Tahiri: Fushata njëmuajshe për zgjedhje komunale e panevojshme, këto janë arsyet

Politika

Tahiri: Fushata njëmuajshe për zgjedhje komunale e panevojshme, këto janë arsyet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 shtator 2017 Në ora: 22:32
Ramush Tahiri

Tashmë ka filluar fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Kandidatë për kryetarë të komunave e për asamble komunale po mbajnë tubimet në komuna të ndryshme në kuadër të kësaj fushate.

Si kandidatë për kryetarë kemi edhe persona që tashmë kanë poste, qoftë si kryetar aktual i komunës së caktuar, ministër apo deputet.

Duke pasur edhe një post tjetër, sa ndikon fushata për zgjedhjet lokale, që ata kandidatë t’i lënë anash angazhimet e tyre në postet ministrore apo si deputetë?

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se një kohë prej një muaji fushatë është fare e panevojshme.

“Fushata njëmuajshe për zgjedhjet komunale është e panevojshme, madje nuk është as e dobishme sepse regjistron humbje kohe dhe energjie. Një javë do të ishte e mjaftueshme sepse për këtë kohë mund t’i biesh kryq e tërthor si thotë populli të gjithë territorit të komunës të vizitosh të gjithë fshatrat dhe vendbanimet, t’i thuash e prezantosh të gjitha çështjet e rëndësishme...dhe populli t’i mbajë të gjitha këto në mendje”, është shprehur Tahiri.

Më tej, ai thotë se kjo periudhë e fushatës shkakton shpenzime, ndikon që ata persona ta lënë anash punën në postin që kanë dhe sidomos nëse e shfrytëzojnë orarin e punës dhe stafi e automjetet zyrtare.

“Shkuarja e udhëheqësisë partiake komunë më komunë duket edhe e bezdisshme, përveç faktit se shkakton shpenzime, humbje kohe dhe lenie pas dore të obligimeve zyrtare nëpër ministri e agjenci. Aq më keq kur shfrytëzohet stafi dhe automjetet zyrtare por edhe orari i punës. Edhe nëse ligji ose udhëzimi administrativ mund të kenë dykuptimësi çështje morale është dhe e mirësjelljes dhe e kulturës politike është të mos veprohet kështu, duke u dëmtuar puna e institucioneve për kinse interesa partiake”, ka deklaruar politologu Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat