Misioni i pamundur i Ramush Haradinajt!

Politika

Misioni i pamundur i Ramush Haradinajt!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 shtator 2017 Në ora: 12:22
Votimi i qeverisë në Kuvendin e Kosovës

Gjatë fushatës elektorale, lideri i AAK-së, tash kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri premtime të shumta, për realizimin e çështjeve të mëdha për vendin. Se Asociacioni e Demarkacioni do të zgjidheshin ishin premtime nga lideri i AAK-së, por ajo që ka më shumë interes për qytetarët, është liberalizimi i vizave, të cilat Haradinaj premtoi se do të hiqeshin për qytetarët e Kosovës pas 90 ditë qeverisje nga ai.

Bashkimi Evropian si kushte kryesore ka marrëveshjen e demarkacionit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit, kushte këto që i ka përsëritur edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila ka thënë se duhet rezultat përfundimtar për demarkacionin dhe arritje në luftimin e krimit dhe korrupsionit, që më pas BE të vazhdojë procesin për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

Gazeta "Bota sot" ka kontaktuar me zyrën për informim të kryeministrisë dhe u ka dërguar pyetjet për çështjen, por nuk janë përgjigjur.

Lidhur me mundësinë e realizimit të këtij premtimi, analistët dhe anëtarët e subjekteve politike kanë shprehur mendimet e tyre.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Më parë shkoj unë në hënë se bëhet liberalizimi i vizave

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se një premtim i tillë nuk do të mund të realizohet, aq sa mund të realizohet shkuarja e tij në hënë.

“Haradinaj mundet me e përmbushë atë premtim aq sa që unë mund të shkoj në hënë...madje madje shkuarja ime në hënë është më afër mendsh”, ka deklaruar Gecaj.

Image
Avni Mazrreku

Liberalizimi nuk bëhet menjëherë pas ratifikimit të demarkacionit

Ndërsa, njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Avni Mazrreku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo çështje nuk duhet të ketë qasje kohore, siç është thënë për 90 ditë, sepse kjo del jashtë një konteksti të përcaktuar kohor, derisa ka shtuar se ky proces është i bllokuar nga demarkacioni, por që edhe pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, do të fillojë procesi tjetër.

“Kur zhbllokohet procesi, pra kur ratifikohet marrëveshja, Kosovës prapë nuk i garantohet automatikisht lëvizja e lirë e qytetarëve, për shkak se vendimi final merret nga Këshilli i BE-së, ku shtetet e Bashkimi Evropian nëpërmes një sistemi ku duhet të votojnë së paku 55 për qind e shteteve”, është shprehur Mazrreku.

Profesori Mazrreku thotë se liberalizimi i vizave mund të bllokohet nëse katër shtete, që përbëjnë 35 për qind të popullatës evropiane, janë kundër heqjes së vizave për Kosovën.

“Në BE 5 shtete e nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, por fatmirësisht këto 5 shtete nuk përbëjnë 35 për qind të popullsisë evropiane, megjithatë ka shtete që e kanë njohur Kosovën por janë skeptike në liberalizimin e vizave të saj për shkak të migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës gjatë vitit 2014-2015, por edhe më pas”, ka deklaruar Mazrreku për "Bota sot".

Image
Selim Daku

Liberalizimi në qershor të vitit të ardhshëm

Në anën tjetër, Selim Daku, drejtor i Qendrës Kosovare për Diplomaci ka thënë se Haradinaj këtë pohim e ka bërë nga pozita e bllokuesit kryesorë të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke përmendur gjithnjë versionin e marrëveshjes të punuar nga komisioni i drejtuar nga Murat Meha.

“Besoj që Haradinaj nuk ka menduar që është e mjaftueshme vetëm të hiqet dorë nga bllokimi i marrëveshjes, por se do të duhet të ofrohet edhe një zgjidhje. Për këtë arsye ai ka emëruar ish-deputetin e LDK-së dhe kundërshtuesin më të madh të versionit të demarkacionit të punuar nga ish-komisioni qeveritar prof.dr. Shpejtim Bulliqi si drejtues të komisionit të ri qeveritar për demarkacionin. Padyshim që edhe komisionit të ri qeveritar do të i duhet kohë për të ardhur në përfundime, shto këtu edhe kompleksivitetin e diskutimeve ne palën Malazeze”, ka deklaruar Daku për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse çdo gjën shkon në rregull me demarkacionin, qytetarët e Kosovës ndoshta mund të lëvizin të lirë në qershor të vitit të ardhshëm.

“Në këtë kuptim, nëse paragjykojmë që në këtë proces punët ecin më së miri dhe pa asnjë problem deri në ratifikim të demarkacionit si kusht i parë për liberalizim të vizave, atëherë konsideroj që qytetarët e Kosovës pa viza ndoshta mund të udhëtojnë në fillim të qershorit të vitit të ardhshëm. Duke mos llogaritur këtu edhe qëndrimet e BE-së për kushtin e dytë që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar Daku.

Image
Sami Blakaj

Partitë t’i tejkalojnë ndarjet klanore për në rrugën e Kosovës drejt BE-së

E njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj thotë se është për keqardhje që qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin të lirë, si pasojë e krimit, korrupsionit dhe demarkacionit, e që për këto kushte ëndrra e tyre për lëvizje të lirë po shuhet.

“Është vërtetë për keqardhje që edhe sot e kësaj dite Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon, kur bëhet fjalë për udhëtim të lirë në zonën Schengen. Akoma më i keq është fakti kur dihet se qytetarët e Kosovës kanë mbetur peng i izolimit të tyre si rezultat i nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit në vend, por edhe si pasojë e mos demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Janë pikërisht këto dy kritere kryesore që fatkeqësisht po vazhdojnë të shuajnë shpresën qytetare se një ditë do të ketë dritë për të ardhmen e tyre. Prandaj më shumë se kurrë vendi ka nevojë për një dinamikë të re të punës qoftë në funksionimin dhe pavarësimin e drejtësisë, por edhe në arritjen e marrëveshjes për demarkimin e kufirit”, ka deklaruar Blakaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se duhet të gjendet një zgjidhje për demarkacionin, që të vazhdohet tutje agjenda e Kosovën në rrugën drejt BE-së.

“Kosova ka ngecur jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe më shumë se kurrë klasa jonë politike ka për obligim moral, politik dhe institucional që të gjejë zgjidhjen e një konsesusi nacional. Ky kompromis nacional sigurisht që duhet t’i tejkalojë ndarjet partiake, klanore, politike eventuale dhe domosdoshmërish duhet të prodhojë rrugëdalje nëse vërtet dëshiron të shtyjë agjendën tutje. Mendoj se nuk do të duhej të kishte vonesa nëse kjo klasë politike e ka vullnetin politik që të shtyjë përpara agjendën shtet-formuese të Kosovës”, është shprehur ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat