Dështimi i Haradinajt, Kosova merr një tjetër goditje

Politika

Dështimi i Haradinajt, Kosova merr një tjetër goditje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 tetor 2017 Në ora: 22:49
Ramush Haradinaj

Në fillim të mandatit të saj, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj u tërhoq nga kërkesa për aplikim për anëtarësim në INTERPOL.

Pas kësaj, tani Qeveria ka marrë vendim që të mos aplikojë as për anëtarësim në UNESCO, duke hequr dorë për tu bërë pjesë e dy organizatave ndërkombëtare.

Këtë tërheqje, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi e quan lajm të keq, por që sipas tij ka qenë tërheqje me taktikë politike, për shkak të Kinës.

“Para disa ditësh qeveria e Kosovës u tërhoq nga aplikimi për të kërkuar anëtarësinë në INTERPOL. U duk se tërheqja ishte një taktikë e mirë politike, sepse samiti i Interpolit do të bëhet në Kinë dhe kësisoj do të ishte vështirë të realizohej kjo kërkesë, për shkak se Kina është kundërshtare e pavarësisë së Kosovës. Ajo kishte avantazh si vend organizator të ndikojë në përfaqësuesit e vendeve anëtare të Interpolit. Por para dy ditësh qeveria e Kosovës dha lajmin se nuk do të aplikojë kësaj radhe për anëtarësim në UNESCO. Ishte një lajm i keq. Gati tri vite pas dështimit të herës së parë për tu pranuar në këtë organizatë ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, tërheqja është një goditje tjetër për Kosovën”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Ai thotë se Kosova ka dështuar që për këto vite të shtojë numrin e shteteve anëtare që do të mund të votonin për Kosovën.

“Në tri vite qeveria dhe institucionet e Kosovës gjenden në të njëjtën situatë, nuk kanë mundur të rritin influencën e tyre për të garantuar votat e nevojshme për anëtarësim në UNESCO. Ky është problemi më i madh. Çfarë po ndodh me institucionet e Kosovës?! Pse ato janë kaq të paafta sa në tri vite nuk kanë mundur të sigurojnë që tri-katër vende të bëhen krah dhe të japin votën për Kosovën anëtare në këtë organizatë?! Një analizë e përgjegjësisë për këtë situatë do të na çojë në përfundimin se Kosova ka dështuar në këto tri-katër vite të garantojë njohjen e saj ndërkombëtare dhe të shtojë numrin e vendeve që mbështesin pavarësinë. Unë kam besuar dhe besoj se kjo është detyra dhe funksioni kryesor i qeverisjes në Kosovë. Njohja e plotë e shtetësisë. Duhen gjetur shkaqet pse ka ndodh kjo dhe duhen përcaktuar strategjitë për të ardhmen”, ka vazhduar më tej Bytyçi.

Ai thotë se do të vijë koha kur Kosova do të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, por që për këtë institucionet dhe Qeveria duhet të angazhohen seriozisht, sepse Serbia po lobon shumë që 22 vendet anëtare të BE-së të tërheqin njohjen e tyre për Kosovën.

“Tërheqja është një humbje e madhe për imazhin e Kosovës. Ndërkohë nuk është fundi i botës, sepse do të vijë një kohë që ajo do të jetë anëtare e UNESCO-s. Interpolit, por edhe e OKB-së. Megjithatë druhem se do të ketë kosto, nëse institucionet, qeveria dhe liderët e Kosovës nuk angazhohen seriozisht në qeverisjen e shtetit dhe jo në shërbim të interesave personale të tyre. Nëse do t’ia lëmë gjithë barrën e njohjes së shtetësisë miqve, atëherë do të pranojmë lëshimet që mund të kërkohen si rezultat i konjukturave ndërkombëtare që krijohen. Miqtë e Kosovës nuk janë gjithashtu unikë në qëndrimet e tyre. Pikërisht kësaj i druhem, sepse për këtë po punon fort edhe diplomacia serbe. Nuk është pa pasoja kërkesa e Beogradit për 22 vendet anëtare të BE-së që ato të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës. Në këto vende ka forca që e kërkojnë revokimin e kësaj njohjeje. Edhe pse nuk do të ndodh anulimi i njohjes, do të ketë impakt në mbështetjen e kërkesave anti Kosovës të Serbisë”, është shprehur profesori për ”Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat