Flet analisti politik, tregon pse Ramush Haradinaj e shkarkoi Murat Mehen

Politika

Flet analisti politik, tregon pse Ramush Haradinaj e shkarkoi Murat Mehen

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shtator 2017 Në ora: 15:45
Murat Meha

Ramush Haradinaj, deri para sa të merrte postin e kryeministrit të vendit, ishte ndër më i zëshmi kundërshtar i marrëveshjes së Demarkacionit.

Ai kishte pasur shumë problem me Murat Mehën më parë, madje një herë situata edhe ishte ashpërsuar, kur Haradinaj e kishte ofenduar Mehën.

Haradinaj ishte nervozuar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm më 2015, kur ishte pranuar raporti i Mehës për demarkacionin, duke e quajtur atë “peder” dhe duke e lëshuar mbledhjen.

Por, tani duket se Haradinaj do t’i ndërrojë fjalët për Demarkacionin. Sipas analistëve politikë, ai dhe Qeveria, do të orientojë energji të tyre tek aprovimi i formatit të Demarkacionit, i cili e lë jashtë Kosovës Çakorrin dhe Kullën.

Duke folur në lidhje me këtë çështje, analisti politik Mentor Tahiri, ka thënë se qëllimi i potencimit të kësaj teme, ishte krijimi i perceptimit në opinion, mbi taborin e “tradhtarëve” të cilët e pranojnë Demarkacionin dhe “patriotëve” të cilët gjoja po mbrojnë territorin e Kosovës.

Ai ka theksuar se shkarkimi i Komisionit të Mehës nga Haradinaj, ishte populist dhe me elemente të urrejtjes personale, duke shtuar se qeveria do ta miratojë versionin aktual të Demarkacionit.

“Në diskursin politik të Kosovës, si duket në pamundësi për të ofruar programe konkrete të zhvillimit ekonomik, janë fryrë pa nevojë disa tema të karakterit populist. Një nga këto tema është edhe Demarkacioni i kufirit me Malin e zi. Qëllimi i potencimit të kësaj teme me tendencë për t’u paraqitur si problemi më i madh politik, ishte krijimi i perceptimit në opinion, mbi taborin e “tradhtarëve” të cilët e pranojnë Demarkacionin dhe “patriotëve” të cilët gjoja po mbrojnë territorin e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk mundi të dalë nga hipoteka e zotimeve nga e kaluara dhe vendimi i parë i këtij kabineti ishte shkarkimi i kryetarit të komisionit për Demarkacion. Një vendim ky krejtësisht populist dhe me elemente të urrejtjes personale ndaj Murat Mehës. Ndërkaq që tani kur kanë kaluar vetëm pak javë nga ai vendim, ka indikacione të qarta se shumica aktuale parlamentare do të orientojë energji të saj pikërisht të aprovimi i formatit të Demarkacionit, i cili lë Çakorrin dhe Kullën jashtë Kosovës”, është shprehur analisti Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat