“Haradinaj po bën gënjeshtarin, po mashtron qytetarët për liberalizimin e vizave”

Politika

“Haradinaj po bën gënjeshtarin, po mashtron qytetarët për liberalizimin e vizave”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 tetor 2017 Në ora: 17:56
Ramush Haradinaj

Pas një muaji që erdhi në krye të qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka ndryshuar deklaratën e tij sa i përket liberalizimit të vizave.

Gjatë fushatës elektorale, Haradinaj premtonte se me ardhjen e tij në pushtet, Kosova brenda tre muajve do të ketë liberalizimin e vizave. Kurse, tani ai po thotë se kah fundi i vitit dihet se çfarë do të bëhet me këtë çështje.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Nuk do të shkojë edhe shumë kohë e gjatë për të pritur për këtë proces. Unë besoj se në fund të këtij viti do ta kuptojmë se kur do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Por, këto ndryshme të deklaratave po shihen nga analistët si një mashtrim i kryeministrit, vetëm sa për të qëndruar më shumë në pushtet.

Haradinaj po mashtron qytetarët, vet po e bllokon liberalizimin e vizave

Image
Jeton Kelmendi

Analisti politik, Jeton Kelmendi, ka thënë se Haradinaj po jep deklarata të pavërteta lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

“Mendoj se deklaratat e shefit të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj qysh në fillim kanë qenë të pavërteta. Mendoj, se nuk ka qenë aq i paditur ai sa mos të dinte se liberalizimi i vizave do të ndodhte për tre muaj. Por, ato i ka thënë Haradinaj vetëm sa për të ardhur në pushtet”, ka thënë për “Bota sot” Kelmendi.

Ai ka theksuar se nuk do të ketë liberalizim të vizave, pa i plotësuar kushtet e kërkuara nga BE-ja.

“Sigurisht që do të dihet gjatë javëve në vijim se a do të ketë diçka për liberalizmin e vizave, por ajo që është shumë e qartë, është se Kosova nuk do të ketë liberalizim vizash pa i plotësuar kushtet e kërkuara në BE-ja. Dhe njëri kusht që kërkohet nga BE-ja, është miratimi i marrëveshjes së demarkacionit”, ka thënë më tej Kelmendi.

Sipas tij, Haradinaj nuk është i interesuar fare për t’i plotësuar kriteret e BE-së, por të merret me deklarata të ndryshme.

“Prandaj, kemi edhe ndryshim të deklaratave dhe vetëm sa të përfituar kohë sa për të qëndruar më gjatë në pushtet. Pra, kryeministri Haradinaj është mashtrues dhe kështu ai vazhdon t’i mashtrojë qytetarët sa për të qëndruar në pushtet. Nuk ka asnjë të vërtetë nga deklaratat e tij”, ka shtuar Kelmendi.

Demarkacioni e vë Haradinajn kundër Haradinajt

Demarkacioni mbetet kushti kryesor që e vë kryeministrin Haradinajn kundër dëshirës së tij për liberalizimin e vizave.

Madje këtë kriter e ka përmendur sot shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova 

“Për të lëvizur pa viza qytetarët e Kosovës, institucionet duhet ta ratifikojnë marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi dhe të kenë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Apostolova pas takimit me anëtarët e komisioneve të Kuvendit të Kosovës.

Edhe drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, ka thënë se janë të çuditshme pritjet e Haradinajt për liberalizim të vizave, pa u përfunduar çështja e demarkacionit.

Image
Arton Demhasaj

“Po mendoj se pa iu dhënë një epilog çështjes së Demarkacionit nuk besoj se do të ketë gjasa për liberalizim të vizave ose që procesi që ecë përpara. Nuk e di se si po mendon qeveria që të pres një lajm të mirë për vizat kur e dimë se kushti kryesor është ky”, ka thënë Demhasaj.

Nga ana tjetër, profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani ka thënë se duhet një konsensus i përgjithshëm në vend, në mënyrë që të punohet për liberalizim të vizave.

“Duhet t’i jepet përgjigje çështjes së demarkacionit. Kjo don një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, dhe për këtë duhet të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Kryeministri Haradinaj dhe lidershipi jonë, duhet të kërkojnë konsensus nacional që të gjendet një zgjidhje e cila është e pranueshme për të gjithë, në mënyrë që të mbyllet ky kapitull dhe t’i hapet rrugë liberalizimi të vizave”, ka thënë Ujkani për “Bota sot”.

Korrupsioni, sfida tjetër e liberalizimit të vizave

Pas korrupsionit, sfidë tjetër për Haradinajn, mbetet luftimi i korrupsionit që është kushti tjetër për liberalizmin e vizave.

“Por edhe nëse merr një epilog çështja e demarkacionit që padyshim që janë edhe kushtet e tjera që edhe ato janë bajagi të sfidueshme, siç është luftimi i korrupsionit dhe pa pasur dëshmi konkrete që Kosova ka filluar të luftojë korrupsionin”,  ka pohuar Demhasaj.

Sipas tij, qeveritë në Kosovë kanë bërë pak në luftimin e korrupsionit.

“Qeveria e kaluar nuk ka bërë asgjë për luftimin e korrupsionit, sepse as ligjet që kanë qenë të parapara në agjendën evropianë për tu miratuar nuk kanë kaluar dhe normalisht nuk mund të themi se është luftuar korrupsioni. Edhe statistikat e gjykatave tregojnë se është bërë pak në këtë drejtim”, është shprehur Demhasaj.

Image
Emrush Ujkani

Edhe profesori i së Drejtës Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë se çështja e korrupsionit mbetet një sfidë tjetër për qeverinë.

“Sa i përket korrupsionit, kjo është një çështje më e zgjeruar dhe kësaj nuk mund t’i vëndoset një pikë, të thuash se e kemi luftuar deri këtu dhe nuk ka nevojë të luftohet më. Ka pasur përpjekje, ka pasur lëvizje në atë drejtim. Veçanërisht në aspektin e legjislacionit që është përmirësuar bukur që krijon kushte më të mira për të luftuar korrupsionin”, ka shtuar Ujkani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat