Veteranët paralajmërojnë Qeverinë e Kosovës

Politika

Veteranët paralajmërojnë Qeverinë e Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 tetor 2017 Në ora: 15:38
Protesta e veteraneve

Me pamflete në duar të shkruar “Padrejtësia, vrasje me paramendim, kujdes Qeveri”, “Kujdes Mos Luani me nënat e UÇK-së” dhjetëra veteranë  të UÇK-së kanë protestuar dje para Qeverisë së Kosovës.

Mos pagesa e pagave tash e tre muaj, i ka bërë ata të dalin në protestë, duke thënë se gjendja e shokëve të tyre është aq e vështirë sa që po vetëvriten çdo ditë.

Pas protestës, ata kanë zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Haradinaj dhe me deputetin Elmi Reçiqa.

Haradinaj, u ka thënë veteranëve se e ka kryer punën si Qeveri, pasi e ka proceduar projektligjin e buxhetit dhe u ka thënë se tani problemi është tek Kuvendi i Kosovës.

Kurse, Reçiqa është shprehur se në një afat prej 40 ditësh në maksimum do të procedohet për votim projektligji për buxhetin, në të cilin parashihet edhe sigurimi i mjeteve për veteranët.

Ndërsa, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë për “Bota sot” se qeveria duhet ta zbatojë ligjin dhe në rast se nuk zbatohet atëherë ata nuk do të qëndrojnë duart kryq.

“Qeveria duhet ta zbatojë ligjin, sepse tani kemi një ligj për vlerat e luftës, dëshmorët, veteranët e luftës së UÇK-së dhe viktimave civile dhe konsideroj që deputetët sa më shpejt ta aprovojnë buxhetin, sepse pa aprovimin të projektbuxhetit sipas informacioneve që kemi nuk ka mundësi të ndahen taksat e pensioneve të veteranëve” ka pohuar Jashari.

Sipas tij, deputetët duhet të jenë të ndërgjegjshëm para kësaj kategorie.

“Secili duhet të jetë i ndërgjegjshëm para kësaj kategorie që kanë sakrifikuar  dhe shpresoj që gjithë deputetë që kanë fituar votën që të jenë aty për interesat e qytetarëve të Kosovës, e sidomos interesat e kategorive që kanë sakrifikuar shumë siç janë veteranët. Secili deputet duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe mos ta keqpërdor besimin që ua kanë dhënë veteranët e UÇK-së. Duhet të merret parasysh që edhe ai benificion që i jepet mund të jetë një si asistencë sociale, sepse nuk mund të kalohet një jetë e dinjitetshme me 170 euro, kjo është një ndihmë për një kategori. Është turp për secilin të mendojë që me këto benificione e me këtë pension mund ta bëjnë jetën ashtu siç duhet veteranët”, ka theksuar Jashari për gazetën “Bota sot”.

Image
Xhavit Jashari

Sipas Jasharit, nëse vazhdohet kështu, ata nuk do të qëndrojnë duar kryq, duke shtuar se do t’i detyrojnë ata që janë ulur aty falë luftës dhe sakrificës së UÇK-së.

“Në të kundërt nëse nuk vazhdon kështu dhe nuk aprovohet subvecionet për veteranët atëherë nuk do të qëndrojmë duart kryq, do të bëjmë veprimet tona që t’i detyrojmë ata që janë të ulur aty falë luftës dhe sakrificiës së UÇK-së. Nuk është me rëndësi, a kanë qenë pjesë e luftës ata apo jo, të gjithë kush e kanë fituar votën e popullit duhet të japni përgjegjësi”, ka nënvizuar Jashari.

Ai ka shtuar, se me faktin që flitet dhe merren ende me problemet e kategorive të luftës, tash pas 18 viteve, duhet të korrigjohen të gjithë ata.

“Përderisa ne sot pas 17-18 viteve flasim dhe merremi ende me problemet e kategorive më të ndjeshme në shoqëri këtu duhet të korrigjohen të gjitha ata, edhe ata që kanë qenë në qeveri më herët sepse nuk ka arsye të neglishohen veteranët e luftës”, ka deklaruar Jashari.

Veteranët  në protestë, kanë thënë se nuk iu besojnë milionerëve brenda Kuvendit, mirëpo do të presin deri më 25 tetor./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat