Haradinaj “në duar” të Malit të Zi, ja pse s’mund ta dërgojë Demarkacionin në Arbitrazh

Politika

Haradinaj “në duar” të Malit të Zi, ja pse s’mund ta dërgojë Demarkacionin në Arbitrazh

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 tetor 2017 Në ora: 11:58
Ramush Haradinaj

Edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj gjatë fushatës elektorale premtoi liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës pas një periudhe prej tre muaj qeverisje nga ai, kjo duket se nuk do të jetë e mundur.

Kjo pasi një nga kushtet kryesore në këtë proces është ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit, që sipas zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, kjo nuk do të bëhet deri në mars të vitit të ardhshëm.

Këtë Hoxhaj e tha ai së fundmi për të përditshmen austriale Wiener Zeitung, ku ka theksuar se në vitin 2018 do të bëhet ratifikimi i Demarkacionit e më pas liberalizimi i vizave.

Për këtë, opozita shprehet pesimiste.

LDK: Premtimi i Haradinajt, i parealizueshëm

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se një premtim i tillë nuk do të mund të realizohet, aq sa mund të realizohet shkuarja e tij në hënë.

“Haradinaj mundet me e përmbushë atë premtim, aq sa që unë mund të shkoj në hënë...madje, madje, shkuarja ime në hënë është më afër mendsh”, ka deklaruar Gecaj.

Koalicioni PANA: Demarkacioni ratifikohet së shpejti

Ndërsa nga pozita shprehen të bindur se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Enver Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit do të bëhet shpejt e kështu do t’i hapet rruga edhe heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës.

Image
Enver Hoti

“Demarkacioni do të zgjidhet, ashtu siç kemi thënë dhe jam i bindur se do të jetë  ashtu siç është në interes të vendit. Është parë puna e gabuar e Komisionit që ka qenë dhe ne do t’i japim rëndësi reale kësaj pune. Liberalizimi i vizave do të bëhet ashtu siç ka thënë kryeministri, besojmë fuqishëm se do të realizohet. Qeveria e ka agjendën e qartë drejt integrimeve evropiane”, ka thënë Hoti.

Sa i përket deklaratës së Haradinajt për heqjen e vizave brenda tre muajve, derisa demarkacioni do të mund të votohet në mars, Hoti u përgjigj: “Nuk lidhet me kohë, por kjo çështje do të zgjidhet në afate sa më të shkurtra dhe me zgjedhje në interes të vendit. Ratifikimi duhet të ndodhë dhe do të ndodhë”.

Bytyqi: Kosova s’ka të drejtë ta dërgojë Demarkacionin në arbitrazh

Në anën tjetër, profesori Enver Bytyçi ka thënë se Haradinaj ka qenë kundërshtari më i madh i asaj marrëveshje të Demarkacionit, andaj edhe tani duhet ta zgjidhë këtë çështje.

Image
Enver Bytyçi

“Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është si të thuash thembra e Akilit jo vetëm në marrëdhëniet me këtë vend mik të Kosovës, por edhe me Bashkimin Evropian. Ramush Haradinaj është zgjedhur për t'u bërë kryeministër edhe për faktin se në opozitë ishte kundërshtari kryesor i vendosjes së vijës së kufirit me Malin e Zi dhe kjo për shkaqe politike, por edhe rajonale. Kjo do të thotë se Haradinaj ka marrë detyrë ta zgjidhë këtë ngërç dhe t'i hapë rrugë me këtë rast liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit të tij. Llogaritë janë të qarta; Mazhoranca do të përcaktojë vendimin përkatës, LDK do ta mbështesë, sepse kjo mazhorancë do të veprojë afërsisht njësoj si qeveria e mëparshme”, ka deklaruar Bytyçi.

Sa i përket mundësisë së dërgimit të Demarkacionit në Gjykatën e Arbitrazhit, ai ka thënë se kjo mund të bëhet vetëm nga Mali i Zi dhe jo nga Kosova, pasi juridikisht nuk është anëtare e OKB-së.

“Unë nuk shoh alternativë tjetër veç kësaj, sepse Mali i Zi nuk pranon ndryshime thelbësore të marrëveshjes. Në Arbitrazh nuk mund të shkohet, sepse Kosova nuk është i definuar juridikisht si shtet me ulëse në OKB. Vetëm nëse Mali i Zi ankimon, çështja shkon në arbitrazh, por kjo do të thoshte shtyrje e procesit të liberalizimit të vizave gjithashtu. Zv. kryeministri Hoxhaj ka thënë se në mars do të bëhet ratifikimi i marrëveshjes në parlament. Unë e shoh të arsyeshme që deri atëherë të jetë arritur një vendimmarrje sa më konsensuale”, ka vazhduar më tej Bytyçi.

Sipas profesorit, BE do t'i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës vetëm pasi të jetë ratifikuar marrëveshja ose së paku kur për këtë të jetë 100 për qind e sigurt se do të ndodhë.

“Kështu që deklarata e Haradinajt se brenda këtij viti do liberalizohen vizat, është deklaratë që nënkupton miratimin e marrëveshjes së paku në dy muajt e ardhshëm. Por nuk më duket se ky afat mund të arrihej, pasi që komisionit të ngarkuar rishtazi do t'i duhet kohë për të përfunduar projektin e ri, si dhe më pas do të duhet edhe një kohë tjetër për ta ballafaquar me mendimin e grupeve të interesit, sidomos të grupeve parlamentare. Sido që të jetë është për t'u përshëndetur fakti se qeveria e Haradinajt është angazhuar fort në këtë çështje, e cila përbën dhe çelësin për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Deklaratat për marketing politik

Image
Sami Blakaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve për integrime evropiane Sami Blakaj, ka thënë se deklaratat e tilla po përdoren vetëm për marketing politik dhe se pa u përmbushur kushtet që janë caktuar nga BE-ja, nuk do të ketë liberalizim të vizave.

“Deklaratat e udhëheqësve të Kosovës janë thjeshtë marketing politik, ndërsa qëndrimi i BE-së është një realitet i pandryshueshëm politik dhe ky është dallim qenësor. Përmbushja e qëllimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nënkupton përmbushjen e dy kritereve të BE-së karshi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe miratimin e Demarkacionit. Pa përmbushjen e këtyre dy kritereve, jo vetëm që nuk do të ketë liberalizim, por as edhe përafrim të Kosovës drejtë BE-së”, ka deklaruar Blakaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat