Përplasjet brenda PAN-it, ky është dëmi më i madh që NISMA mund t’i bëjë PDK-së

Politika

Përplasjet brenda PAN-it, ky është dëmi më i madh që NISMA mund t’i bëjë PDK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 shtator 2017 Në ora: 22:02
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Partia Demokratike e Kosovës, tashmë është renditur si partia e tretë në legjislativ, kjo pas vendimit të kryesisë së NISMA-s dhe AAK-së që të funksionojnë si grupe të veçanta brenda Kuvendit.

Grupi më i madh parlamentar në Kuvend, është Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë, pasuar pastaj nga LDK-ja.

Renditjen si e treta forcë në kuvend, PDK-së ia ka mundësuar sidomos largimi i NISMA-s nga koalicioni, kurse tani me fushatën zgjedhore lokale kjo e fundit ka filluar të hedh akuza kundrejt PDK-së.

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në hapjen e fushatës zgjedhore në Prizren ka thënë se do t’i japin fund qeverisjes kriminale të PDK-së në këtë vend.

Ndërsa, analistët politikë vlerësojnë se largimi i NISMA-s ka ndikuar shumë në fragmentimin e koalicionit PAN dhe kjo gjë mund të sjellë situata të palakueshme për PDK-në.

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë se partia e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, nuk do të ishin aty ku është edhe PDK-ja, pas raporteve që këto parti kishin dhe këtë e vërteton edhe ndarja si grup parlamentar në vete.

“NISMA nuk është larguar, por iu ka rikthye pavarësisë së vet, siç e kishte dhe gjatë fushatës zgjedhore, kur të gjitha aktivitetet i zhvilloi jashtë PAN-it. NISMA ka hyrë në koalicion për hatër të AAK-së dhe me qëllimin e vetëm që Ramush Haradinaj të bëhet kryeministër i vendit. Ky ka qenë motivi i pranimit të hyrjes së NISMA-s në koalicion, përndryshe, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi nuk do të ishin aty ku është edhe PDK-ja, kur dihet se nga kjo parti janë përzënë si mos më keq dhe nuk u ka mbetur më vend për bashkëveprim. Këtë gjendje e vërteton më së miri ndarja e grupit parlamentar të NISMA-s, që nuk dëshiron të mbetet nën tutelën e koalicionit, por të veprojë autonom, sepse kjo është mënyra më e mirë e forcimit, ngritjes dhe zgjerimit partiak”,  ka pohuar Zogaj për “Bota sot”.

Sipas Zogajt, largimi i NISMA-s ndikon shumë në fragmentimin e koalicionit PAN dhe kjo sepse në kuvend mund të ketë luhatje dhe mospërfillje të qëndrimeve të koalicionit.

Image
Skender Zogaj

Zogaj shton se, koalicioni mund të ketë vështirësi në realizimin e disa objektivave dhe PDK-ja të ketë vështirësi në mbajtjen e postit të presidentit, sepse mund të mos ketë përkrahjen e partnerëve të koalicionit.

“Largimi i NISMA-s gjithsesi që ndikon shumë në fragmentimin e koalicionit PAN, sepse në Kuvend mund të ketë luhatje dhe mospërfillje të qëndrimeve të koalicionit. Kjo mund të prodhojë situata të palakueshme për PDK-në, e cila në të ardhmen i vështirësohet realizimi i disa objektivave, siç është vazhdimi i mbajtjes së postit të presidentit, sepse, ka gjasa që PDK-ja të mos mund ta ketë përkrahjen e partnerëve të koalicionit. Ndërsa,  sa i përket qeverisë, NISMA do të vazhdojë të jetë e angazhuar seriozisht, sepse Limaj ka pozitën e zv/kryeministrit dhe dy poste ministrore të rëndësishme, prandaj nuk ka asnjë arsye që të mos angazhohet seriozisht që të kryejë pjesën e detyrave të veta”,  ka theksuar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat