PDK i kundërpërgjigjet Fatmir Limajt për akuzat e krimit - Bota Sot
PDK i kundërpërgjigjet Fatmir Limajt për akuzat e krimit

Politika

E premte, 20 tetor 2017

PDK i kundërpërgjigjet Fatmir Limajt për akuzat e krimit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 shtator 2017 Në ora: 15:52
Nisma për Kosovën

Nisma për Kosovën ka bërë hapjen zyrtare të fushatës në qytetin e Prizrenit. Lideri i kësaj partie Fatmir Limaj, ka thënë se kanë zgjedhur këtë qytet jo rastësisht, pasi sipas tij, aty ka ardhur koha për ndryshime.

Limaj, para elektoratit dhe mbështetësve të vet, ka deklaruar se duhet t’I jepet fund qeverisjes kriminale të PDK-së në Prizren, derisa ka kërkuar votën për kandidatin e Nismës, Zafir Berisha.

Ai ka premtuar se me fitoren e Nismës në Prizren do të nisë ndryshimi i qeverisjes në Kosovë, ngase sipas tij, Kosova ka nevojë për qeverisje socialdemokrate.

“Ndjehemi të gatshëm dhe të bashkuar më shumë se kurrë për të marrë përgjegjësi për ta qeverisur Prizrenin. Me Nismën për Kosovën në Prishtinë dhe Prizren do të harrohet plaga e mërgimit dhe djem e vajza nuk do të largohen më nga Kosova”, ka shtuar ndër të tjera.

Por, në Partinë Demokratike të Kosovës, nuk iu bëhet vonë për një deklaratë të partnerit të tyre të koalicionit qeverisës. Ish-deputeti dhe anëtari i PDK-së Bislim Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur të pakontrolluar deklaratën e Limajt, duke thënë se atë e ka bërë vetëm për fushatë zgjedhore.

Image
Bislim Zogaj

Por, ai ka thënë se edhe partnerët e koalicionit do të duhej ta kuptonin liderin e Nismës, pas siç ka theksuar politikanët në kohë fushatash, kujdesen që para votuesve të japin deklarata sa më të fuqishme.

“Fatkeqësisht mendoj se në Kosovë, gjithçka në kohë fushatash liderët harrojnë në të shumtën e rasteve se ku janë, çka flasin dhe për çfarë plasin, me rëndësi që deklarata të jetë më e fuqishme para elektoratit të tyre pa llogarit se a mund ta lëndojë dikë dhe a qëndron ajo çka e thotë. Prandaj shpesh herë deklaratat janë të pakontrolluara dhe mendoj se edhe kjo deklaratë është e pakontrolluar, por megjithatë besoj se edhe partnerët e koalicionit do ta kuptojnë këtë deklaratë si të fushatës zgjedhore”, është shprehur Bislim Zogaj.

Ndryshe, Nisma hyri në koalicion para zgjedhjeve të jashtëzakonshme me PDK-në dhe AAK-në, ndërsa atyre pas zgjedhjeve iu bashkua edhe AKR-ja dhe Lista serbe./BS

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test