Haradinaj e quajti edhe “peder” Murat Mehen, por mund të detyrohet t’i kërkojë falje

Politika

Haradinaj e quajti edhe “peder” Murat Mehen, por mund të detyrohet t’i kërkojë falje

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 shtator 2017 Në ora: 18:24
Ramush Haradinaj ishte nervozuar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm më 2015, kur ishte pranuar raporti i Mehës për demarkacionin, duke e quajtur atë “peder” dhe duke e lëshuar mbledhjen.

Ramush Haradinaj, që nga marrja e postit të kryeministrit të vendit, nuk ka pohuar e as mohuar se do të pranojë marrëveshjen aktuale për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Ai ka shkarkuar Komisionin Shtetëror të kryesuar nga Murat Meha, derisa ka emëruar një Komision të ri, në krye me Shpejtim Bulliqin.

Haradinaj kishte pasur shumë problem me Murat Mehën më parë, madje një herë situata edhe ishte ashpërsuar, kur Haradinaj e kishte ofenduar Mehën.

Ai ishte nervozuar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm më 2015, kur ishte pranuar raporti i Mehës për demarkacionin, duke e quajtur atë “peder” dhe duke e lëshuar mbledhjen.

“Nuk bën me shpërnda raportin e atij pederi këtu... Nuk do të lejoj me ndodh takimi i komisionit me raport të atij njeriu këtu… Fizikisht nuk e lejoj derisa të vjen policia unë nuk dal prej kësaj salle, sepse duhet edhe ju ta keni një kufi se deri ku mund të shkoni kështu, nuk është temë hajgare, nuk është temë opozitare, është temë e territorit të këtij vendi…. Nuk guxoni raport të Murat pederit me pru edhe një herë këtu. Nuk ka kështu, nuk është ky vend bash qysh po kujtojnë njerëzit, kujt t’i ç... i pari me ardh me u tall me ne”, kishte thënë Ramush Haradinaj.

Por, sipas analistëve politik, Haradinaj, e ka përdor kauzën për “mbrojtjen e territorit”, për interesa politike, madje shkarkimin e Mehës e ka bërë për shkak të “urrejtjes personale” ndaj tij.

Ata kanë thënë se tani shumica parlamentare do të orientojë energji të saj tek aprovimi i formatit të Demarkacionit, i cili e lë jashtë Kosovës Çakorrin dhe Kullën.

Se marrëveshja e Demarkacionit, është vështirë të kthehet në Kuvend, e ka pranuar edhe vet partia e Haradinajt, AAK. Anëtari i kësaj partie Muhamet Kelmendi, fajin për këtë çështje ia ka hedhur qeverisë së kaluar, por ka lënë të kuptohet se do të heq dorë nga kundërshtimi i Marrëveshjes aktuale.

“Kjo është një çështje e rëndë. Është bërë punë shumë e dëmshme nga qeveria e kaluar dhe nga komisioni. Ato deklarime dhe aktivitete kanë marrë dhënë. Është shumë vështirë për të rikthyer çështjen. Të shpresojmë në më të mirën”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Mentor Tahiri

Shkarkimi popullsit i Murat Mehes

Duke folur në lidhje me këtë çështje, analisti politik Mentor Tahiri, ka thënë se qëllimi i potencimit të kësaj teme, ishte krijimi i perceptimit në opinion, mbi taborin e “tradhtarëve” të cilët e pranojnë Demarkacionin dhe “patriotëve” të cilët gjoja po mbrojnë territorin e Kosovës.

Ai ka theksuar se shkarkimi i Komisionit të Mehës nga Haradinaj, ishte populist dhe me elemente të urrejtjes personale, duke shtuar se qeveria do ta miratojë versionin aktual të Demarkacionit.

“Në diskursin politik të Kosovës, si duket në pamundësi për të ofruar programe konkrete të zhvillimit ekonomik, janë fryrë pa nevojë disa tema të karakterit populist. Një nga këto tema është edhe Demarkacioni i kufirit me Malin e zi. Qëllimi i potencimit të kësaj teme me tendencë për t’u paraqitur si problemi më i madh politik, ishte krijimi i perceptimit në opinion, mbi taborin e “tradhtarëve” të cilët e pranojnë Demarkacionin dhe “patriotëve” të cilët gjoja po mbrojnë territorin e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk mundi të dalë nga hipoteka e zotimeve nga e kaluara dhe vendimi i parë i këtij kabineti ishte shkarkimi i kryetarit të komisionit për Demarkacion. Një vendim ky krejtësisht populist dhe me elemente të urrejtjes personale ndaj Murat Mehës. Ndërkaq që tani kur kanë kaluar vetëm pak javë nga ai vendim, ka indikacione të qarta se shumica aktuale parlamentare do të orientojë energji të saj pikërisht të aprovimi i formatit të Demarkacionit, i cili lë Çakorrin dhe Kullën jashtë Kosovës”, është shprehur analisti Tahiri për “Bota sot”.

Image
Skender Zogaj

Pasojat nga debati për demarkacionin

Ndërsa, analisti tjetër politik Skender Zogaj, ka thënë se mbetet të shihet se si do ta zgjidhet Demarkacionin Qeveria e re.

“Çështja e demarkacionit i ka përjetuar të gjitha mënyrat e për foljeve dhe të gjykimeve të zjarrmishme, të cilat na kanë sjellë deri në lodhje totale, aq sa, më nuk është fare e rëndësishme kush ka pas ose jo të drejtë, sepse, po shihet se, kjo i ka kushtuar shumë shtrenjtë popullit dhe shtetit të Kosovës, që të bie në krizë të thellë politike dhe ekonomike. Tash kur ka ndodhur ndryshimi i madh qeverisës, mbetet të shihet se si do të vazhdohet me demarkacionin, që, vazhdon të mbetet pikëpyetje e madhe e me një varg dilemash, padyshim me pasoja të reja! Si do të jetë zgjidhja do të shihet shumë shpejt dhe, pas kësaj, do të shihet se kush kujt i ka hy në hak. Nuk është këtu fjala vetëm për individët, por është edhe për përmasat më të gjera qeverisëse të vendit, sepse, është fakt që, për demarkacioni është rrëzuar. Qeveria Haradinaj tash e ka radhën të ofrojë zgjidhjen e problemit”, është shprehur Zogaj.

Ai ka vlerësuar se nëse Qeveria miraton marrëveshjen në versionin aktual, Haradinaj do të duhej t’i kërkonte falje publikut të gjerë, pasi sipas tij, çështja e demarkacionit ka shkaktuar konfrontime të jashtëzakonshme në të gjitha shtresat e qytetarëve.

“Nëse, eventualisht ndodh që, të miratohet versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit, është obligim jo vetëm moral, por edhe institucional kërkim falja, jo vetëm ndërmjet oponentëve të ndryshëm, por edhe ndaj publikut të gjerë sepse, çështja e demarkacionit ka shkaktuar konfrontime të jashtëzakonshme në të gjitha shtresat e qytetarëve, të cilët me muaj kanë zhvilluar debate deri në armiqësime të skajshme edhe brenda rrathëve familjar. Pasojat kanë qenë të mëdha dhe, do të uronim që, zgjidhja përfundimtare të jetë ndryshe”, ka shtuar analisti Skender Zogaj për “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

Haradinaj t’i kërkojë falje Murat Mehes

Se Haradinaj do të duhej të kërkonte falje ndaj Murat Mehës, nëse miratohet Demarkacioni në versionin e tanishëm, e ka thënë edhe politologu Ramush Tahiri.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ai ka vlerësuar se me rëndësi për qytetarët e Kosovës, është liberalizimi i vizave.

“Nëse ndodh krejt kështu, është normale dhe e moralshme, që jo vetëm Murat Mehës si person, por edhe institucioneve t’u kërkohet falje. Por, kjo çështje është morale e jo ligjore. Me rëndësi të plotësohet kushti i BE-së dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, por nëse i merr Kosova 82 kilometra katrorë prej Malit të Zi siç po deklaron Komisioni i ri, atëherë edhe më mirë se fitojmë liberalizimin dhe fitojmë territor”, ka thënë politologu Tahiri.

Image
Faton Mehmeti

Fajtori kryesor, Hashim Thaçi

Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti, mendon se Haradinaj, e ka shndërruar në kauzë për interesa personale territorin e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se presidenti Hashim Thaçi është fajtori kryesor pse Kosova është futur në krizë nga mosliberalizimi i vizave, pasi ka përdorur Murat Mehën si “tellall të tij”.

“Kosova ka nevojë për ta ditur të vërtetën dhe e vërteta është se Kosova ka humbur territor me Demarkacionin me Malin e Zi. Ramushi si fillim këtë kauzë e ka shndërruar për interesa politike, shpesh duke tejkaluar arsyen për ta kuptuar se është pothuajse e pamundur që të rikthehet ajo çfarë është nënshkruar. Murat Meha ka qenë vetëm tellall i Hashim Thaçit, i cili është fajtori kryesor që Kosova është futur në këtë krizë të pamundësisë për liberalizimin e vizave. Thaçi është njeriu më dinak, që ka pasur ndonjëherë Kosova, duke nënshkruar pa ditur se çfarë po nënshkruan, ka bërë që Kosova sot të jetë i vetmi vend pa liberalizim të vizave”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Haradinaj e din se nuk do të mund të bëjë asgjë për Demarkacionin dhe ai duhet të pranojë realitetin.

“Thaçi ia lëshoi në duar Ramushit “pataten e nxehtë”, të cilën Ramushi nuk po di tani nga ta hedhë, sepse i ka mbetur në dorë. Tani që është bërë kryeministër e kupton se çfarë të bëjë asgjë, jo Ramushi por askush pasi Mali i Zi, është në NATO dhe është pranuar me kufijtë aktual, duke prishur demarkacionin. Kosova është e dhimbshme që ka humbur territor, por më nuk kthehet, prandaj është më mirë me u pajtu me këtë fakt dhe me ec tutje. Nuk guxojmë të mbesim peng të dëmeve që vendit ia ka sjellë Thaçi i papërgjegjshëm, bashkë me klanin “Pronto”. Murat Meha ishte tellall i Thaçit, ai e ka pjesën e fajit, por jo aq sa shefi i tij. Ramushi duhet ta pranojë realitetin, mos të sillet në rrethin vicioz pasi vendi duhet shpejtuar, ndryshe Kosova rrezikon të shpërbëhet nga shqiptarët, të cilët po i kin çdo ditë nga vendi. Murat Meha dhe Ramushi janë goditur nga një gur i Thaçit, të dy janë zënë mes vete, derisa kryesori ka mbetur i paprekur”, është shprehur Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat