Kompromisi i “dhimbshëm” i PDK-së nga frika e qeverisë Mustafa

Politika

Kompromisi i “dhimbshëm” i PDK-së nga frika e qeverisë Mustafa

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 shtator 2017 Në ora: 10:31
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Janë në pushtet si koalicion, por brenda Kuvendit partitë e koalicionit PANA janë të ndara në tre grupe parlamentare.

Nisma për Kosovën e cila edhe gjatë fushatës mbajti fushatë vetanake, u nda si grup i veçantë parlamentar me shef Bilall Sherifin.

Pas Nismës, si grupe të veçanta parlamentare do të funksionojnë edhe PDK, me shef të grupit parlamentar Memli Krasniqin dhe AAK me shef të grupit Ahmet Isufin.

Edhe pse ende jo përfundimisht, mundësinë për tu ndarë si grup parlamentar po e sheh edhe Aleanca Kosova e Re.

Lidhur me këto ndarje, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, thotë se i gjithë bashkimi në koalicion është bërë që të mos jetë në qeverisje Isa Mustafa dhe tani secila parti synon përfitimet për vete.

“Dihet mirëfilli se koalicioni parazgjedhor PAN është sajesë e krijuar enkas për t'iu kundërvënë LDK-së, nga droja se, nëse në zgjedhje do të dilte fituese LDK-ja, do të vazhdonte sërish të mbetej në pushtet Qeveria Mustafa. Që të pengohej kjo mundësi, e vetmja mundësi ishte që PDK-ja të bënte kompromise të dhimbshme, duke ia dorëzuar kryeministrinë AAK-së, e nëpërmjet të saj të përfitohej edhe NISMA, që, bashkërisht krijuan koalicionin fitues. Ky ishte qëllimi dhe, pasi kjo është realizuar, është krejtësisht e natyrshme që, partitë politike të mendojnë dhe veprojnë si është më së miri për to në planin afatgjatë, sepse, mandati i fituar kalon shpejt dhe, partitë politike sërish duhet të ballafaqohen me vetveten dhe të ruajnë veçantinë e tyre partiake. Kjo është arsyeja kyçe që NISMA është ndarë si grup parlamentar, ndonëse, kjo parti këtë qëllim nuk e ka fshehur as gjatë fushatës zgjedhore, kur të gjitha aktivitetet i ka zhvilluar në mënyrë vetanake dhe jo brenda koalicionit PAN”, ka thënë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Ai nuk e sheh të panatyrshme ndarjen në grupe, derisa thotë se koalicionet e tilla, të zorit e kanë jetëgjatësinë e shkurtë, mirëpo thotë se është e vështirë të kuptohet se si do të ruhet konsensusi i pozitës në grupe të ndara.

“Unë mendoj se NISMA ka raporte shumë të mira me AAK-në, por jo edhe me PDK-në, nga e cila janë përzënë dy nga figurat kryesore të saj, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, të cilët e kanë të pamundur që të harrojnë përbuzjen që u është bërë. Përndryshe, tendencën e ndarjes së grupeve parlamentare edhe nga partitë e tjera të koalicionit, e shoh krejtësisht të arsyeshme, sepse, është njëfarë ligji i pashkruar, që, koalicionet e zorit e kanë jetëgjatësinë e shkurtë dhe shprishjen e lehtë, sidomos nëse kemi të bëjmë me koalicione të panatyrshme, siç ishte PANA! Prandaj, nuk më habit fare ndarja eventuale e grupeve parlamentare të AAK-së, PDK-së dhe AKR-së, por, e kam të vështirë të kuptoj se, në çfarë shkalle do të mund të ruhet konsensusi i pozitës së sotme, e cila e bashkuar e ka të vështirë të qëndrojë, e lëre më kur të ndahen grupet parlamentare. Kjo mund të determinojë nevojën për riformatizime të reja, që unë i shoh të mundshme!?”, është shprehur analisti Zogaj.

Kujtojmë se koalicioni PAN u formua si koalicion parazgjedhor, ndërsa që AKR iu bashkua pas zgjedhjeve, për të formuar qeverinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat