Publicisti i njohur: Ramushi ka uzurpuar qindra hektarë tokë shtetërore në Kosovë

Politika

Publicisti i njohur: Ramushi ka uzurpuar qindra hektarë tokë shtetërore në Kosovë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 24 shtator 2017 Në ora: 13:46
Ramush Haradinaj

Me arnimin e një Qeverie neveritëse, me sekserë e matrapazë, me përzierje të gjithfarë ujemi, u rihapën temat e nxehta e përvëluese për shqiptarët: Demarkacioni, "Zajednica" (e përdorim këtë term në origjinalin serb, sepse përkthimi i bërë në gjuhën shqipe, nuk është adekuat në përmbajtje), Dialogu me Serbinë.

Kërkesa e ligjshme e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, për të përmbyllur çështjet e mbetura pezull me fqinjtë sllavë, komentohen falsifikueshëm, gabueshëm dhe me cinizëm, deri në idiotësi. Dhe, janë pikërisht, ky soj, që e gatuan këtë çorbë të thartuar, disa me cytjen e Serbisë, ca të tjerë nga zori, meqë i kanë të hapura dosjet e krimeve dhe të tjerët, për karrierizëm të shfrenuar, të sëmurë.

Akuzat e bazuara të popullit,  për pushtetarët kriminelë

Tani, kur rihapën çështjet e padefinuara, si Demarkacioni, "Zajednica" dhe Dialogun me Serbinë, në kupolë të shtetit dhe të pushtetit është trinomi tragjik: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, të cilët, populli i akuzon: 1) Për përçarjen e popullit;  2) Për përçarjen e faktorit ushtarak; 3) Për sabotimin e luftës; 4) Për provokimet, rrahjet, maltretimet, kidnapimet, burgosjet, vrasjet e kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë; 5) Për reket, haraç masiv të dhunshëm, deri në përgjakje; 6) Për uzurpime të pasurive shoqërore e shtetërore; 7) Për korrupsion, hajni zyrtare; 8) Për privatizime e tenderime, me përfitime marramendëse; 9) Për protestat e mars-prillit 2004, të organizuara nga Serbia, me qëllim të decentralizimit, për të ardhur ke "Zajednica" e sotme; 10) Për marrëveshjet e fshehta me Malin e Zi dhe Serbinë, deri në tjetërsim  territori, falje tokash të parit dhe bërje hisedare të së dytës, për sundimin e Kosovës.  11) Për shpërdorim e vjedhje të dy Fondeve shumëmilionëshe të Mërgatës: Fondit "Vendlindja" thërret" dhe Fondit shtetëror "Tre përqindshi" (3%), pra, dhënia 3 %, nga shuma e rrogës mujore.

Treshja aktuale pushtetare fatale e Kosovës, Hashimi, Kadrija, Ramushi, janë nën hetime vendore dhe ndërkombëtare, për krimet e cituara më parë. Dosjet e tyre i posedon Serbia, UNMIK-u, KFOR-i, EULEX-i. Inkriminimi i tyre është faktik: a) Janë shumë qindra varre; b) Janë nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit, në zinë e përjetshme; c) Janë nuset e veja, të veshura në të zeza,fëmijtë jetimër, të përmallshëm dhe të përvajshëm, të Kosovës, që kërkojnë drejtësi, për bashkëshortët dhe baballarët e ekzekutuar, nga bandat e LPK-së, SHIK-u terrorist.

Dhe, në vend të drejtësisë, për shumë qindra vrasje politike, për hapjen e qindra varreve, familjet e viktimave dhe populli i Kosovës, provokohen çdo ditë nga persekutorët, pushtetarët vrasës, me paraqitjet e tyre të përgjakura, në mediat vizive, në lëvizjet, vizitat e tyre, të pëcjellur nga shpura dhe fjalimet bombastike e demagogjike, se, kinse, kanë "çliruar Kosovën" dhe janë të "denjë", për ta udhëhequr këtë popull, të cilin, ndërkombëtarët e kthyen në shtëpitë e tyre, por, nuk e çliruan nga bandat terrorizuese të "komandantëve" vrastarë.

"Lista Serbe" kontrabandoi në pushtet pengjet e Serbisë

Zgjedhjet e turpshme, në postet drejtuese, të treshës namkeqe: Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinaj, u bënë me angazhimin vendimtar të "Listës Serbe". Kjo është dëshmuar në tri rastët zgjedhëse: të Hashimit - president, të Kadrisë - kryeparlamentar, të Ramushit - kryeministër. 

Dhe, tashmë, nuk ka asnjë mëdyshje, hamendje se ata janë peng të dosjeve të tyre kriminale, janë në dorë të Serbisë dhe nuk mund të bëjnë veprime, pa lejen e miratimin e Serbisë. Dhe, është kjo arsyeja, për sinjalin - SOS -, që zyrtarët aktual të kësaj Qeverie, hallakamë dhe të pështirosur, për mënyrën dhe kushtet në të cilat u harnua, e leckosur dhe të zhelosur, në formë dhe përmbajtje, duhet stopuar dhe larguar, deri në mohimin absolut, të qendrojë larg: 1) Demarkacionit; 2) "Zajednices" dhe 3) Dialogut me Serbinë.

 Asnjë grup "uniteti", grup shqyrtimi, bisedimi, dialogu, nuk mund të bëhet nën diktatin, drejtimin e treshës famëkeqe: Hashimit, Kadrisë, Ramushit apo të vartësve të tyre servilë dhe "aminxhinj".

Si lindi "Zajednica"?

LDK-ja, me kryetarin e saj vizionar e urtak, Dr. Ibrahim Rugova, e dinte se komunitetet pakicë, janë pjesë e Kosovës dhe duhet të gëzojnë të drejtat, që ua garanton ligji. Sjellja korrekte e pushtetarëve të Kosovës, ndaj minoriteteve, përfshi edhe serbët, çuditërisht, nuk i pëlqente Serbisë. Ajo donte një sjellje ndryshe, të vrazhdët, që do ta dëmtonte imazhin e shqiptarëve, në veçanti, dhe të Kosovës, në përgjithësi.

Serbia e kishte të gatshëm projektin e destabilizimit të Kosovës. Për të qenë sa më efikas e mbresëlënës në opinionin botëror, ai projekt duhej të ishte i përgjakshëm. Agjentëve potencialë të Serbisë, në LPK-në e Mërgatës, tashmë, kuadro të PDK-së dhe të AAK-së, në Kosovë, Serbia u kërkoi shërbimin shtesë, pas atij të sabotimit të luftës dhe terrorit vrastar, kundër kundërshtarëve politikë brenda-shqiptar. 

Dhe, kjo ndodhi në mars-prillin e 2004-ës. Turmat e organizuara nga strukturat e këtyre dy partive-banda, të prira nga krerët e të ashtuquajturave "Shoqata të dala nga lufta", nëpër komuna, u hodhën në aksion, për ta zbatuar projektin e kobshëm të Serbisë.

Sulmet brutale në shtëpitë e popullatës serbe, kryesisht, pleq e plaka, vrasjet dhe djegia e shtëpive, vandalizmi dhe kallja e kishave, rast jo i zakonshëm, sepse shqiptarët nuk e kishin bërë këtë krim e rrugaçëri asnjëherë, përgjatë historisë të luftërave të tyre, u dëshmua se manipulimi i turmave, ishte bërë nga "komandantët", me porosi të Serbisë.

U vranë djemë të rinj shqiptarë, të mashtruar, sikur po bëjnë heroizma, duke vrarë ndoca pleq e plaka, (që mendohet të jenë shqiptarë të sllavizuar), e rrënuar pasuritë e Kosovës, ndërkohë askush nga shefat e tyre nuk e pësoi me jetë, përveç se me disa muaj burgime, duke ngrënë pula e pite edhe në burg. 

Kallja masive e shtëpive dhe të kishave serbe, u regjistrua, u filmua dhe u propaganduar, duke shumëfishuar dëmet dhe viktimat. Madje, këto krime u njëjtësuan me krimet masive të Millosheviçit! Të gjitha televizionet e botës, transmetuan handakosjen e turmave, të bandave të PDK-së dhe AAK-së.

Për ironi, nga këto sulme vandale dhe të turpshme, shqiptarët ishin humbësit e mëdhenj: u vranë, u fikën, duke djegur pasuritë e Kosovës, u koritën, u turpëruan para botës, sepse sulmuan njerërzit e pambrojtur, për interesat e Serbisë. Dhe, në fund, u detyruan, me buxhetin e Kosovës, të kompensojnë dhe ndërtojnë, atë çka turmat e "komandantëve" shkatërruan!

Bota, qendrat e vendosjes të saj, reaguan me ashpërsi dhe dënuan jo vetëm turmat, por edhe popullin e Kosovës, në përgjithësi, ndërkohë që UNMIK-u i tyre, në marrëveshje me Serbinë dhe disa miqëve të saj evropianë, kishte heshtur e toleruar krimet dhe terrorin e "komandantëve" vrastarë, hafije të Serbisë, pas luftës në Kosovë.

Kancelaritë e Evropës vendosën marrjen në mbrojtje të pakicave serbe në Kosovë. Në fillim u shpik decentralizimi, kompetenca më të mëdha komunale. Nga decentralizimi, u kalua në enklava, pothuajse, fshat e enklavë serbe. Dhe, oreksi u shtua, duke shkuar në idenë e Bashkësisë të komunave serbe. Dhe, arritën deri ke "Zajednica", që tejkalon vartësinë ekzekutive, nga institucionet e Kosovës. 

Pra, "Zajednica" ka lindur si pasojë e vandalizmit kriminal të bandave të PDK-së dhe AAK-së. Dhe, ne, i njohim, me emër e mbiemë, kryevandalët e këtyre bandave kriminale e rrugaçërore. Për këtë arsye, Ramushi, tani, si kryeministër, nuk ka të drejtë morale ta kundërshtojë "Zajednicen", sepse ai është pjesë e bandës që e solli, pikërisht, "Zajednicen". Prandaj, edhe nuk duhej të yryshonte, për postin e kryeministrit, kur dihet se është peng i Serbisë.

Demarkimi i kufirit me Malin e Zi

Pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet '50-a, ushtria jugosllave bëri shenjat kufitare, me ngjyrë të kuqe të mbyllur, (bojë vaji), shumë rezistennte karshi të reshurave atmosferike. Arsyeja e vijëzimeve kufitare ishte përgjegjësia, brenda territoreve të Krahinës të Kosovës, që duhej ta kishin institucionet vendore. Duke qenë në zonë kufitare, respektonim edhe kullotat, edhe prerjen e drunjëve në pyjet kufitare. Këta kufinj mbahen mend, të paktën, prej tej 200 vjetësh

Kulla e Zhlebit dhe, sidomos, Qafa e Çakorrit, nuk janë bjeshkë të mirëfillta. Më sakt, janë vazhdim i kullotave dhe i maleve të fshatrave.  Për ndryshim nga Ruselia dhe Bjeshkët e Thata, të cilat janë pyje e kullota, vetëm verore dhe në largësi disa orëshe, ecje me këmbë. 

Stanet shekullore, ruajtja e pyjeve, mirëmbajtja e rrugëve, vendbanimet vetëm me fshatra shqiptare, dëshmojnë se tokat e kontestuara, tani, kanë qenë dhe mbetën, absolutisht, shqiptare.

Në gjysmën e dytë të viteve '60-a, pas Plenumit të IV-të të komunistëve jugosllavë, Kosova fillojë të frymojë, paksa, më lirshëm. Ndërkohë, serbët e malazezët vepronin fshehurazi, pa shqiptarët. Është bërë i njohur një komision prej 7 vetash (4 serbë e 3 malazezë), për ndërhyrjet në dokumentacionin e demakimit të kufirit Kosovë - Mali i Zi.

Shumë me interes është Komisioni i kryesuar nga Sait Meraku, kryetar i komunës të Pejës, i cili, në vitin 1971, pas një verifikimi faktik, me shkeljen në këmbë, anepërtej kufirit, ia bëri me dije opinionit se, kufiri bazë është Qafa e Çakorrit, Kulla e Zhlebit dhe tutje, përgjatë majeve të larta. 

Edhe Presidenti Rugova, në bisedën me Malësorët e Rugovës, i ka garantuar ata se, kufiri me Malin e Zi dhe Serbinë, nuk do të zbresi poshtë Qafës të Çakorrit, Kullës të Zhlebit, Malet e Moknës, Qafa e Dasmorëve dhe, në vijimësi, për maje maleve, në drejtim të kufirit me Serbinë.

Kauza e vërtetë e popullit dhe mbrojtësit e tradhtisë

Populli nuk ka "kauzë të rrejshme". As specialistët për çështje kufitare dhe as "Vetëvendosja". Kjo është një shpifje e poshtër, nga ata që nënshkruan dhe e aprovuan marrëveshjen konspirative, pa e konsultuar as popullin dhe as institucionet.

Pra, kemi të bëjmë me një tradhti kombëtare, me tjetërsim territori, me falje tokash, në këmbim të liberalizimit të vizave. Rrospihanët tjerë, karrieristë të neveritshëm, u bënë tellallë të kësaj kontrabande të pistë, të kryeministrit të djeshëm dhe të presidentit të sotëm, Hashim Thaçit.

Është sa e turpshme, aq edhe kriminale, të kërkosh këmbimin e territorit tokësor, për liberalizim të vizave. Fundja, edhe pa viza, Kosova vazhdon të boshatiset. Është paradoks i pafalshëm për LDK-në, pse lejon Isa Mustafën, të flasë në emër të partisë, kur anëtarësia e saj është kundër variantit aktual të falsifikatorit, vegël e Hashimit, Murat Meha. 

Këtë e dëshmoi edhe humbja e kandidatëve për deputet, të cilët u turpëruan, duke dënuar "kauzën e rrejshme" të proklamua, me bujë e pompë, nga shefi i tyre, Mustafa, gjë që dëmtoi shumë edhe LDK-në.

Të katër "argumentet", që numëron Isa Mustafa, në favor të vijës aktuale kufitare, janë një bllof, pa fije mbulese, për ta mbrojtur tradhtinë e Hashimit dhe karrierizmin e tij, që, duke qenë në shërbim të SHIK-ut, shpëtoi PDK-në, nga ikja në opozitë.

Ja "argumentet" e zgjyrosura të Isës, i cili ngulmon të mbrohet Hashimi:

1) Marrëveshja e dy komisioneve shtetërore, të Kosovës dhe të Malit të Zi;

 2) Raporti i Komisionit Ndërkombëtar, të emëruar nga Presidentja Jahjaga;

3) Konfirmimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së:

4) Raporti i Komisionit Profesional, për Matjen e Territorit të Kosovës.

Të gjitha këto "argumente" janë pallavra. E vërteta është se nëse  Qeveria bie dakord ta falë gjysmën e Kosovës, ndërkombëtarët aprovojnë lehtësisht dhe pa asnjë hamendësim. Këtë e kanë bërë edhe në rastin konkret, sepse me opozoitën nuk flet askush.

Tashmë, janë dy vështirësi:

1)  Serbo-malazezët kanë ndërhyrë, me kohë, në falsifikimin e dokumentacionit ndërkufitar;

2) Qeveria e Kosovës ka aprovuar, madje, pa kushte Demarkacionin aktual, duke thënë se Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë. Kjo është kulmi i tradhtisë dhe i idiotësisë.

Bazuar në këto, dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, rrezikon të humbë Kosova.

Zgjidhja më e mirë do të ishte zhbërja e marrëveshjes të Hashim dallaverës dhe nisja nga e para. Dhe, kjo mund të bisedohet, drejtëpërdrejtë, me Malin e Zi. Arsyetimi bazë: dy shtetet, dy popujt, shqiptarë e malezezë, mjaft kanë pasur ngatërresa e luftëra të përgjakshme, pikërisht, për territore e kufinj. 

Andaj, ka ardhur koha e pajtimit dhe të mos u lënë ngatërresa shtesë brezave. Mali i Zi duhet ta llogarisë forcën në rritje të shqiptarëve. Fundja, toka e kontestuar, nuk ka qenë kurrë e malazezëve. Këtë e dinë edhe pushstetarët e sotëm në Malin e Zi. 

Ngutia e krijimit të Komisionit, jo serioze

Profesor Shpëtim Bulliqi është meritor në qasjen reale për Shënimin e Vijës Kufitare (Demarkacionin), me Malin e Zi. Por, vënia në krye të një Komisioni të Ri, të emëruar nga Ramush Haradinaj, e konsideroj të gabuar. Ramushi është kontigjent i krimit dhe nuk ka legjitimitet as për kryeministër dhe as për biseda e marrëveshje me palë të huaja. 

Ramushi ka uzurpuar dhe përvetësuar qindra hektarë tokë shtetërore, troje në Prishtinë. Ndërkohë që komuna nuk ka truall për një shkollë muzike, ai i jep me qera vilat-pallate! Nëse, vërtet, Ramushit i ka shkuar ndërmend, të lajë diçka nga gjynahet e tij numerike, duhet ta arrestojë dhe ta akuzojë për tradhti presidentin, Hashim Thaçi, duke i bindur edhe ndërkombëtarët, se vendimi ka qenë personal, konspirativ. Dhe, kemi të bëjmë me tradhti kombëtare. Kjo do të vlente më shumë se mijëra fjalë e qindra protesta.

Japim një shembull nga historia e re: Haile Selasie, i pari i Etiopisë, Hero Kombëtar, mik i Titos, në organizimin politik "Bota e Tretë", në vitet '60-a, u akuzua për korrupsion, hajni zyrtare. Dhe, u var në sheshin me emrin e tij. Shteti, sovraniteti i Kosovës, mbahet e mbrohet me ligje dhe jo me pallavrat dhe pazaret konspirative dhe të pista të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj dhe të Isa Mustafës.

Dialogun me Serbinë, nuk lejohet ta bëjnë pengjet e Serbisë

Dialogu i Kosovës me Serbinë fqinjë, është në agjendën e BE-së dhe SHBA-së. Andaj, duhet bërë, sepse ata përzunë Serbinë dhe e sigurojnë mbrojtjen e Kosovës sot. Por, askush nuk mund t'ia imponojë Kosovës, që këtë dialog ta bëjnë ata që Serbia "ua ka zënë bishtin me derë", pra, janë pengje të saj. 

Propozimin e tanishëm, Hashim dallaverja, duhej ta bënte me kohë dhe jo të komplotonte, në konspiracion, me lëvriçkën Editë Tahiri, e cila nuk përfaqësonte askënd, meqë "partia" e saj nuk kishte as kryesi, lëre më anëtarësi. Ajo me Hashimin, kanë mashtruar e gënjyer popullin, se me Serbinë po bisedojnë vetëm çështje teknike dhe kurrë politike!?!

Refuzimi i Lëvizjes "Vetëvendosja", që Hashim presidenti, Hashim dallaverja, ta kryesojë Komisionin e dialogut apo të jetë edhe pjesë e tij, është i drejtë dhe duhet mbështetur. LDK-ja duhet të lirohet nga tutela e vrazhdët e Isa Mustafës, i cili ia ka zënë frymën kësaj partie dhe po e tëkurrë gjithnjë e më shumë.  LDK-ja, duhet të lirohet nga tuteta e SHIK-ut, sepse populli e don dhe e mbështetë, madje, pa rezerva e vendosmërisht, LDK-në zëmadhe të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Andaj, t'i bashkohet edhe nismës të "Vetëvendosjes", për shkarkimin e presidentit dhe të kryeministrit, të cilët, me veprimet e tyre kriminale, ia kanë bërë dhe vazhdojnë t'ia bëjnë gjëmën Kosovës tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat