A do të guxojë Haradinaj ta shkarkojë të martën Rikallon?

Politika

A do të guxojë Haradinaj ta shkarkojë të martën Rikallon?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 30 shtator 2017 Në ora: 11:56
Ramush Haradinaj, Nenad Rikalo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nuk pritet të marrë ndonjë vendim për shkarkim të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

Ministri Rikalo akuzohet publikisht nga disa banorë të lagjes Dardania për tortura ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj menjëherë pas akuzave në njoftim për opinionin publik ka thënë senuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.

Analistët politik thonë se Haradinaj nuk mund të shkarkoj ministrin Rikallo, pasi që qeveria që ai udhëheq është në dorën e Listës serbe dhe të presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

Haradinaj është në dorën e Listës serbe dhe të Vuçiqit

Image
Jeton Kelmendi

Analisti politik Jeton Kelmendi thotë për “Bota sot” se Ramush Haradinaj nuk guxon të rrëzoj ministrin Rikallo.

“Kjo interpelancë është e thirrur vetëm sa për t’ia marr fytyrën Ramush Haradinajt, sepse Haradinaj është në dorën e Listës serbe dhe të Vuçiqit. Natyrisht se ai nuk guxon të shkarkoj Rikallon, sepse duke shkarkuar atë do të shkarkoj edhe vetën. Prandaj, kjo interpelancë është për ta vënë në siklet kryeministrin Haradinaj”, thotë Kelmendi.

Kelmendi thotë se Haradinaj të martën ose duhet të mbroj qytetarët e Kosovës, ose ministrin serb Rikallo.

“Kryeministri ka dy mundësi në interpelancë. Pra ose duhet ta filloj ta mbroj me të pavërtetat e tij se gjëja Rikallo nuk ishte implikuar në atë që qytetarët dëshmonin, ose duhet ta shkarkoj që i bie të shkarkoj edhe vetën”, shtoi Kelmendi.

Edhe analisti tjetër, Faton Mehmeti shprehet skeptik se Haradinaj do të marr ndonjë vendim ndaj ministrit Rikallo.

“Nuk besoj se qeveria e drejtuar nga z. Haradianj do të ketë guximin për të shkarkuar ministrin Nenad Rikallo, kjo për faktin se qeveria është në duart e Listës Srpska. Kjo edhe e fuqizon tej mase minstrin Riakllo, duke e shndërruar në ministër me imunitet nga shkarkimi”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

“Pra të martën, kur pritet të mbahet interpelanca nuk pres që qeveria Haradinaj të reflektoj, edhe nëse do të dëshironte por nuk ka guxim, pasi fatin e saj e ka të lidhur për Listen Srpska”, shtoi Mehmeti.

Rikallo mund të rrëzohet më protesta paqësore

Image
Faton Mehmeti

Analisti Mehmeti thotë se duke e parë varësinë e Haradinajt nga Lista Serbe, ai të vetmen mundësi për rrëzimin e Rikallos e sheh nëpërmjet protestave paqësore.

“Nëse kryeministri Hardinaj nuk e shkarkon z. Rikallo nga posti i tij, opozita e ka të drejtën e botës për të përshallëzuar format e saj të kundërshtimit deri edhe në protesta në rrugë, protesta krejt paqësore”, thotë Mehmeti.

Por, Mehmeti thotë se opozita duhet t’i shmanget dhunës.

“Nëse opozita, në këtë rast VV, e kërkon shkarkimin e ministrit Riakllo me mjete të dhunës, atëherë nuk pritet të realizoj synimin e saj, por nëse proteston opozita me qytetarët në formë paqësore, atëherë veç vonim se nuk ka zgjidhje tjetër, pos shkarkimit.

Prokuroria speciale nuk ka filluar hetime ndaj Rikallos

Në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se organet e drejtësisë nuk kanë asnjë vendim lidhur me hetimin e akuzave të banorëve të lagjes së Dardanisë ndaj ministrit Rikallo.

“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), nuk ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër ministrit Rikallo, por ka kërkuar nga Policia e Kosovës, për sigurimin e informatave të nevojshme si dhe dëgjimin e dëshmitarëve etj”, tha për Bota sot”, Hekrem Lutfiu zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat