Punësimi i militantëve partiak, arsyeja pse Haradinaj shkarkoi bordin e AKA-së

Politika

Punësimi i militantëve partiak, arsyeja pse Haradinaj shkarkoi bordin e AKA-së

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 26 shtator 2017 Në ora: 17:53
Ramush Haradinaj

“Është e qarte që subjektet që deri tani kanë qeverisur me vendin kanë mendësi të njëjtë. Pra qëllimi i qeverisjes për këto subjekte që kane qeverisur deri me tani ka qenë pasurimi dhe mbushja e bordeve, agjensioneve dhe institucioneve tjera me militante partiak”, tha Albulena Haxhiu për “Bota sot”.

Kërkesa e kryeministrit Haradinaj për të shkarkuar anëtarët e bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, po konsiderohet si një veprim i qëllimshëm i kryeministrit që në këtë bord të futën militant të partive në pushtet.

Ministria e Arsimit të hënën ka marrë vendim për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të këtij bordi pas kërkesës së Haradinajt, por ende nuk ka njoftuar opinionin publik se cilat janë arsyet për ta bërë një gjë të tillë.

Gazeta Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të kabinetit të Haradinaj, ku ka kërkuar sqarime se cila ka qenë arsyeja e kryeministrit që ka kërkuar shkarkimin e këtij bordi, por askush nuk është përgjigjur.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Shkarkimi është bërë për interesa të PAN-it

Analisti Blerim Burjani dhe ish-anëtar i AAK-së në KQZ thotë për Bota sot” se shkarkimi i këtij bordi është bërë për interesa të partive në pushtet.

“Shkarkimi i Bordit ka ndodhur për arsye të natyrës politike, por edhe të arsyeve tjera , por prijnë arsyet dhe interesat e ngushta të partive në koalicion me PAN. Një partner i PAN-it ka pas interesa të ngushta dhe për arsye të cilat nuk janë bërë të qarta pse është shkarkuar bordi”, tha Burjani.

Sipas tij, shkarkimi ka ndodhe për arsye personale dhe për interesa të ngushta politike.

“Kuptohet shkarkimi ka ndodh për të bërë një bord tjetër politikë”, tha më tej ai.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se ky shkarkim është bërë për të sistemuar në këtë bord njerëz të politikës.

“Është e qarte që subjektet që deri tani kanë qeverisur me vendin kanë mendësi të njëjtë. Pra qëllimi i qeverisjes për këto subjekte që kane qeverisur deri me tani ka qenë pasurimi dhe mbushja e bordeve, agjensioneve dhe institucioneve tjera me militante partiak”, tha Haxhiu për “Bota sot”.

Image
Albulena Haxhiu

Ajo tha se kjo është e papranueshme dhe tregon hapur tendencat dhe përpjekjet e ulëta për kapjen e institucioneve.

“Mënyra se si është formuar kjo qeveri e dëshmon qasjen e mbrapsht që e kanë këta njerëz. Është e vërtetë që kemi pasur probleme të shumta në procesin e akreditimit, por po ashtu është e qartë që synimi nuk  është të bëhet më mirë, por të përkeqësohet edhe më shumë, sepse rehatimi i njerëzve të tyre është prioritet për ta. Kur postet (njësoj si posti i kryeministrit) shihen si mundësi për të shuar apetitet dhe ambiciet e sëmura, vaj halli për ne”, shtoi ajo.

Mbetet e paqartë kërkesa për shkarkim

Profesori Universitar Dugagjin Popovci thotë se është i paqartë vendimi i Haradinajt për të larguar njerëzit e këtij bordi.

“Në këtë moment, për opinionin publik mbetet e paqartë pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, në mesin e të cilëve ka edhe ekspertë të huaj që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar. Ose do të ketë ndodhur ndonjë skandal që opinioni nuk e di, ose ka ndonjë prapavijë krejt tjetër”, thotë Popovci.

Image
Dugagjin Popovci

Edhe eksperti tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi ka dal kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit.

“Pavarësisht të metave dhe lëshimeve, duke qenë edhe peng të vullnetit politik të pushtetarëve, kjo përbërje e KSHC-së së AKA-s ka qenë ndoshta përbërja më e mirë e KSHC-së deri më tani dhe është përbërja e vetme që megjithatë ka ndërmarrë disa veprime për të detyruar IAL për përmbushjen e disa kritereve dhe standardeve minimale për akreditimin institucional dhe akreditimin e programeve të studimit të IAL”, ka shkruar Thaçi.

Image
Jusuf Thaçi

EdGuard kërkon transparencë

Instituti EdGuard vlerëson se vendimi i kryeministrit për shkarkimin e organeve udhëheqëse të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) nuk është i papritur dhe shpreson të ketë për bazë shkeljet e bëra nga AKA.

“Rikujtojmë që mungesa e transparencës gjatë procesit të akreditimit, ka mundësuar që për opinion të vihen publike vetëm vendimet finale, dhe asnjëherë procesi i verifikimit. Në veçanti është shqetësues akreditimi i kolegjeve private duke u bazuar në plotësim të kushtit të profesorëve të rregullt të deklaruar, ku pot e njëjtit janë të angazhuar në institucione tjera. Ky anashkalim i "rastësishëm" i më se 80 rasteve të tilla, e që paraqet kriterin kyç për akreditim, paraqet shqetësim serioz për kredibilitetin e vendimeve të fundit të marra nga AKA”, thuhet në komunikatë. 

Transparencë për këtë vendim ka kërkuar edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat