Hashim Thaçi ka një hall të madh me Gjykatën Speciale, cili është ai?

Politika

Hashim Thaçi ka një hall të madh me Gjykatën Speciale, cili është ai?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 tetor 2017 Në ora: 09:09
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së Hënë ka befasuar të gjithë. Ai si kurrë më parë, ka drejtuar akuza ndaj ndërkombëtarëve, që sipas tij nuk i kanë mbajtur premtimet e bëra ndaj tij për Kosovën. Krejt këto akuza të Thaçit, janë të lidhura me Gjykatën Speciale, që sipas presidentit është një imponim nga ndërkombëtarët, në këmbim të premtimeve të mëdha për Kosovën.

“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, erdhi si nevojë politike ndërkombëtare e akterëve ndërkombëtar, se sa për drejtësi të mirëfilltë. Pranimi ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtar, me arsyetimin se duhet të kënaqin akterët tjerë në veçanti Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që ta ruajmë partneritetin strategjik me SHBA dhe BE dhe NATO-n, pranova ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj gjykate. Nga BE na u premtua se do  të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodh liberalizimi i vizave shpejtë, se do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonin Forcat e Armatosura shpejtë dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi e gjykatën, bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua integrimi euroatlantik”, deklaroi Thaçi.

Por, presidenti Thaçi ishte njëri ndër mbrojtësit më të madh para dhe pas miratimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

“Unë edhe si ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm kam udhëhequr këtë proces të themelimit të Gjykatës me besimin e plotë dhe të patundur që të ruhet dhe të kultivohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Kam qenë i vetëdijshëm se ka qenë një Gjykatë e padrejtë historikisht dhe një-etnike, por ka qenë dashtë të gëlltitet kjo re e zezë që sillej mbi Kosovën në interes të vendit dhe perspektivës euro-atlantike të shtetit dhe qytetarëve tanë”, deklaronte Thaçi, duke mbrojtur qëndrimin për Gjykatën Speciale.

Madje ai u bënte thirrje shokëve të tij, të akuzuar eventualë nga kjo Gjykatë që të dorëzohen para drejtësisë.

“Ajo gjykatë është formuar nga institucionet kosovare, me vullnet të deputetëve. Aspak nuk është negative për Kosovën, por është përparësi që e kemi këtë gjykatë, me qëllim që të gjitha aktakuzat të zbardhen”, kishe thënë Thaçi, shkruan "Bota sot".

Por, tashmë kur Gjykata Speciale është para fillimit të ngritjes së aktakuzave të para, Thaçi, si duket ka ndryshuar këtë qëndrim. Por, cili është halli që Thaçi ka me Gjykatën Speciale, apo cila mund të jetë arsyeja që ka shtyrë presidentin të ndryshojë qasje? A mund të jetë Thaçi në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale? Mbetet që koha ta tregojë këtë, përderisa presidenti është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Specialen.

Ndërsa, përveç që përmendet në raportin e Dick Martytit, si njeriu kryesor, në shumë raportime të mediave vendore e ndërkombëtare, presidenti Thaçi, përmendet si njëri ndër personat që do të akuzohet nga Gjykata Speciale.

“I zgjedhur më 26 shkurt nga Parlamenti i Kosovës, 47 vjeçari Hashim Thaçi mund të preket nga themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si përgjegjës për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, ku ai ishte një nga komandantët, i njohur si ‘gjarpri. Presidenti Hashim Thaçi, i cili e merr detyrën në prill, është përfshirë në raportin e Këshillit të Europës më 2010, të krijuar nga parlamentari zviceran Dick Marty. Ai beson se Thaçi udhëhoqi trafikimin e organeve të 500 të burgosurve serbë dhe romë nga shqiptarët. Sipas dëshmive të mbledhura nga misioni i Dick Marty, të burgosurit ishin dërguar në vendin fqinj Shqipëri për tu ekzekutuar, dhe organet e tyre u ishin shitur klinikave të huaja", shkruante media e njohur franzeze, Le Figaro, duke thënë se raporti specifikon edhe ekzekutime dhe rrëmbime ku përfshihen oponentë të Thaçit.

Po ashtu, edhe deputeti nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, kohë më parë kishte publikuar një listë me personat që do të akuzohen nga kjo Gjykatë, e ku njëri ndër ta ishte edhe Hashim Thaçi.

“Burime tona të informacionit, na bëjnë me dije se, lista e cila është përpiluar ndaj atyre të cilët do të akuzohen për krime lufte, është mbajtur top sekret, nga të gjithë vendorët, po edhe ndërkombëtarët, për arsyen e vetme, se duke u nisur nga eksperiencat e hidhura të së kaluarës, askush nuk donte që ky proces të dështoj. Akuzohet edhe Hashim Thaqi e Kadri Veseli.  Hashim Thaqi, drejtor në Drejtorinë Politike të UÇK -së. Kryetar i PDK-së, ish kryeministër, dhe aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Kadri Veseli, ish shef i Sherbimit Informativ Kombëtar të UÇK -së, aktualisht Kryetar i Parlamentit të Kosovës, dhe nënkryetar i PDK- së, partisë më të madhe në vend”, kishte shkruar Zeka.

Përveç këtyre, në listën e Zekës përfshihej edhe: Agim Çeku, Azem Syla, Xhavit Haliti, Shaip Muja, Ajvaz Berisha, Daut Haradinaj, Blerim Kuqi, Lahi Ibrahimaj, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj.

Përpos Zekës, i bindur se Thaçi do të akuzohet nga Gjykata Speciale është edhe ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj.

“Nuk besojë  se atë do të mund ta shpëtojë ndonjë lloj imuniteti, madje as pozita e presidentit. Unë mendoj që ai do të jetë në listën e të akuzuarve. Thaçi është akuzuar publikisht në raportin e Dick Martyt”, kishte deklaruar kohë më parë ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Ndërkohë, anëtari i PDK-së, Naim Bazaj, ka paralajmëruar që gjatë ditës së sotme do të publikojë disa dëshmi për vrasje, e ku sipas tij janë të përfshirë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ish kreu i SHIK-ut.

“Lladrovci ka ardhur me një vizion me përça partinë në Drenas. Ai është i mësuar me këso far kërcënimesh e shantazhe sikurse ia ka bërë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Por unë nesër apo pasnesër do t’ia ofrojë këto dëshmi që i kam në dorë edhe unë. Ky pati shantazhu Thaçin e Veselit një “çantë të zezë” prej Shqipërie lidhur me disa vrasje dhe disa gjëra të tjera”, ka deklaruar Bazaj.

Akuzave të Thaçit drejtuar Gjykatës Speciale u është përgjigjur vet Gjykata Speciale dhe Ambasada e shtetit më të fuqishëm në botë, ajo e SHBA-së.

“Prokuroria Speciale janë ata që hetojnë dhe duhet të ngrenë akuza dhe ne, nga ana jonë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi mandatin për të kryer një gjykim të drejtë dhe për t’u siguruar që ka një proces të rregullt. Dhe, që të gjitha aspektet e proceseve gjyqësore po vendosen dhe se ka një gjyq të sigurt, të pavarur dhe të paanshëm. Gjithashtu, për t’u marrë me pjesëmarrjen e viktimave dhe aspektet e tjera…Një gjë që unë dua të theksoj është se ne jemi një Gjykatë e ligjit dhe mandati ynë është një gjykim i drejtë, në thelb, mandati është që të informojmë, të informojmë objektivisht se çka po ndodh dhe të sigurojmë të gjithë informacionin në lidhje me procedurën dhe të ofrojmë informacionin aktual”,  ka thënë shefja e njësisë së informacionit në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, Avis Benes.

Ndërsa, Ambasada e SHBA-së, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbesin tërësisht të përkushtuara për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Shtetet e Bashkuara mbesin tërësisht të përkushtuara për veprimin e suksesshëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, dhe ne përshëndesim përkushtimin e institucioneve shtetërore për të bashkëpunuar me Gjykatën. Bashkëpunimi i Kosovës me këtë proces do të forcojë pozitën ndërkombëtare të shtetit dhe do te jete tregues konkret I parimeve elementare demokratike ku sundimi i ligjit vlejnë për te gjithë qytetarët, njësoj”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Ndërkohë, ditë më pare, në përgjigjen për gazetën “Bota sot”, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se janë funksionale që nga korriku dhe çështja e aktakuzave i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Dhomat e Specializuara nuk mund të konfirmojnë spekulimet e mediave në lidhje me aktakuza sepse i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar të ngrejë akuza. Ne, Dhomat e Specializuara mund të themi vetëm se që prej korrikut të këtij viti jemi tërësisht funksionalë në aspektin gjyqësor dhe mund të pranojmë parashtrime”,, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Gjykata Speciale është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat