Edhe një javë pas seancës së fundit, po vazhdon të komentohet deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lidhur me ish Shërbimin Informativ të Kosovës, të cilin e drejtonte dikur.
Kuvendi i Kosovës, ka shërbyer si arenë për përplasje mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës.
Kry parlamentari i vendit Kadri Veseli, kishte një replikë të ashpër me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanajn.
Ky i fundit, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, ka folur për SHIK-un, për të cilin ka thënë se është dobësuar në Kosovë.
Deputeti i LDK-së ka deklaruar po ashtu se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen mirë për një arsye, se SHIK-u është dobësuar në Kosovë, derisa ka treguar se axha i tij ishte i burgosur politik me Azem Sylën.
“Agja im ka qenë në burg me Azem Sylën në 1981, ka qenë i burgosur politik tri vjet, Agim Selmanaj është axha im, ka qenë në dhomë me Azem Sylën në Prizren. Çfarë flisni more ju, a po e shihni deri ku keni shkuar”, ishin fjalët e Selmanajt, të cilat i mbetën në gjysmë për shkak se ia ndal mikrofoni.
Atij menjëherë i është kundërpërgjigjur ish-kreu i SHIK-ut dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili ka thënë se gjatë këtij mandati do të ketë komision hetues për SHIK-un.
“E keni marrë zanat SHIK-u, SHIK-u... do të ngiheni SHIK, do të shkojmë deri në fund në këtë mandat, edhe me komisionin hetues dhe media në mënyrë transparente, veç atëherë mos bëj ciu-ciu me u tërheq, qëndro deri në fund, mos manipulo me plagët e njerëzve dhe hajni sepse njëri nga ta je ti, shko padit ku të duash se je shpifës, i pa sjellshëm dhe pa dinjitet”, ka thënë ai.
LDK: Veseli na paska gënjyer se SHIK-un nuk ekziston më?!
Lidhur me këtë deklaratë të Veselit ka komentuar anëtari i LDK-së Bajram Gecaj. Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Gecaj e ka quajtur këtë deklaratë të pamatur dhe brengosëse, me të cilën duhet të merren organet e rendit dhe drejtësisë.
“Kjo definitivisht shkon në vargun e deklaratave dhe veprimeve të pamatura të politikanëve në Republikën e Kosovës. Para disa ditësh kemi parë edhe grushtimet, për herë të parë ku ka rastis që në televizion të shoh edhe grushtime. Pra, nëse vërtetë ai mendon atë çka e ka thënë, ajo është shumë brengosëse. Është një deklaratë në të cilën duhet të merren organet e rendit dhe sigurisë”, është shprehur Gecaj.
Ai ka kujtuar se Veseli më herët kishte deklaruar se SHIK nuk ekziston më, mirëpo, sipas tij, deklarata e ish-kreut të kësaj organizate, “tregon se ajo që kishte thënë nuk ishte e saktë”.
“Nëse ai vërtetë mendon së ne qytetarët e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të ngihen në këtë mandat me SHIK-un, atëherë kjo është deklaratë shumë serioze, me të cilën duhet të merren organet e sigurisë. Ju e dini mirë se Kadri Veseli publikisht ka deklaruar se SHIK-u nuk ekziston më, e ai tash na thotë se ne do të ngopemi me SHIK-un edhe në këtë mandat, atëherë na del se ato deklarata nuk kanë qenë të sakta. Këto deklarata duhet të hetohen nga organet e sigurisë”, ka shtuar Bajram Gecaj për “Bota sot”.
Rreziku për eskalim të situatës politike
Ndërsa, politologu Mentor Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetëm Veseli e di se çfarë ka tentuar të thotë saktësisht. Por, sipas tij, edhe presioni nga debati me deputetin Selmanajn, mund të ketë ndikuar në deklaratën e tij.
“Në një ambient të çoroditur të kulturës politike në Kosovë, eksponentë politik e në mesin e tyre edhe bartës institucional të posteve kyçe, lëshojnë deklarata për të cilat më vonë nuk ndjejnë ndonjë përgjegjësi. Natyrisht se lidhur me deklaratën e Veselit, mbase vetëm ai e di çfarë ka tentuar të thotë saktësisht, kurse është e mundur se është thënë në një moment të ngarkuar nga tensionet e debatit me Selmanaj”, është shprehur Tahiri.
Ai më tej ka vlerësuar se debati i ashpër në vend, e ka bazën tek vrasjet politike, duke theksuar se nëse ndërkombëtarët nuk veprojnë pa u vonuar, ambienti politik mund të eskalojë në mënyrë të paparashikueshme.
“Pavarësisht kësaj, shoqëria e pasluftës e këtij vendi, ka nevojë të mësojë më shumë për disa mistere të cilat edhe sot e kësaj dite lënë një shije të hidhur të pabarazisë dhe diskriminimit në baza politike. Aq më tepër, ky ambient mbetet peng i vrasjeve politike brenda shqiptare, gjatë dhe pas luftës. Tani kur po kalon edhe dekada e dytë që kur ndodhën ato vrasje, ato përveç si çështje e drejtësisë, duhet trajtuar edhe për hir të një pajtimi gjithëkombëtar brenda shqiptar. Gjithë ky acarim dhe ky ambient i ashpër ka gjenezën pikërisht te vrasjet me baza politike. Prandaj kundërshtari politik jo rrallë herë po përceptohet si armik politik. Nëse vërtetë organet e drejtësisë, përfshirë këtu edhe organet paralajmëruara të drejtësisë ndërkombëtare, nuk veprojnë konkretisht pa vonuar tutje, atëherë ka rrezik që ambienti politik të eskalojë në mënyrë të paparashikueshme”, ka thënë politologu Mentor Tahiri.
Mehmeti: Veseli kërcënoi deputetët
Kurse, për analistin politik Faton Mehmeti, Kadri Veseli “paraqet anën më të errët të Kosovës”. Ai e ka cilësuar si “kërcënim” deklaratën e kreut të PDK-së “se do t’i ngijë SHIK deputetët gjatë këtij mandati”.
“Vet fakti se Kadri Veseli është kryetar i Kuvendit është kërcënim, jo vetëm për deputetët, por edhe për Kosovën. Ndërsa, deklaratat e tij janë normale për një person si ai, duke njohur të kaluarën e tij dhe atë çfarë Kadriu e përfaqëson. Fatkeqësisht, Kadriu përfaqëson anën më të errët të Kosovës, i “legjitimuar” nga ana e PDK-së dhe vartësve të saj. Të thuash në Kuvend se “do t’i ngijë SHIK deputetët gjatë këtij mandati”, është kërcënim dhe si i tillë duhet të trajtohet”, është shprehur Mehmeti.
Sipas tij, deklaratat si kjo e Veselit, do të duhej të ishin objekt hetimi i Prokurorisë, por kjo siç ka theksuar ai, nuk mund të ndodhë në Kosovë, ku Prokuroria kontrollohet nga SHIK-u.
“Nëse do të kishte shtet, këto deklarata do të ishin marrë nga ana e Prokurorisë, por kur Prokuroria kontrollohet nga SHIK-u, nuk ka pse të pritet diçka ndryshe. Nëse do të kishte shtet ligjor, Kadriu kurrë nuk do të mund të merrej me politikë, vet fakti se ai është kryetar i Kuvendit, tregon se në çfarë gjendje është katandisur Kosova. Në gjykimin tim, Kosova kurrë nuk do të bëhet me Kadriun dhe SHIK-un, të cilët përpos formave të kërcënimeve, nuk kanë kulturë për të debatuar pa kërcënim dhe gjuhën e dhunës. Pa u çliruar Kosova nga prangat e SHIK-ut, kurrë nuk do të mund të ecet tutje”, ka thënë analisti Faton Mehmeti.
Por, ndryshe mendon njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, sipas së cilit, qëllimi i Kadri Veselit, është formimi i një komisioni parlamentar hetimor për rastin e SHIK-ut. Ai ka vlerësuar se kjo mbetet të shihet në vazhdim.
“Jo, duket se kreu i PDK-së, do të pajtohet që të formohet një komision paralamentar hetimor për rastin e SHIK-ut. Tash kjo mbetet të shihet, duhet të ketë iniciativë për të rishikuar apo verifikuar atë që është thënë një kohë të gjatë në skenën politike të vendit”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.