave të marrëveshjes, pasi Kuvendi është përfaqësues i sovranit (popullit) dhe jo komisionet”, ka thënë Kuçi .

Kuçi thekson se çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit dhe se asnjë presion nuk është më i fuqishëm së fjala e sovranit.

“Por edhe shkuarja në Gjykatën e Arbitrazhit pa përkrahje ndërkombëtare është një vështirësi tjetër dhe problem në vete. Dhe tani është momenti që tek çështja e demarkacionit edhe Vetëvendosje duhet ta ndihmojë qeverinë, pasi AAK-Nisma dhe VV-ja kanë si kauzë të përbashkët dhe këtu është momenti të na e vërtetojnë seriozitetin të dyja palët”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Kuçi,  ka shtuar se Demarkacioni nuk duhet të dështojë për shkak të inateve politike për asnjë moment, pasi sipas tij duhet të konsiderohet si një kauzë shtetërore dhe aspak individuale apo partiake, pa marrë parasysh që nëse në arbitrazh dalim fitues apo jo.

“Nuk duhet të harrojmë se kundërshtarë të demarkacionit si Enver Hasani dikur deklaronin që nëse kjo çështje shkon në Gjykatën e Arbitrazhit, të paktën 70% e territorit të humbur do t’i kthehet Kosovës. Sidoqoftë, tani neve na duhet një zgjidhje e shpejtë kalimtare mes BE-së, SHBA-së, Kosovës dhe Malit të Zi, që kjo çështje të mos bllokoj integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave, dhe aleatët ndërkombëtarë përkundër qëllimeve të mira duhet ta ruajnë dashurinë e popullit shqiptar për perëndimorët si një kristal në Ballkan”, ka përfunduar  Kuçi.

Image
Faik Krasniqi

Ligj i ri

Kurse, analisti Faik Krasniqi, ka thënë se pas emërimit të komisionit të ri për Demarkacionin do të krijohet një ligj i ri dhe që kufiri me shtetin fqinj të jetë në pikat Kullë dhe Çakorr.

“Janë bërë më shumë se dy vite që kur është nënshkruar marrëveshja për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Mirëpo, nga ky ligj nuk pajtohet kryeministri  Haradinaj i cili po shprehet tejet i bindur se kjo marrëveshje është me plotë gabime. Me ardhjen e tij në postin e kryeministrit, në mbledhjen e parë të Qeverisë shkarkoi Komisionin e Murat Mehës dhe krijoi një komision të ri me Shpejtim Bulliqin, në mënyrë që gabimet e bëra të përmirësohen dhe të vendoset një ligj i ri që kufiri me shtetin fqinj të jetë në pikat Kullë dhe Çakorr”, ka theksuar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat