Dështimi i radhës për Kosovën

Politika

Dështimi i radhës për Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shtator 2017 Në ora: 10:16
Kabineti i Haradinajt

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar zyrtarisht se ka vendosur të shtyjë kandidimin e Kosovës për pranim në Interpol për në samitin e ardhshëm.

Sivjet ishte pritur që Kosova të kandidonte për pranim në Interpol, por Haradinaj ka bërë të ditur se Kosova nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për pranim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka sqaruar përmes një komunikate për media, se vendimi për shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol për vitin e ardhshëm është marrë pasi është vlerësuar se një gjë e tillë është në interes të vendit.

MPJ në sqarimin e saj, ka theksuar po ashtu se nikoqiri i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë asamble dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje, që të pajisen me viza.

Heqja dorë nga aplikimi në Interpol, dështim i Kosovës

Por, tërheqjen e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Interpol, njohësi i çështjeve integruese Sami Blakaj, e sheh si dështim.

Image
Sami Blakaj

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Blakaj, ka thënë se Kosova po heqë dorë nga përpjekjet për anëtarësim në organizmat ndërkombëtar.

“Kosova vërtetë ka humbur shumë nga dështimet e saj të njëpasnjëshme për tu anëtarësuar në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Është akoma më keq kur vendi ynë heqë dorë vetë nga anëtarësimi në organizmat ndërkombëtar, siç është rasti i fundit me Interpolin”, ka thënë Sami Blakaj.

Ai ka theksuar se pos dështimit për t’i bindur shtetet anëtare të Interpolit, Kosova ka dështuar edhe me luftën e krimit dhe korrupsionit.

“Dështimi i Kosovës për të qenë pjesë e organizatës ndërkombëtare të policisë nuk nënkupton vetëm dështimin e diplomacisë shtetërore për ti bindur shtetet anëtare të Interpolit, por më shumë se kaq nënkupton dështimin e shtetit për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në vend. Kosova vazhdon të jetë vrimë e zezë e korrupsionit, kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe përderisa vazhdon kjo dukuri e shëmtuar, vendi jo vetëm që nuk mund të jetë garant për sigurinë ndërkombëtare, por madje nuk mund të garantojë siguri as për vetveten, gjegjësisht për qytetarët e tij”, është shprehur Blakaj për “Bota sot”.

Shkak Lista Serbe?

Ndërsa, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka theksuar se tërheqja e kërkesës u bë për shkak të mosformimit me kohë të institucioneve.

Image
Hajrullah Ternava

Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme, do të duhej të ishte më aktive gjatë kësaj kohe.

“Situata në të cilën gjendet Kosova, tash e një kohë të gjatë, kur me muaj të tërë nuk u formua Qeveria, e sidomos kur nuk funksionojnë institucionet e saj një kohë të gjatë, tani është e kuptueshme pse anulohet kërkesa për anëtarësimin e saj në Interpol. Kosova tani një kohë të gjatë gjendet në një situatë, ku nuk funksionojnë institucionet, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ishte dashur të ishte shumë aktive. Qeveria po tregohet e brishtë, sepse mezi i mblodhi 61 vota së bashku me Listën serbe, e cila mund të rrëzoj qeverinë kur të dojë”, është shprehur Tërnava.

Eksperti i sigurisë, tutje në prononcimin për gazetën “Bota sot”, ka thënë se arsyeja e tërheqjes së kërkesës për anëtarësim në Interpol, mund të ketë qenë Lista Serbe, derisa ka theksuar aktivitetet e shtetit serb kundër Kosovës.

“Duke pasur parasysh Listën serbe, ndoshta pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse Kosova është tërhequr nga kërkesa e anëtarësimit në Interpol. Serbia tërë kohën ishte shumë aktive në terren dhe ka ndikuar te shtete mike të saj, por edhe në ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të mos i japin votën për anëtarësimin e saj në Interpol. Duke e vlerësuar situatën e krijuar dhe në të cilën gjendet tani Kosova, është vlerësuar se ndoshta është më mirë që të tërhiqet kërkesa e saj për anëtarësim në Interpol”, ka thënë Tërnava.

Ai ka përmendur edhe dështimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, duke theksuar se institucionet përgjegjëse, duhet të bëjnë më shumë aktivitete diplomatike me shtetet mike.

“Nuk është moti mossuksesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Edhe një dështim i radhës për mosregjistrimin në Interpol, do ta involvonte dhe do të dëmtonte shumë shtetin  e Kosovës në tërësi. Prandaj, Kosova në të ardhmen duhet t’i vlerësojë situatat politike në botë dhe regjion, kur do të anëtarësohet në ndonjë institucion ndërkombëtar, sikur në këtë rast që është Interpoli dhe të bëjë shumë aktivitete të pandërprera diplomatike me shtetet mike, e sidomos me ato që na kanë ndihmuar për çlirimin, sikur që është Amerika dhe BE, por edhe shtetet mike që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat