Akuzat e Speciales, gjithçka në dorën e kryeprokurorit Shwendiman

Politika

Akuzat e Speciales, gjithçka në dorën e kryeprokurorit Shwendiman

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 shtator 2017 Në ora: 10:08
Seli a Gjykatës Speciale

Kuvendi i Kosovës, para dy vitesh ka votuar ligjin për të, por Gjykata Speciale ende nuk e ka filluar punën me aktakuzat dhe aksionet e para. Kjo Gjykatë e cila përveç, krimeve të supozuara gjatë luftës, e që u ngritën dyshimet nga senatori zviceran, Dick Marty, është bërë e ditur se do të hetojë edhe vrasjet politike që ndodhën në Kosovë, e ku më së shumti nga këto pësuan anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo vonesë e ngritjen së aktakuzave, ka filluar të krijojë mosbesim tek qytetarët në Kosovë lidhur me efikasitetin e kësaj Gjykate.

Në përgjigjen për gazetën “Bota sot”, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se janë funksionale që nga korriku dhe çështja e aktakuzave i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Dhomat e Specializuara nuk mund të konfirmojnë spekulimet e mediave në lidhje me aktakuza sepse i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar të ngrejë akuza. Ne, Dhomat e Specializuara mund të themi vetëm se që prej korrikut të këtij viti jemi tërësisht funksionalë në aspektin gjyqësor dhe mund të pranojmë parashtrime”,, thuhet në përgjigjen e tyre.

Image
Tomë Gashi

Gashi: Gjykata Speciale e gatshme për të filluar punën

Ndërsa, për mundësinë e fillimit të aktakuzave nga Specialja, avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ajo është tashmë e gatshme për të filluar punën, derisa tregon se nga kush varet fillimi i aktakuzave nga Specialja.

“Gjykata speciale e ka të formuar gjithë infrastrukturën, si ligjore që do të thotë se janë të përzgjedhur 90 gjyqtarë të Gjykatës Speciale dhe është përzgjedhur apo është emëruar edhe kryetarja e kësaj gjykate. Se kur do të fillojë që t’i shqyrtojë akuzat e para gjykata nuk varet nga vetë kjo gjykatë por nga zyra e prokurorit special, e cila e ka selinë në Hagë dhe prokuroria duhet t’i dërgojë çështjet apo aktakuzat për tu gjykuar, sepse gjykata nuk mund të marrë një vendim vetvetiu, nuk mund ta gjykojë askënd pa aktakuza. Kështu që tani gjithçka është në dorën e kryeprokurorit, David Shwendiman, i cili është amerikan dhe me rastin e dorëzimit të akuzave të para, gjykata speciale është e përgatitur dhe sa i përket gjykatës, nuk ka arsye që të ketë vonesa. Sido që të jetë, përveç prokurorisë speciale apo dhomës së specializuar të prokurorëve në Hagë, askush nuk mund ta dijë me saktësi se kur do të fillojnë gjykimet në gjykatën speciale”, ka deklaruar Gashi.

Humbja e besueshmërisë së qytetarëve të Kosovës

Më tej, avokati thotë se kjo Gjykatë e cila është ndërkombëtare por që formalisht njihet si Gjykatë e Kosovës, do të duhej të fillonte sa më parë me aktakuzat, në mënyrë që të mos e humb besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës, për shkak të kohës së gjatë të formimit.

“Nëse gjykata speciale do që ta ruajë sadopak kredibilitetin e saj si institucion ndërkombëtar i drejtësisë edhe pse i formuar me votën e deputetëve të Kosovës, edhe pse konsiderohet formalisht si gjykatë e Kosovës por ne të gjithë e dimë se ajo ka konotacion të një gjykate ndërkombëtare penale, do të duhej të fillonte sa më shpejt që është e mundur me shqyrtimin e rasteve të aktakuzave, për shkak se tashmë kanë kaluar 2 vite prej që është nxjerrë ligji për themelimin e saj, ligji është nxjerrë në gusht të vitit 2015 dhe kjo gjykatë ka gjasa që ta humbë kredibilitetin apo besueshmërinë e popullatës së Kosovës nëse stërzgjatet fillimi i punës së saj”, është shprehur avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Politika pa ndikim në Gjykatën Speciale

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi përmend miratimin e të ashtuquajturës ‘Direktivë për Avokatët’, e cila ka disa procedura të cilat duhet të plotësohen për të vazhduar deri tek aktakuzat.

“Pavarësisht hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk mund t’i ngritë aktakuzat. Rregullorja e Procedurës dhe e Provave ka paraparë miratimin e të ashtuquajturës ‘Direktivë për Avokatët’, ku do të caktohen kushtet dhe kriteret e nevojshme që avokatët duhet t’i plotësojnë për të pasur mundësi për t’i ofruar shërbimet e tyre juridike në Gjykatën Speciale. Vetëm pas pranimit në këtë regjistër nga paneli, avokatët do të mund të përfaqësojnë. Pra, qoftë ne si avokatë të brendshëm, qoftë avokatët ndërkombëtar, duhet të aplikojnë dhe të pranohen nga paneli. Përfundimisht, meqenëse për këto vepra penale mbrojta është e detyrueshme, pra, i akuzuari duhet patjetër të ketë avokat, asnjë arrestim dhe asnjë aktakuzë nuk do të ngrihet pa u miratuar, shpallur dhe hyrë në fuqi kjo direktivë”, është shprehur Gjoshi për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket lidhjes që mund të ketë kjo Gjykatë me krijimin ose jo të institucioneve, ai thotë se Gjykata është e pavarur dhe nuk ka të bëjë me organizatat politike.

“Sa i përket rrethanave politike në vend, vlerësoj se rrethanat aktuale politike nuk kanë asnjë ndikim në Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale është një organizatë ligjore dhe nuk ndikohet ose nuk do të duhej të ndikohej nga organizatat politike. Aq më tepër, kur kjo gjykatë e ka buxhetin e pavarur dhe funksionon jashtë çdo kontrolli të mundshëm të vendit tonë”, ka deklaruar avokati Gjoshi.

Në ndërkohë, mbetet të pritet se kur Gjykata Speciale do të nis aktakuzat e para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat