Haradinaj kushtëzohet nga orekset e ministrave serbë

Politika

Haradinaj kushtëzohet nga orekset e ministrave serbë

Nga: A.Zhushi Më: 22 shtator 2017 Në ora: 23:42
Nenad Rikallo dhe kabineti qeveritar

Qeveria e re e Kosovës ka shqyrtuar, votuar dhe miratuar programin qeverisës dhe i njëjti është proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Programi është votuar tre ditë më parë nga të gjithë ministrat, përveç atij të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili ka abstenuar.

Haradinaj nuk është marrë me votën e Rikalos, por duke përshkruar në pika të shkurtra programin që qeveria pret ta realizojë pas kalimit në Kuvend, ka thënë se në epiqendër të tij është rritja ekonomike dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Analistët politikë kanë vlerësuar se një veprim i tillë i ministrit të Bujqësisë, dëshmon se Qeveria e ka të vështirë funksionimin, pasi pushteti është fituar nga koalicionet e jo nga një parti.

Shahu: Haradinaj i varur nga humori i Listës serbe

Image
Rexhep Shahu

Rexhep Shahu, analist politik, mendon se Rikalo nuk po i zbaton urdhërat e kryeministrit.

“Është rrisk i pranuar nga shqiptarët, është jo e pathënë apo e panjohur. Qeveria nuk funksionon në vendet demokratike si repart ushtarak, por si organizim i lirë demokratik. Ministri i Bujqësisë nuk i zbaton urdhërat e kryeministrit se nuk funksionon me urdhëra qeveria. Abstenimi i ministrit serb të Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, dëshmon se Qeveria e ka të vështirë të funksionojë dhe nuk shkojnë gjërat perfekt, sepse pushteti nuk është fituar nga një parti, por kemi koalicione”, ka thënë Shahu.

Sipas tij, Haradinaj do ta ketë vështirë, pasi do të kushtëzohet nga orekset dhe humori i ministrave të Listës serbe.

“Zgjidhja është përmes negocimeve, bisedimeve dhe në fund me vullnet shumicë. Qeveria Haradinaj, e ka të vështirë se do të kushtëzohet shpesh nga orekset dhe humori i ministrave të Listës serbe”, është shprehur analisti Rexhep Shahu.

Ndryshe, ministry Rikalo, ishte temë debate që nga ardhja e tij në këtë post, për shkak të akuzave të banorëve të lagjes “Dardania” të Prishtinës, për keqtrajtim të shqiptarëve në vitin 1999. Por, Qeveria dhe organet përgjegjëse, Prokuroria dhe Policia, nuk kanë ndërrmarr ende asnjë veprim ndaj tij./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat