E pranojnë në AAK, Çakorri e Kulla nuk janë kufiri?

Politika

E pranojnë në AAK, Çakorri e Kulla nuk janë kufiri?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 shtator 2017 Në ora: 13:12
Çakorr

Derisa nuk ishte në karrigën e kryeministrit, ishte zëri më kundërshtues për marrëveshjen me Malin e Zi. Ramush Haradinaj e kritikoj shumë kryeministrin Isa Mustafa për këtë marrëveshje që e quante të dëmshme për Kosovën.

Por pavarësisht kritikave, duket se Haradinaj tani po e pranon si të tillë marrëveshjen aktuale. Ndonëse nuk po e pohon as ai, as zyrtarët tjerë të qeverisë, ishte Çun Lajçi ai që ‘ua shëndoshi kryt’ popullit të Kosovës, pas një takimi me Haradinajn.

Dëshpërimi i Qun Lajçit

Ai në Facebook ka shkruar se Komisionet më  nuk kanë çka flasin, që kufiri nuk do të jetë Kulla as Çakorri.

“Kufi s'asht Kulla as Çakorri. Ato mbesin andrra. Zoti na lasht shnosh Rugovë”, ka shkraur Lajqi.

Por duke u bazuar në këtë deklaratë, zyrtarët e qeverisë ndonëse të kontaktuar nga gazeta nuk dhënë ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, zyrtari i AAK-së, Muhamet Kelmendi, fajin ua hedh qeverisë së kaluar, atë të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa. Kelmendi ka thënë se është vështirë që të rikthehet kjo çështje.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kjo është një çështje e rëndë. Është bërë punë shumë e dëmshme nga qeveria e kaluar dhe nga komisioni. Ato deklarime dhe aktivitete kanë marrë dhënë. Është shumë vështirë për të rikthyer çështjen. Të shpresojmë në më të mirën”, thekson Kelmendi për “Bota sot”.

Gecaj: Haradinaj të mbajë premtimin

Nga ana tjetër, ish këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj duke iu përgjigjur AAK-së, tha se Haradinaj e ka shndërruar çështjen e demarkacionit në kauzë politike e cila ndikoj edhe në rënien e Qeverisë Mustafa. Sipas Gecajt, ai duhet të mbajë premtimin për të kthyer kufirin, për të siguruar dhe votat e LDK-së.

Image
Bajram Gecaj

“Ramush Haradinaj e ka shndërru çështjen e demarkacionit në kauzë plotësisht politike, kauzë e cila në një masë edhe ka ndikuar në rënien e qeverisë Mustafa. Tani ai duhet ta mbajë premtimin dhe ta kthej kufirin në Çakorr e Kullë, në mënyrë që të siguroi edhe votat e LDK-së”, thekson Gecaj për “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve poltike Rexhep Shahu, duke folur rreth çështjes se demarkacionit mundësisë së humbjes se territorit të Kosovës dhe dorëzimit të Haradinajt krahas kësaj, thotë kjo qeveri nuk fuqi të marr asnjë vendim dhe të gjitha premtimet ishin thjeshtë mashtrime në kohë zgjedhjesh.

“Qysh moti është ditë se cilado qeveri me ardhë në Kosovë, nuk do ta kishte kurrë fuqinë që të merrte asnjë vendim pa përkrahjen ndërkombëtare. Ishin thjeshtë mashtrime para votuesve gjithë betimet për demarkacionin e gjërat e tjera”, vlerëson Shahu.

Demarkacioni çështje e mbyllur

Image
Rexhep Shahu

 

Sipas tij, kjo qeveri pakicash shqiptare e serbe nuk ka fuqi për kurrfarë vendimi, madje as për demarkacionin.

“Nuk e ka sovranitetin qeveria e Kosovës që është qeveri pakicash, pakicash serbe e pakicash shqiptare, nuk mund të ketë kurrë fuqi. Jo veç demarkacioni, por çdo gjë tjetër nuk bën përpara me një qeveri që varet në shumë ganxha”, thotë analisti Rexhep Shahu.

Po ashtu, edhe njohësi i çështjeve politike e juridike, profesori Blerim Burjani thotë se çështja e demarkacionit tashmë është e mbyllur. Sipas tij, Mali i Zi nuk do një marrëveshje të re me shtetin e Kosovës.

Kjo çështje është e mbyllur, kjo është e dijshme kaherë. Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar një demarkacion në një shtet neutral siç është Austria. Mali i Zi nuk do të pranojë siç thonë ata të rinegocim për demarkacionin.

Sipas Burjanit, nuk ka kthim prapa, është dhënë verdikti në Kuvendin e Malit të Zi, vetëm nëse këta të fundit pranojnë për negocim, në të kundërtën kufiri mbetet ky aktual, sipas marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë.

“Nuk ka më marrëveshje të re sipas Malit të Zi. Arbitrazhi mund të jetë i papranueshëm për Malin e Zi, pasi që ata si shtet e kanë kryer obligimin e kanë përfunduar temën e demarkacionit, pra kanë verdiktin Kuvendi malazez. Kjo temë është mbyllur, vetëm nëse sërish Mali i Zi pranon negocim, përndryshe kufiri aktual sipas shtetit malazez është ai që u nënshkrua në Vjenë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, thekson Burjani për “Bota sot”.

Mali i Zi mesazh Haradinajt

Ndryshe, Kryetari i Shoqatës të Malazezëve në Kosovë, Slobodan M.Vujiçiq, ka kritikuar institucionet udhëheqëse të Kosovës se nuk po i kryejnë obligimet ndaj malazezëve dhe Malit të Zi si shtet, duke përfshirë këtu edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.

“Me qëllimin më të mirë, si qytetarë lojalë të Kosovës, duam t’ia përkujtojmë Prishtinës zyrtare se që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, nuk ka arritur të plotësojë në tërësi asnjë nga obligimet e marra dhe premtimet e dhëna ndaj Malit të Zi dhe malazezëve të Kosovës”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga Vujiçiq.

Sipas tij, moskryerja e obligimeve dhe premtimeve ka të bëjë me “ratifikimin e demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, nga e cila edhe ndjeshëm varet edhe e ardhmja jonë dhe dinamika me të cilën do të shkojmë drejt integrimeve euroatlantike”.

“Pastaj kemi premtimet deklarative tash e 10 vjet se malazezët së shpejti do të jenë kategori kushtetuese, edhe pse pranimi ynë kushtetues realisht nuk shihet askund. Dhe në fund, edhe ajo që është lehtë e realizueshme, e kjo është fillimi i implementimit të Strategjisë për integrim dhe afirmim të bashkësisë malazeze dhe hapja e Qendrës zhvillimore, për më shumë se dy vjet nuk ka vullnet as pjekuri politike që të fillohet me realizim”, ka thënë Vujiçiq.

“Apelojmë te Qeveria e sapoformuar dhe tek të gjitha subjektet politike relevante që të tejkalojnë përplasjet e brendshme dhe në një periudhë sa më të afërt të plotësojnë obligimet e marra, jo vetëm ndaj Malit të Zi dhe malazezëve, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë kryetari i Shoqatës të Malazezëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat