Kërkohet hetimi për deklaratat për vrasje ku përmendet emri i Thaçit dhe Veselit

Politika

Kërkohet hetimi për deklaratat për vrasje ku përmendet emri i Thaçit dhe Veselit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 11 tetor 2017 Në ora: 17:44
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Organet e drejtësisë duhet të merren urgjentisht me deklaratat e individëve të caktuar, të cilët zakonisht në kohë fushatë deklarojnë se kanë fakte për vrasje gjatë dhe pas luftës, thonë analistët politik në vend.

Një deklaratë të fundit për vrasje e ka bërë dje kryesuesi i Kuvendit Komunal të Komunës së Drenasit dhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Bazaj.

Bazaj ka akuzuar kryetarin aktual të PDK-së Ramiz Lladrovcin, se ai po mbështetet nga përfaqësuesit e këtij subjekti politik për shkak se po i shantazhon kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe presidentin Thaçi me materiale për vrasje.

“Lladrovci ka ardhur me një vizion me përça partinë në Drenas. Ai është i mësuar me këso far kërcënimesh e shantazhe, sikurse ia ka bërë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Por, unë nesër apo pasnesër do t’ia ofrojë këto dëshmi që i kam në dorë edhe unë. Ky pati shantazhuar Thaçin e Veselin me një “çantë të zezë” prej Shqipërie lidhur me disa vrasje dhe disa gjëra të tjera”, ka deklaruar Naim Bazaj.

Kelmendi: Prokuroria të hetojë Bazajn, Lladrovcin, Thaçin dhe Veselin

Image
Jeton Kelmendi

Analisti Jeton Kelmendi, ka thënë për “Bota sot”, se këto deklarata duhet të hetohen urgjentisht nga organet e drejtësisë.

“Reagimet apo si të thuash nxjerrja në pah e skandaleve të dikurshme që i përfshin edhe kreun e shtetit dhe të Kuvendit Thaçi dhe Veseli për vrasje, duhet të hetohen urgjentisht. Në një shtet normal, prokuroria do t’i zgjidhte problemet dhe është interesant që skandalet, veprat kriminale po përmenden vetëm në Kohë fushate”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, Prokuroria, do të duhej të hetonte Naim Bazajn, lidhur me akuzat për vrasjet e mundshme nga Thaçi dhe Veseli.

“Në këtë rast është shansi më i mirë nga prokuroria që të hetojë Bazajn për deklarimet e tij, edhe Ramiz Lladrovcin, por gjithsesi për atë që organet e drejtësisë që nuk e kanë bërë deri më tani, së paku tani do të duhej të merreshin dhe të hetoheshin deklaratat e Bazajt për vrasje të mundshme, edhe presidenti Thaçi dhe kryetari, Veseli”, ka theksuar analisti Kelmendi.

Mehmeti: Akuzat për vrasje, veç në kohë fushate

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se për të hetuar pretendimet për vrasje, nevojitet një guxim dhe një prokurori me njerëz të pakorruptuar.

Ai është shprehur skeptik se prokuroria do të hetojë akuzat e politikanëve ndaj njëri-tjetrit.

“Nuk pres që një prokurori e korruptuar dhe e kapur nga politikanët, të hetojë akuzat e tyre në mes njëri-tjetrit, se tek e fundit këto akuza janë vetëm mashtrim për vota. Një sistem i dështuar i drejtësisë, i krymbur nga krimi dhe i dirigjuar nga bandat, nuk mund të prodhojë drejtësi, aq më pak të zbatoj atë”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka thënë se po bëhen akuza shumë të rënda për vrasje, por nuk sheh asnjë reagim nga ana e institucioneve të drejtësisë.

“Paramendo të akuzohet dikush me emër për vrasje dhe prokuroria e konsideron të parëndësishëm, kjo anomali vetëm tek ne ndodh. Nëse do të kishte sistem të drejtësisë të pavarur, Bazaj do të merrej në pyetje për akuzat e tij dhe nëse po gënjen të dënohet apo të marr dënimin e merituar personi që po akuzohet”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, raste të tilla po ndodhin çdo herë në fushatë, duke e përdorur si propagandë për të dëmtuar tjetrin.

“Në fushatë bëhet “luftë" për programe jo kush ka vrarë, fakti se këto ndodhin tek ne flet se në çfarë gjendje kemi rënë si shoqëri. Është e vërtetë që në mesin e politikanëve kryesor ka edhe vrasës, por duhet të hetojë prokuroria figurën e çdo zyrtari shtetëror, ndryshe kur krimi udhëheq një shoqëri ajo është e destinuar që të dështojë”, ka shtuar Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat