Premtimet e “sinqerta” të partive politike në fushatën zgjedhore

Politika

Premtimet e “sinqerta” të partive politike në fushatën zgjedhore

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2017 Në ora: 23:07
Partite politike ne Kosove

Partitë politike në Kosovë kanë hyrë në ditën e katër të fushatës  për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Investime që shkojnë në vlerë milionshe, ofrim të kushteve të mira jetësore edhe nëpër fshatra, furnizim të ujit në vende ku ka ndërprerje, punësim e të mira materiale për të gjithë, këto janë disa nga premtimet që qytetarët kanë mundur t’i dëgjojnë këto ditë.

Analistët politikë të gjitha këto premtime i konsiderojnë abstrakte si dhe bëjnë ndërlidhjen e tyre me festën e 1 prillit.

Sipas tyre, të gjitha premtime duhet të merren të rezervuara, sepse është e kuptueshme që është fushatë zgjedhore.

Analisti politik, Faik Krasniqi, fushatën e partive politike e konsideron jo të sinqertë ndaj masës.

Sipas tij, mund të arrihet pjesërisht diçka që premtohet, mirëpo edhe sikur të ishin zgjedhjet qendrore do të ishte e kotë të bëhen gjithë ato premtime.

“Nisur nga premtimet e kandidatëve për zhvillim ekonomik pa dallim fanelash politike në fushatën elektorale, qytetarët me të drejtë presin një pamje krejtësisht tjetër të qyteteve të Kosovës. Në këtë fushatë padyshim që do dëgjojmë premtime abstrakte për mos thënë të kriposura. Kjo fushatë zgjedhore sikurse edhe fushatat tjera, kanë shumëçka të përbashkët me festën e 1 prillit, pasi është jo e sinqertë ndaj masës të dilet me premtime pompoze të investimeve dhe në fund asgjë apo pjesërisht të realizohen. Prandaj, gjërat duhet të pjesëtohen dhe të merren me rezervë. Është e kuptueshme që fushatat zgjedhore gjithmonë manifestohen me premtime të tilla, por qëllimi esencial është shqyrtimi i politikës dhe jo i projekteve. Shqetësuese është që gjithë kandidatët i përdorin këto të dhëna dhe premtojnë se do të ketë zhvillim ekonomik. Këto janë zgjedhje lokale që të vetmin qëllim kanë krijimin e një ambienti më të mirë për qytetarët. Mund të arrihet pjesërisht diçka çfarë premtohet, mirëpo edhe sikur zgjedhjet qendrore të ishin, është e kotë të bëhen të gjithë ato premtime”, pohon Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë humbur shpresat nga klasa politike.

Krasniqi shton se nuk do të ketë fitues absolut në komuna.

“Është fushatë zgjedhore dhe e drejtë e tyre që të hedhin hi në sy,  por sa dhe si perceptohet një dukuri e tillë është diçka tjetër. Se do të implementohet diçka e tillë është diskutabile të thuash e pamundur. Qytetarët e Kosovës kanë humbur shpresat nga kjo klasë politike që ua kanë nxi jetën, dhe Vetëvendosjen e shohin si mundësinë e fundit për të provuar qeverisjen ndryshe, si dhe një shpresë për të ndëshkuar ata që kanë abuzuar me pushtetin. Nuk do të ketë fitues absolut në komuna, por një gjë është e sigurt që PDK dhe LDK do të humbasin shumë komuna me të cilat kanë qeverisur deri më tani!”,  thekson Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat